in

Kosova, shteti i ri i shqiptarëve

Nën mbikëqyrje, por e pavarur. Ashtu si më 1913-ën lindte Shqipëria duke u shkëputur nga perandoria osmane, Kosova shpall pavarësinë nga  Jugosllavia dhe nis rrugën e saj si shtet, e barabartë mes shteteve të tjera të botës

Nga Bota Shqiptare 188, 1 mars 2008

U kry! Më 17 Shkurt, Kosova më në fund deklaroi pavarësinë e saj, duke u bërë kështu i shtati shtet i krijuar nga vetë-shkatërrimi i Jugosllavisë. Të kishte qenë republikë në federatën jugosllave, si Kroacia e Sllovenia, me siguri që do ish shkëputur shumë kohë më parë. Përkundrazi, Kosova ishte provincë e Serbisë dhe ky dallim do të thotë se Kosova, të paktën për të ardhmen e parashikueshme, nuk do të jetë një shtet njësoj si gjithë të tjerët.

Kosova ka rreth 2 milionë banorë, 90% e të cilëve janë shqiptarë. Këta të fundit thonë se e kanë pritur këtë ditë jo që nga 1991-shi, por që nga 1912, kur Serbia mori shumicën e Kosovës nga rrënojat e perandorisë osmane. Nga ana tjetër, serbët e Kosovës, që janë rreth 120,000 (megjithëse askush nuk e di me saktësi sa janë), e shikuan deklaratën e pavarësisë me frikë dhe inat.

Pas deklaratës, Amerika dhe shumica e vendeve të BE-së filluan procesin e njohjes.

Rusia, dhe sigurisht, Serbia, reaguan ashpër. Sipas rusëve, pavarësia e Kosovës i hap rrugë lëvizjeve separatiste në vende të tjera të botës, prandaj dhe rusët do e bllokojnë hyrjen e shtetit kosovar në OKB.

Serbia bëri disa gjeste pak a shumë boshe: shpalli anulimin e deklaratës së pavarësisë dhe hodhi në gjyq presidentin, kryeministrin dhe kryeparlamentarin e Kosovës me akuzën e tentativës së paligjshme për copëtimin e territorit serb. Nga ana tjetër, qeveria serbe mbështeti veprimet e serbëve të Kosovës që shkatërruan dy pika kufitare mes Kosovës e Serbisë. Slobodan Samardzic, ministri i Serbisë për Kosovë, tha se veprimet ishin legjitime, paçka se mund të mos dukeshin miqësore.

Në Kosovë ka 17.000 trupa të NATO-s të cilat kanë marrë në kontroll kufirin verior të vendit. Por historia e vërtetë është forcimi i një particioni de facto në shtetin e ri nga tokat e kontrolluar nga serbët. Gjysma e serbëve të Kosovës jetojnë në veri të vendit, afër Mitrovicës së ndarë. Liderët serbë i kanë thënë të tyreve të injorojnë deklaratën e pavarësisë.

Një diplomat i BE-së tha se në përgjithësi, ditët e para të pavarësisë kanë shkuar mirë . Zonat serbe tani bëjnë pjesë në një konflikt të ri të ngrirë në Europë, si Qiproja apo pjesë të ish-Bashkimit Sovjetik. Dhe kjo pritej. Tani misioni i OKB në Kosovë po ia lë radhën një misioni të BE-së.

Misioni i ri i BE do ketë dy qëllime. I pari është të mbikëqyrë policinë dhe drejtësinë në shtetin e ri. I dyti është ndërtimi i Zyrës Ndërkombëtare Civile (International Civilian Office) për të mbikëqyrur aplikimin e planit Ahtisaari. Kjo zyrë do të drejtohet nga diplomati hollandez Pieter Feith. Ai, si Kosova, ka përpara një betejë. Thelbi i planit është decentralizimi i shtetit, duke iu dhënë zonave serbe mjaft autonomi. Por nëse liderët serbë nuk janë të interesuar në këtë proces, dhe nëse preferojnë të shkëputen nga Kosova, atëherë shumica e planit do të mbetet thjesht në letër.

Numri monografik i “Botës shqiptare” kushtuar tërësisht pavarësisë së Kosovës
E ndërsa deklarata e pavarësisë mbyll një kapitull, statusi final do të mbetet për t’u vendosur në një kapitull tjetër të të njëjtit libër. Pak kosovarë e kuptojnë këtë. 8 vjetët e protektoratit të OKB ka shumë gjasa të pasohen nga një periudhë protektorati nga BE-ja. Diplomatë e analistë lokalë thonë se Feith duhet të jetë i kujdesshëm të qëndrojë në sfond e të mos tejkalojë mandatin e tij. Përndryshe Kosova, si Bosnja, rrezikon të adaptojë “sindromën ballkanikë të varësisë” – një formë sjelljeje ky liderët lokalë lejojnë të huajt të bëjnë punën e tyre, duke ia transferuar atyre përgjegjësinë për vendime të papëlqyeshme dhe, sigurisht, dështimet.

