Në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës po festohet sot me një sërë aktivitetesh përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së shtetit të ri evropian
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm lotësh e gjaku për popullsinë shqiptare. Për vite me radhë, deri në qershor të 1999-tës, shqiptarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga ushtria e Millosheviçit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar.
Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, vendi administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe qeveria. Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.
Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008.
Zyra Civile Ndërkombëtare mori përsipër mbikëqyrjen e zbatimit të pavarësisë. Pak ditë më vonë, një grup vendesh që njohën pavarësinë e saj themeluan Grupin Drejtues që do të mbikëqyrte shtetin e ri. Plani i Ahtisaarit nuk u zbatua kurrë në veriun e banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e shtetit të Kosovës.
Plani parashikonte krijimin e një komune të re në veriun e Mitrovicës, e cila u themelua mw vonë. Më 9 dhjetor 2008, vendin e UNMIK e zuri misioni europian për sundimin e ligjit EULEX. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes mendimit këshillëdhënës se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.
Nga marsi i vitit 2011, Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet në Bruksel për një seri çështjesh. Këto bisedime teknike u pasuan nga ato në nivel kryeministrash, me mbajtjen e katër raundeve të dialogut mes Thaçit e Daçiç, si dhe një takimi mes presidentëve Jahjaga e Nikoliç.
Përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur më 10 shtator 2012, u pa s i një mundësi për shtyrjen më tej të hapave për integrimin e Kosovës. Sfida më e afërt për shtetin e ri është heqja e vizave, por kryesorja mbetet aspirata për hyrjen në NATO dhe integrimin në BE. Zyrtarisht, deri më sot, Kosovën e kanë njohur 111 shtete.
(KosovaPress)