in

Kronika e një vrasjeje në familje

Raimonda Zefi, 30 vjeç, “e zhdukur” që natën e Vitit të Ri në Massarosa të provincës së Luccas, në të vërtetë është vrarë nga i shoqi, Francesco Quinci, 36 vjeç

3 janar 2011 – Pranë repartit të karabinierëve të Viareggios, shtetasi Francesco Quinci paraqit padinë për zhdukjen e bashkëshortes në Stiava. Quhet Rajmonda Zefi, 31 vjeç, shqiptare me banim prej më shumë se dhjetë vjetësh në Itali. Ai deklaron se gruaja, me të cilën kishte dy fëmijë, tetë dhe tre vjeç, nuk ishte kthyer në shtëpi që ditën e fundit të vitit. Fillimisht karabinierët nuk japin  shumë detaje po merret vesh se banesa dhe automjeti Honda Civic i familjes kontrollohet imtësisht dhe më pas sekuestrohet. Nuk po lihet pa u ndjekur asnjë hipotezë, qofte ajo e largimit me dëshire ashtu dhe ajo e ndonjë fatkeqësie apo episodi të dhunshëm.

5 janar 2011 – Vazhdojnë kërkimet e Rajmonda Zefit. Prindët dhe tre vëllezërit, si dhe fqinjët përjashtojnë mundësinë e largimit të saj me dëshirë sepse të gjithë e dinë se sa i lidhur është me fëmijët. Sipas tyre Dalin detaje mbi marrëdhënien me të shoqin dhe kriza që po kalonte çifti, e konfirmuar edhe nga Francesco Quinci. Rajmonda, që prej vitesh nuk kishte punuar, por ishte kujdesur vetëm për shtëpine dhe fëmijët, kohët e fundit kishte filluar një aktivitet së bashku me disa shqiptarë të tjerë për organizimin e mbrëmjeve dhe festave nëpër lokale. Por fqinjët rrëfejnë se megjithëse punonte deri vonë, që në mëngjes herët ajo dilte për të çuar në shkollë dy fëmijët, Eric e Hebby dhe për të mbaruar punët e shtëpisë. Ditën kur ishte zhdukur ajo kishte dalë nga shtëpia për të punuar për organizimin e një feste me rastin e Vitit të Ri në lokalin Piper, ex Caprice. Sipas dëshmisë së të shoqit gruaja kishte dalë nga shtëpia më 31 dhjetor në orën dhjetë të mëngjesit për të shkuar në punë, ku ama s’kishte mbërritur. Që atëherë telefoni i saj celular është i fikur. Dyshimet e hetuesve fillojnë të bien mbi Francesco Quinci, duke u mbështetur kryesisht mbi vonesën e pashpjegueshme në padinë për zhdukjen e Rajmondës.

8 janar 2011 – Rajmonda Zefi është vrarë nga i shoqi, Francesco Quinci i cili nuk përballoi më presionin e hetuesve gjatë marre në pyetje gjithë natën. Ai deklaron se ajo kishte rënë nga shkallët duke përplasur kokën gjatë një sherri në shtëpi dhe se trupin e saj e ka fshehur në një pyll në lokalitetin Colle dello Scopeti, në Stazzema. Trupi i Rajmondës u gjet i mbështjellë me një batanije vërtet në atë vend, pak kohë pas rrëfimit të vrasësit. Francesco Quinci mbahet në burg i akuzuar për vrasje të qëllimshme.
Specialistët kriminologë bëjnë të ditur se pas vrasjes, ai ka pastruar me shumë kujdes shtëpinë dhe makinën për të zhdukur gjurmët e gjakut. Dikush nga fqinjët rrëfen se në mëngjesin e vrasjes kishte dëgjuar britma në shtëpinë e Rajmondës, por nuk i kishte vënë shumë rëndësi, sepse jo rrallë çifti kishte zënka. Avokatja Anna Petroni, e specializuar në problemet e familjes, bën të ditur se Rajmonda kishte shkuar në studion e saj në muajin tetor për të kërkuar ndarjen nga i shoqi. Sipas avokates prej dy vjetësh Rajmonda jetonte e tmerruar nga i shoqi, i cili e kërcënonte dhe e rrihte shpesh.

11 janar 2011 – Pas autopsisë hetuesit bëjnë të ditur se në trupin e Rajmonda Zefit kishte plagë që mund të jenë shkaktuar nga grushta dhe se në qafë kishte shenja të thella. Konfirmohet hipoteza që se i shoqi e ka mbytur me duar. Pas një verifikimi të mëtejshmë në shtëpinë e çiftit, përjashtohet mundësia që ajo të ketë rënë nga shkallët siç ka deklaruar Francesco Quinci. Ndërkohë vazhdon kërkimi i hard diskut të sistemit të vigjëlimit të shtëpisë, që vrasësi ka çmontuar për të zhdukur pamjet e futjes së trupit të pajetë në makinën e tij për ta fshehur më pas në pyllin pranë Stazzema.

12 janar 2011 – Polumbarët e forcave të karabinierisë gjejnë në kanalin Burlamacca, shumë pranë banesës së çiftit, hard diskun e sistemit të vigjëlimit, tullën e përdorur nga Francesco Quinci për ta hequr atë nga muri dhe një çifte gjuetie.
Avokatët mbrojtës të Francesco Quincit ngulin këmbë në versionin e rënies nga shkallët dhe përmendin se në fëmijëri Francesco ka vuajtur nga probleme psiqike. Ai është kuruar në repartin e neurokirurgjisë për fëmijë pranë klinikës Santa Chiara të Pizës deri në moshën 12 vjeçare. Një hipotezë kjo që mund të çojë drejt deklarimit të vrasësit si gjysmë të çmendur.

13 janar 2011 – Në kishën San Paolino zhvillohet funerali i Rajmondës, ose Monda siç e thërrisnin të gjithë. Qindëra të pranishëm, si shqiptarë ashtu dhe banorë të zonës ku familja e Rajmondës jetonte prej 10 vjetësh. I pranishëm edhe kryebashkiaku i Viareggios Luca Lunardini. Mungojnë të afërmit e vrasësit, që nga burgu kërkon t’i çohet atje një fotografi e të shoqes. E asaj gruaje të re që Pietro Zefi ia kishte besuar para altarit ditën e martesës. Rajmondës që të gjithë e kujtojnë të buzëqeshur e që buzëqeshja iu këput pa dëgjuar dot fishekzjarrët e festës së fundit të vitit.

Irida Cami

Flukset: ja si paraqiten kërkesat

Shqiptarët më të shumtët për testin e gjuhës për kartën e qëndrimit