 “Kosova u bë,” thotë Migjen Kelmendi, redaktor i gazetës Java, duke parafrazuar një shprehje të kohës së krijimit të Shqipërisë në 1912. “Tani duhet të bëjmë kosovarët.” Kelmendi do të thotë se Kosova ka nevojë të ketë identitetin e vet kombëtar dhe kulturor, dhe jo të mbyte — siç po ndodh tani — nga influencat dhe importet që vijnë nga Shqipëria.

Por sfida kryesore është ekonomia. Statistikat janë të tejmbushura me shifra të tmerrshme, të gjitha të pasakta dhe konfuzuese. Nëse 40 apo 50 për qind e kosovarëve do ishin të papunë (siç thonë shifrat zyrtare) dhe nuk do kishin asnjë burim të ardhurash tjetër, atëherë i gjithë vendi do ishte në uri. Dhe nuk është kështu. Kosova duket si një zonë e varfër e Europës, dhe jo si pjesë e botës së tretë apo ish-Bashkimit Sovjetik. Papunësia është e lartë — 2/3 e të rinjve janë të papunë — sepse ekonomia gri është jo pak e zhvilluar. Gjithashtu, shumë familje kanë njerëz jashtë që çojnë para në shtëpi. Breza të tërë kosovarësh kanë punuar si Gastarbeiter, punëtorë të përkohshëm, nëpër Europë. Sot, pensionet e tyre po kontribuojnë në mbajtjen gjallë të Kosovës.

Kosova ka disa probleme akute. Sipas Shpend Ahmetit, drejtor i Institutit të Kosovës për Studime të Avancuara, vendi importon rreth 1.3 miliardë euro në vit dhe eksporton shumë shumë më pak, afron 90-130 milion euro. Çdo vit rreth 25-30,000 të rinjtë hyjnë në tregun e punës, shumica me pak ose aspak edukim formal. Taksat e biznesit janë shumë më të larta se në vende të tjera në rajon, dhe normat e interesit janë po ashtu të larta. Si Ballkani në përgjithësi, Kosova ka një reputacion (tashmë pak të vjetërsuar) se është e dominuar nga krimi i organizuar – simptomë kjo e një shteti të dobët.

Nga ana tjetër, Ahmeti thotë se Kosova është e pasur në minerale. Ka gjithashtu dhe një Kosovë të vogël sekrete – një sektor i vogël fabrikash moderne që prodhojnë mallra. Në Suharekë, ka punëtorë me rroba të bardha që punojnë tek fabrika e mishit Flor-En. Ngjitur është fabrika e këpucëve Solid që prodhon për tregun lokal, por edhe eksporton.

Kur e pyetëm nëse pavarësia i bënte mirë biznesit, Ahmet Kuci, drejtori komercial i Solid tha “Jo”. Ulja e taksave tha ai, do e ndihmonte. Kushtrim Xhakli, sipërmarrës interneti, tha se problemi qëndron më thellë: problemi është tradita e kompanive që nuk bëhen aq të mëdha sa të kapërcejnë kufirin familjar. “Kanë frikë nga teknologjia moderne dhe humbja e kontrollit,” tha Xhakli.

Nëse Enver Hoxhaj, ministri i ri dhe energjik i arsimit në Kosovë, merr situatën në kontroll, ai është i vendosur të ndryshojë traditat e vendit. Në ministrinë që drejton ka 200 punonjës ndërsa sistemi arsimor përballet me 500,000 nxënës. Hoxhaj nuk e di nëse 25,000 mësuesit e vendit i kanë apo jo kualifikimet e duhura. Si prioritet ama, ai ka ndërtimin e 76 shkollave të reja, regjistrimit të mësuesve dhe implementimin e një programi serioz për trajnimin e mësuesve.

Më tej, Kosova ka nevojë të përmirësojë shtetin ligjor duke detyruar gjykatat të funksionojnë. Sigurimi i një burimi të vazhdueshëm të energjisë elektrike është një tjetër sfidë. Vendi ka kufizime të përditshme energjetike. Kosova ka gjithashtu nevojë të tërheqë investime nga jashtë, dhe mënyra më e mirë për të arritur këtë qëllim është, siç thotë dhe Ahmeti, t’i largohet lajmeve të BBC dhe EuroNews për ca kohë.

Kjo nuk duket se do të ndodhë, të paktën jo tani. Në javët e muajt që vijnë do të shohim trazira në Ballkanin perëndimor. Ama, shiko hartën. Kosova dhe rajoni janë të rrethuar nga vende të BE-së. Dhe BE po përhapet në Ballkan jo nga dashuria e madhe për Kosovën por sepse një Ballkan i stabilizuar është në interesin e të gjithëve. Ka shanse që Serbia, vendi më i madh dhe më i fuqishëm i ish-Jugosllavisë të tërhiqet, të paktën përkohësisht, nga integrimi europian. Më 11 Maj serbët do të votojnë në zgjedhje lokale dhe duke qënë se synojnë t’i mbajnë zgjedhjet edhe në zonat serbe të Kosovës, do të ketë terren plot për incidente që mund të bëhen dhe të ndyra. E prapë, e ardhmja është më shumë arsye për shqetësim, sesa panik. Të paktën deri tani.

Lexo edhe:

Corso di Formazione all’Impresa per gli albanesi che decidono di tornare in patria

Sekuestrohen 1,5 tonë marijuanë e braktisur në breg