in

Kosovë. Orteku shkakton 2 viktima dhe shkatërron 6 shtëpi

Nga orteku i borës që ka rënë në fshatin Restelicë të Dragashit, 2 banorë kanë humbur jetën, 6 shtëpi janë shkatërruar plotësisht

Prishtinë, 11 shkurt 2012 – Një ortek ka rënë në komunën e Dragashit, të Kosovës, më saktësisht në fshatin Reselelicë. Sipas agjencisë Kosovapress, mësohet se orteku ka rënë mbi tetëmbëdhjetë shtëpi. Ai ka shkaktuar dy viktima dhe dyshohet që brenda shtëpive gjenden edhe 9 banorë të tjerë. Nga 18 shtëpitë e përfshira nga orteku, 6 janë shkatërruar tërësisht, por fatmirësisht vetëm dy nga këto shtëpi kanë qenë me njerëz brenda ndërsa të tjerat kanë qenë të pabanuara.

Në dy shtëpitë e banuara dyshohet të kenë qenë njëmbëdhjetë persona, të cilët kanë mbetur brenda të izoluar nën ortekun e borës.

Me qëllim të arritjes sa më të shpejtë në vendin e ngjarjes, Policia e Kosovës ka vënë në funksion të gjitha kapacitetet e nevojshme të burimeve njerëzore dhe atyre teknike, ka hapur rreth 4 km  rrugë të pakalueshme dhe ka arritur në vend të ngjarjes, ku i është vënë në krah qindra banorëve të atij fshati, të cilët po bënin përpjekje të vazhdueshme të largonin borën për t’iu dalë në ndihmë personave të mbetur nën ortekun e borës.

Gjatë përpjekjeve të vazhdueshme deri tani janë nxjerrë nga bora të pajetë një grua e një burrë, si dhe supozohet se edhe nëntë persona të tjerë gjenden nën shtëpitë e mbuluara nga orteku i borës.

Nga reshjet e dendura dhe kushtet e vështira atmosferike, rruga vazhdon të jetë e bllokuar nga fshati Krushevë deri në fshatin Restelicë.

Trashësia e borës që ka goditur shtëpitë arrin deri në 10 metra thellësi dhe rreth 500 metra gjerësi dhe gjendja në tërësi për momentin është shumë e rëndë.

Dhoma komanduese e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit e stacionuar në Dragash është duke bërë koordinimin me të gjitha instancat në nivel rajonal dhe atë qendror, si: Forcën e Sigurisë se Kosovës, KK Dragash, KFOR-in, Zjarrfikësit, Ndihmën e shpejtë, kompanitë për pastrimin e borës, bizneset lokale dhe banorët e asaj zone që me të gjitha kapacitetet e vëna në funksion po bëjnë përpjekje të pandërprera që t’u vijnë në ndihmë banorëve të kësaj zone”, thuhet në komunikatën e parë të Policisë së Kosovës për tragjendinë e ndodhur në Restelicë të Dragashit.

 

Dëbora bllokon zona të tëra në veri të Shqipërisë

Porti i Durrësit së shpejti me terminal të ri udhëtarësh