in

Kosovë. Të bashkuar në humbje

Nga Armand SHKULLAKU

Kosova, e sapodalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, po elektrizohet çdo ditë e më shumë nga situata që ato kanë prodhuar. Beteja me traktorë e militantëve që pretendojnë fitoren, mund të shndërrohet fare lehtë në një konflikt politik të sëmurë që do ta mbante peng vendin për shumë vite me radhë. Duke patur shumë pranë virusin made in Albania, simptomat e para kanë zënë të shfaqen edhe në Prishtinë. Procesi shembullor i zgjedhjeve të 8 qershorit është mbuluar tashmë nga hijet e së panjohurës për çka do të vijë më pas.

Shkaku kryesor që po mbars këtë gjendje të tensionuar, është përpjekja e disa partive opozitare për të shpallur armike pjesën tjetër, për të cilën kanë votuar rreth 215 mijë kosovarë. Përdorimi i kategorisë përjashtuese për të justifikuar humbjen, pashmangshmërisht çon drejt konfliktualitetit. Bashkimi i humbësve mund të prodhojë një fitore në tavolinë, por nuk ka asnjë të drejtë që këtë ta emërtojë si vullnet hyjnor për të shpëtuar Kosovën nga e keqja e madhe. Asnjë prej tyre nuk është pagëzuar, madje e kundërta ka ndodhur, si e mira që i duhet vendit. Duke perifrazuar kolegun Arben Idrizi, edhe ata janë e keqja, e njëjta e keqe, pavarësisht përcaktimit e madhe apo e vogël. Bashkimi i humbësve më tepër se një zgjidhje për vendin, po merr çdo orë e më shumë ngjyrat e një hakmarrjeje, shpesh edhe me tone raciste, që dihet se çfarë cikli mund të prodhojë. I ngjan një mllefi të shpërthyer dhe jo një frymëmarrjeje të çliruar. Ata që dolën me bisht ndër shalë mëngjesin e 9 qershorit, tani kanë kapur mundësinë ta mbulojnë turpin personal duke shpallur mallkimin e tjetrit.

Pa dyshim që LDK, AAK, Nisma apo cilado parti tjetër kanë të drejtë të bëjnë çdo marrëveshje politike për të marrë pushtetin, por këtë nuk mund ta shesin si shpëtimin e Kosovës nga Hashim Thaçi. Me përjashtim të Nismës, e cila e arriti objektivin e saj për t’u shndërruar në kohë rekord në parti parlamentare, dy partitë e tjera LDK dhe AAK dështuan në synimet e tyre politike. Përpjekja e tanishme për t’i dhënë Kthesës një Drejtim të Ri është një shpëtim për liderët e këtyre dy partive dhe jo një shpëtim i Kosovës. Isa Mustafa ia doli në gjashtë muaj të humbë edhe Prishtinën edhe Kosovën. Ai nuk arriti ta mundë Hashim Thaçin dhe për të votuan vetëm 25 për qind e kosovarëve. Normalisht, për hir të ndershmërisë me votuesit, Mustafa duhej të kishte njohur humbjen e tij personale politike dhe më pas të merrej me manovra teknike për të pamundësuar Thaçin të krijojë qeverinë. Por shitja e humbjes si fitore vetëm sa provokon pjesën tjetër të elektoratit dhe nxit konflikt të panevojshëm. Ramush Haradinaj, ndonëse e drejtoi vetë këtë fushatë, në raport me numrin e votuesve mori më pak vota se partia e tij në zgjedhjet e kaluara. Edhe për AAK, këto zgjedhje që e lanë partinë përsëri me një përqindje njëshifrore, ishin një dështim. Haradinaj, që kërkon të drejtojë qeverinë e ardhshme, duhej ta kishte pranuar këtë përpara se t’i ftonte simpatizantët e tij të festonin me flamuj një fitore jashtë fushës së lojës. Sepse është e qartë se bashkimi i këtyre partive nuk erdhi si nevojë e një ndryshimi, por si pasojë e një dështimi.

Nëse Mustafa e Haradinaj do ta kishin pranuar këtë me zë të lartë dhe kokën ulur, e ndërkohë do të deklaronin se do të ndërmerrnin çdo hap për t’ia pamundësuar Thaçit formimin e qeverisë, qoftë duke u bashkuar mes vetes, rreziku i një konflikti politik do të ishte shumë më i vogël. Sjellja triumfaliste, denigruese dhe përjashtuese ndaj palës tjetër që mori mbi 30 për qind të votave, duke dalë fituese në zgjedhje, çon në provokim dhe tension të pashmangshëm politik. Kjo sjellje nuk e përmbys dot diferencën që Thaçi krijoi me secilin prej rivalëve të tij direktë në këto zgjedhje. Ata nuk qenë në gjendje ta mundin atë në emër të ndryshimit, nuk ngjallën dot besimin e duhur për këtë. Ta eliminosh këtë të vërtetë në emër të entuziazmit fals se po largojmë një të keqe të madhe duke u bërë bashkë pas humbjes, është thjesht një qetues për të lehtësuar dhimbjen, por jo një ndërhyrje për të vrarë sëmundjen.

Por nëse disa individë mund të ndihen më të qetë në këtë mënyrë, situata politike vështirë se do të gjejë qetësi. Opozita mund t’i bëjë numrat për të marrë pushtetin, por përjetimi i një marrëveshjeje mes të humburve si një triumf ndaj 215 mijë votuesve që nxorën të parën PDK, nuk është qëndrimi i duhur. Ajo mund të jetë një fitore në letër dhe duhet pranuar si e tillë. Tendenca për ta shndërruar në fitore të një beteje, rrezikon të prodhojë beteja të reja. Për më tepër kur nga nevoja e ngushtë për të mbuluar humbjen dhe dështimin, përdoret kategoria e përjashtimit. Askush, aq më pak ata që i bashkoi humbja zgjedhore, nuk mund të bëjnë përcaktime për të keqen më të madhe apo të keqen më të vogël. Atë përcaktim e bën vota e qytetarëve.

Gazeta Tribuna

Bari. Bllokohet në det skafi me një ton drogë. Arrestohen dy persona

Ndaj Botërorin 2014 me Shqiptarin e Italisë