in

Inspektorja muratorit të huaj: “Kthehu në Perù, kështu i liron vendin të tanëve”

Ka ndodhur në Genova, gjatë kontrollit të zyrës së punës në një shtëpi në ristrukturim. Zyrtari i Ministrisë së Punës: “Unë në shtëpinë time nuk do të lejoja të punonin jokomunitarë!”

Romë, 29 maj 2014 – Jo rrallë të huajt dëgjojnë t’u thonë “Kthehu nga ke ardhur!”. Por që këtë t’ia thotë një inspektor pune ndërsa ushtron detyrën, është padyshim diçka e rrallë, përveçse shumë e rëndë.

Pikërisht kjo ka ndodhur në Genova, rast që sjell në faqet e Secolo XIX gazetari Dario Freccero, që është dëshmitar i ngjarjes, pasi ka ndodhur në shtëpi të tij që po ristrukturon me një ndërmarrje ndërtimi shqiptarësh.

“Javën e shkuar, sapo kishte kaluar ora 9.00. Bie dera e janë dy gra të Inspektoratit të Punës. Në atë çast, – tregon Freccero – në shtëpinë-kantier është ndërmarrja shqiptare që punon, një peruvian që bën punime në kartonxhes e një i ri shqiptar që ka  punë tjetër por në atë çast ndodhet aty për të pyetur miqtë e tij mos kanë ndonjë punë ekstra për t’ia kaluar”.

Një kontroll i zakonshëm, gjatë të cilit dy inspektoret gjejnë një parregullsi, mungon plani i koordinimit të sigurisë, i nevojshëm kur në kantier punojnë dy a më shumë firma ndërtimi njëkohësisht. Gjakrat nxehen shpejt edhe për faktin që ndërmarrja shqiptare ka pasur një kontroll tjetër një muaj më parë e në një farë mënyre ndihet “e persekutuar”.

Por më pas, diskutimi degjeneron: “Inspektorja P., ajo që duhet të të jetë më lart në gradë se tjetra, i thotë peruvianit: «… unë në shtëpinë time nuk do të lejoja kurrë të punonin jokomunitarë!»”. Përgjigjja e peruvianit nuk vonon: “Unë jetoj këtu prej shumë vitesh e paguaj taksat. E ç’duhet të bëj?”.
“Inspektorja – shkruan Freccero – përgjigjet me sarkazëm: «Kthehu në Perù, kështu ndoshta do të ketë më shumë punë për njerëzit tanë…»”.

“Këshilla” e inspektores, me këmbënguljen e të zotit të shtëpisë, e megjithë qëndresën e dy inspektoreve u vu e zezë mbi të bardhë edhe në verbalin e inspektimit. Më 10 qershor është caktuar “procesi” për parregullsitë e kantierit. Është shumë e mundur që për shqiptarët e peruvianin të mbërrijnë sanksione për mosrespektim të rregullave. Është për t’u parë nëse edhe inspektorja do të paguajë për fjalët e saj.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Krimi i klandestinitetit. Berlusconi do të firmosë referendumin e Legës

L’arte “invisibile”