in

Kosovë – Serbi 2-0

Ashtu siç kishte njoftuar nëpërmjet shtypit, në festimet me rastin e festës së Republikës Italiane, nuk qe i pranishëm presidenti i Republikës serbe Boris Tadiç. Dy ditë përpara takimit që mblodhi në Romë mbi 40 kryetarë shtetesh, Tadiç deklaroi se nuk pranon ftesën e presidentit italian Giorgio Napolitano për shkak të pranisë në ceremoni të zonjës Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës.

Megjithëse theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me Italinë, vendimi i kryetarit serb të shtetit, nuk kaloi pa reagime.

Lajmërimi për anulimin e pjesëmarrjes se delegacionit serb në ceremoninë e 2 qershorit në Romë, Tadiç e bëri nëpërmjet shtypit. Me sa duket ai nuk kishte vënë më parë në dijeni ambasadën italiane në Beograd, ku përvjetori i Republikës u festua një ditë më parë vetëm e vetëm për t’i dhënë mundësi ambasadorit italian në Serbi, Armando Varricchio, që të shoqëronte në Romë delegacionin e kryesuar nga presidenti serb. Me sa duket ambasada italiane është lajmëruar një ditë më pas.

Nënsekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme Alfredo Mantica, në një intervistë dhënë agjencisë Tmneës deklaron “janë të kuptueshme arsyet politike të këtij vendimi. Megjithatë ai mund të merrej në një rast tjetër, jo Festa e Republikës Italiane, pikërisht në vitin e kremtimit të 150 vjetorit të Unitetit të vendit, për të kryer një gjest kaq të ftohtë ndaj Italisë, vend që më mik i Serbisë nuk ka ku të shkojë”. Mantica thotë më pas se “nuk ka folur më ministrin Frattini aty për aty, “por lajmin ne e kemi mësuar nga mediat”.

Ai mohon që qëndrimi i palës serbe mund të jetë një ftohje që shkon përtej çështjes së Kosovës dhe shprehet se nuk beson që kjo është rrjedhojë e moskthimit të  vizitës nga ana e Berlusconit. Megjithëse shton, duke cituar Giulio Andreottin se “Të të shkojë mendja për keq, është gjynah, por gati gjithnjë i bihet pikës”

Në nëntor të vitit 2009, Tadiç nënshkroi në Romë me Silvio Berluskonin një marrëveshje partneriteti strategjik midis dy vendeve. Ka kaluar një vit e gjysmë dhe Berlusconi nuk ka shkuar ende në Beograd për t’i ka kthyer vizitën palës serbe. Fillimisht takimi ishte në plan në tetorin e kaluar por u anulua për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale që Berlusconi bëri në dorë. Më pas u programua për në muajin maj, por angazhimet për zgjedhjet administrative e penguan sërish kryeministrin italian të udhëtojë drejt Beogradit. Aktualisht flitet për 21 qershorin si datë të mundshme të kësaj vizite.

Është hera e dytë që  presidenti serb nuk merr pjesë në takime të rëndësishme ndërkombëtare kur në to është e ftuar kryetarja e shtetit të Kosovës. Më 27 dhe 28 maj delegacioni serb nuk shkoi në Samitin e shteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore të zhvilluar në Varshavë, ku qe i pranishëm edhe presidenti amerikan Barack Obama.

Irida Cami

Mladiç, sot përpara gjykatës së Hagës

Mladiç: “Kam mbrojtur njerëzit dhe vendin tim”