in

Krimi i klandestinitetit. Berlusconi do të firmosë referendumin e Legës

Ish kryeministri u zgjat dorën aleatëve të vjetër, duke mbëshetur sërish linjën kundër imigrantëve. Vetëm dy muaj më parë edhe Forza Italia kishte votuar për shfuqizimin e hyrjes dhe qëndrimit të parregullt në Itali, ndërsa tani lideri i saj vendos të firmosë që të mbahet referendumi që kërkon rivënin e krimit të klandestinitetit

Romë, 29 maj 2014 – Të rifutet krimi i klandestinitetit, të shfuqizohet ligji kundër racizmit e të ndalohet punësimi në shtet i imigrantëve. Janë këta objektivat e tri referendumeve që Lega e Veriut dëshiron të çojë përpara, bashkë me tri të tjera që kanë të bëjnë me shfuqizimin e prefekturave, shfuqizimin e reformës Fornero mbi pensionet dhe rihapjen e shtëpive publike.

Edhe pse legistët janë shumë aktivë, kanë hapur pika për mbledhje firmash nëpër rrugë, kanë përsëritur apele sa herë kanë mundur, veçanërisht në fushatën zgjedhore, duket se nuk e kanë aspak të lehtë të mbledhin 500 mijë firmat e nevojshme për secilin referendum që duan të mbajnë. E koha kalon: për referendumin për rifutjen e krimit të klandestinitetit firmat duhen mbledhur deri në fillim të gushtit, për pesë çështjet e tjera, afati i fundit është fundi i qershorit.

Por tani po u vjen edhe mbështetja e Berlusconit. Me një konferencë shtypi me sekretarin e Legës, Matteo Salvini, lideri i Forza Italia do të zyrtarizojë sot pasdite firmën e tij për disa prej referendumeve. Mes këtyre, Berlusconi do të nënshkruajë edhe atë për rifutjen e veprës penale të klandestinitetit.

Duhet thënë se teknikisht firma e Berlusconit nuk ka asnjë vlerë, sepse referendumet mund të nënshkruhen vetëm nga qytetarë që e kanë të drejtën e votës dhe ai këtë të drejtë përkohësisht nuk e gëzon për shkak të dënimit penal për procesin Mediaset. Por mesazhi politik që dëshiron të japë është i qartë.

Pas humbjes së bujshme në zgjedhjet evropiane, ish kryeministri u shtrin dorën aleatëve të tij të vjetër, edhe duke mbështetur sërish linjën e tyre ksenofobe. Madje duke gjetur tek një betejë kundër imigrantëve pikën e parë të përbashkët. E bën këtë, ndërsa legistët, në Evropë, lidhen në aleancë me Front National të Marine Le Pen.

Pak vlerë ka që ligji për shfuqizimin e hyrjes dhe qëndrimit të parregullt në Itali, as dy muaj më parë, kaloi në parlament edhe falë votave të Forza Italia. Pak vlerë ka që Berlusconi, nëntë muaj më parë, nënshkroi një referendum të radikalëve italianë që kërkonte pikërisht heqjen e krimit të klandestinitetit, gjë që nevrikosi jo pak liderin e asokohe të Legës, ish ministrin e Brendshëm Roberto Maroni.
Me sa duket, rikuperimi i votave, për të shkuar përtej 16,8% të marra në zgjedhjet evropiane, vlen më shumë se kthesa 180° në qëndrime brenda pak muajve, në kurriz të të huajve në Itali.

Elvio Pasca

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Gli immigrati sputano a terra? Il sindaco: “500 euro di multa”

Inspektorja muratorit të huaj: “Kthehu në Perù, kështu i liron vendin të tanëve”