Vizita, që do të mbahet në kushte sigurie të jashtëzakonshme, ka ngjallur interes të madh ndërkombëtar dhe do të ndiqet nga dhjetëra e dhjetëra gazetarë
Edhe pse dy vende fqinje, u deshën rreth 70 vjet që të përsëritet vizita e një kryeministri shqiptar në Serbi. Kjo e 10 nëntorit 2014 – e parashikuar fillimisht për në tetor dhe e shtyrë pas gjithë ç’ndodhi në stadiumin Partizan të Beogradit para gjatë e pas ndeshjes Serbi-Shqipëri – e kryeministri Rama praktikisht është paraprirë vetëm nga ajo e Enver Hoxhës në vitin 1946.
Rama do të takojë homologun e tij, Vuçiç, po jo presidentin serb. Sipas mediave serbe, presidenti Nikoliç do të lëvizë jashtë Serbisë të hënën për të mos i dhënë dorën Edi Ramës
Axhenda
Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Edi Rama do të mbërrijë të hënën në orën 11:00 në pallatin “Serbia”, ku do të pritet nga Kryeministri serb, Vuçiç. Pas 10 minutash është planifikuar një takim kokë më kokë mes dy kryeministrave, ndërsa pas 20 minutash do të ketë një takim mes dy delegacioneve, ku pritet që të nënshkruhen marrëveshje mes dy ministrave të Jashtëm. Rreth orës 12:15 është parashikuar konferenca për shtyp e dy Kryeministrave.
Në orën 18:00, Rama pritet të mbajë fjalën në tryezën e bashkëpunimit Shqipëri-Serbi, që është planifikuar të zhvillohet në hotelin “Frankensteiner” në Beogradin e ri.
Vizita në Bashkinë e Beogradit, ku sipas axhendës së para incidenteve pritej të merrte “Çelësin e Qytetit” mbetet për t’u konfirmuar. Rreth orës 20:15 është planifikuar një shëtitje më këmbë në Beograd, ku nëse shihet e arsyeshme, gjatë këtij intervali, Kryeministri mund të shkojë drejt memorialit të Dimitrije Tuçoviç për të vënë një tufë lulesh, pa protokoll shtetëror.
Dita e dytë e vizitës i është kushtuar takimeve në Preshevë. Axhenda përfshin mbërritjen në Preshevë në sheshin “Liria”, përpara godinës së Këshillit Komunal, ku dhe do të bëhet prezantimi i anëtarëve të këshillit. Pjesë e axhendës është dhe fjalimi në podium si dhe një shtrëngim duarsh me të pranishmit e në fund, vizita në qendrën spitalore, për të cilën qeveria shqiptare ka kontribuuar.
Axhenda e vizitës së Edi Ramës në Serbi:
E hënë, 10 nëntor 2014
11.30 – Pritja dhe takimi mes dy kryeministrave Rama – Vuçiç
12.30 – Konferencë e përbashkët për shtyp mes dy kryeministrave
16.00 – Takim i kryeministrit Rama me gazetarët
17.00 – Takim dhe fjalë në tryezën e biznesit Serbi – Shqipëri
18.00 – Takim në bashkinë e Beogradit
E martë 11 nëntor 2014
Nisja në mëngjes herët drejt Preshevës
11:00 – Takimi me kreun e komunës. Më pas, fjalimi para sheshit
Masat e sigurisë
Masat e sigurisë do të jenë tepër të larta në Beograd gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama. Gazeta serbe Kurir shkruan se do të jenë në të njëjtin nivel si gjatë vizitës së presidentit Vladimir Putin, zëvendës presidentit amerikan Biden apo ish sekretares së Shtetit, Clinton. Kjo për faktin se serbët nuk e kanë harruar ende incidentin e 14 tetorit në stadiumin e Beogradit.
Gazeta thotë se këto masa janë normale kur bëhet fjalë për vizitën e kryeministrit të një vendi tjetër, që e viziton për herë të parë Beogradin. Sipas Kurir, nga ambasada shqiptare në Beograd është pohuar se Rama do të qëndrojë në hotel Hyatt.
Nga Lapsi.al mësohet se në ruajtjen e sigurisë së Ramës do të angazhohen edhe forca speciale shqiptare. Të paktën 20 forca speciale shqiptare janë në Serbi prej të dielës. Ata do të vendosen në Preshevë dhe do ta presin kryeministrin Rama atje. Do të angazhohen vetëm për sigurinë e tij në këtë pjesë të vizitës. Gjithçka duket se po koordinohet nga forcat serbe të sigurisë. Forcat shqiptare të sigurisë do ta shoqërojnë më pas kryeministrin edhe në kthim, që do të jetë në rrugë tokësore, nga Kosova.
Angazhimi i forcave të një vendi për të siguruar mbrojtjen e kryeministrit të tyre është një praktikë e njohur. Kur Erdogan vizitoi Shqipërinë, për shembull, të paktën 40 forca të sigurisë së Turqisë e shoqëruan.
Rreth 200 gazetarë të akredituar
Vizita e Kryeminsitrit shqiptar Edi Rama në Serbi ka ngjallur interesin jo vetëm të medias së të dy vendeve por edhe asaj ballkanike dhe europiane.
Kjo për faktin se përbën një eveniment historik, pasi prej 60 vitesh nuk ka një vizitë diplomatike të nivelit të lartë. Siç bën të ditur për “Presheva Jonë”, Suzana Vasileviç, shefe e kabinetit të qeverisë serbe, rreth 200 gazetarë janë akredituar për të ndjekur këtë vizitë.
Nga ky numër i madh gazetarësh të akredituar, numërohen rreth 50 shqiptarë, 30 vetëm nga Tirana, që do të përcjellin hap pas hapi vizitën e Ramës.