“Ta kthejë në një shkelje administrative”. Gjykimi i dhënë mbi dekretin e depenalizimeve. Tani Qeveria Renzi nuk ka më asnjë justifikim
Romë, 4 dhjetor 2015 – Parlamenti e kish thënë mëse një vit e gjysmë përpara, por qeveria kish bërë veshin shurdh. Tani Dhoma e Deputetëve e përsërit: “Vepra penale e klandestinitetit duhet hequr” me shpresën që këtë radhë në Qeveri të jenë më të vëmendshëm.
Një seri e re e një meseleje që mund të ishte mbyllur kohë më parë. Por ndoshta është mirë të bëjmë fillimisht një përmbledhje.
Në vitin 2009, Lega dhe Popolo delle Libertà, asokohe në qeveri, vendosin të kthejnë në kriminelë të gjithë emigrantët pa lejeqëndrim. Lind kështu vepra penale e hyrjes dhe i qëndrimit të parregullt në territorin italian.
Pasojat? Asnjë nuk përfundon në burg (sepse parashikon një gjobë të zëvendësueshme nga dëbimi), nuk shtohen as riatdhesimet. Por prokuroritë janë të detyruara të hapin me mijëra procese gjyqësore të kota dhe të konsiderojnë të pandehur, mes të tjerësh, edhe viktimat e trafikantëve të njerëzve.
Në prill 2014 Parlamenti i thotë qeverisë, me një ligj delegues, të depenalizojë krimin e hyrjes dhe të qëndrimit të parregullt. Për kë nuk ka të drejtë të qëndrojë në Itali mbetet dëbimi, por jo vepra penale, ajo duhet hequr.
E Qeveria ç’bën? Asgjë. Ndoshta për të ruajtur balancat mes Partito Democratico e Nuovo Centro Destra, bën një dekret legjislativ depenalizimesh që përjashton krimin e klandestinitetit. “Është temë delikate, të vendosë Parlamenti”, shpjegon ministri i Drejtësisë para nisjes së dekretit në Parlament për të marrë mendimet e tij. Në të vërtetë Parlamenti kish vendosur me kohë, por mesazhi është: “Shiheni ju këtë punë, ne, tani për tani, e heqim duarsh”.
Tani, edhe mendimet e Parlamentit mbërritën. Në Senat bënë sikur nuk mungonte gjë, në Dhomën e Deputetëve e ngritën zërin. Në gjykimin e miratuar dje në Komisionin e Drejtësisë kërkohet sërish shprehimisht që “të transformohet në shkelje administrative vepra penale e imigracionit klandestin e parashikuar nga neni 10-bis i tekstit unik të dispozitave që disiplinojnë imigracionin dhe normat mbi statusin e të huajit të përfshira në dekretin legjislativ nr. 286 të 25 korrikut 1998”.
E pra tani, vepra penale e klandestinitetit i ngjan një të vdekuri që vazhdon të ecë. Për sa kohë akoma Qeveria do ta lërë të sorollatet nëpër Itali?
Elvio Pasca