in

Ksenofobia. Miti i të huajit dhe miku i padëshirueshëm

Në latinisht, e njëjta fjalë “hostis” do të thotë qoftë i huaj, qoftë armik, qoftë mik. Vetëm më vonë shfaqet fjala “hospes” me kuptimin e mikut.
Gjë që tregon se marrëdhënia me të huajin lëkundet, për natyrën e vet, mes një ekstremi “ospitale” (mikpritës) dhe një ekstremi “ostile” (armiqësor). Dhe pikërisht për këtë dyvlershmëri ai formësohet me kujdes.
Nga Marino Niola

Tërbimi kundër emigrantëve fryhet furishëm si një dallgë. Shoqëria jonë duket e përshkuar nga dëshira e pafrenueshme për të nxjerrë jashtë çdo trup të huaj. Duket tashmë i kapërcyer pragu përtej të cilit prania e të huajve perceptohet si një arsye alarmimi. Një rrezik jashtë çdo kontrolli. Faktet janë të reja, por çështja është e lashtë. Në kronikat e këtyre ditëve ndihet në fakt jehona e thellë e problemeve dhe e fjalëve që vijnë nga larg, shumë larg, nga ajo botë romake dhe greke bij të të cilës jemi, në të cian lindin vlera e parime që akoma sot e kësaj dite shfaqim. Është rasti i emrave që përdorim për të folur për marrëdhënien më të huajin, për frikërat që ai na ngjall dhe në të njëjtën kohë për nevojën e mikpritjes. Terma si “straniero”, “ospite”, apo “nemico”, që për në italisht kanë sot kuptime të dallueshme, në herë të herës ishin të lidhur ngushtë mes tyre. Që është fjala për një lëmsh problemesh të pandashme e vë në dukje edhe konfuzioni, vetëm në dukje, i gjuhës italiane që me “ostite” përcakton qoftë mikun qoftë mikpritësin.

Në raste të veçanta fjalët flasin vetë e na thonë që jemi përballë figurash dhe çështjesh të gërshetuara në mënyrë të pandashme që nga fillimet e qytetërimeve indoevropiane. Në latinisht, e njëjta fjalë “hostis” do të thotë qoftë i huaj, qoftë armik, qoftë mik. Vetëm më vonë shfaqet fjala “hospes” me kuptimin e mikut. Gjë që tregon se marrëdhënia me të huajin lëkundet, për natyrën e vet, mes një ekstremi “ospitale” (mikpritës) dhe një ekstremi “ostile” (armiqësor). Dhe pikërisht për këtë dyvlershmëri ai disiplinohet me kujdes. Dhe fjala greke “xenos”, para se të ketë kuptimin “i huaj”, tregon mbi të gjitha mikun. Kështu është, për shembull, në Iliadë apo në Odise. Kuptimet e ndryshueshme të këtyre fjalëve reflektojnë të panjohurat e marrëdhënies me tjetrin, marrëdhënie e pasur në mundësi, por edhe në gracka. Faktor rritjeje por edhe mjet ndotjeje.

Miti grek – që nga thellësitë e largëta vazhdon të zgjedhojë kohën tonë në “të tashme të shkuar të plotë” – përshkruan pikërisht me termin epidemi ritualet e celebruara për mbërritjen e të huajve. Si Dionizi, simboli i lëvizshmërisë dhe i tharmit jetik.

Dionizi ishte për grekët mishërimi i të huajit. Zoti që vjen nga larg. i papritur, i panjohur dhe shpesh i padëshirueshëm. Një zot epidemik, në kuptimin më të thellë të termit. Sipas antropologut të famshëm të botës së lashtë Marcel Detienne, termi epidemi, fillimisht nuk i përkiste fjalorit të mjekësisë, por atij të fesë arkaike dhe përdorej pikërisht për të treguar shfaqjen e papritur të një prezence të panjohur. Dionizi hynte papritur në jetën e Grekëve si një mik i paftuar, i sjellë nga dallgët me një mjet lundrimi të rastit, një karakatinë deti.

Ritualet që e celebronin, të ashtuquajturat epidemi dioniziake, shpesh konsistonin në vënien në skenë të një pritjeje të keqe të zotit, barka e të cilit fillimisht sprapsej. Riti ngarkohej më një domethënie të thellë politike dhe shoqërore, duke përpunuar ëndrrat dhe makthet e qytetarit grek sepse përfaqësonte rrezikun dhe në të njëjtën kohë edhe nevojën e mikpritjes, çrregullimin dhe pasurinë e ndotjes. Ose, siç do të thuhej sot, rreziqet dhe të mirat e zhvillimit.

Dhe, nëse zbarkimi i Dionizit quhej epidemi, një nga emrat e Venusit, perëndisë së shkëmbimit erotik dhe të kontaktit mes trupave, ishte Pandemia. Një emër që mbartte në vete gjithë dyfishësinë tinëzare të shkëmbimit. Që është kontakt por edhe kontaminim. Një dykuptimësi e fotografuar pastër në gjuhën e sotme që përdor akoma fjalë  si “veneree” për të përcaktuar pasojat e dashurisë. Zoti epidemik dhe perëndia pandemike përfaqësonin simbolet e forcës jetike të përzierjes, por edhe rreziqet e saj. Të mirat dhe të këqijat e rritjes ekonomike dhe kulturore. Është befasuese se si miti ia arrin që ne të interpretojmë e të kuptojmë të tashmen me qartësinë e një fotograme fillestare që ndriçon thellësitë e qenies individuale dhe kolektive, duke vezulluar një të vërtetë që i shpëton fakteve të kronikave dhe shifrave të statistikave.

“Ostilità”, “ospitalità”, “xenofobia”. Fjalë që përdoren edhe sot e kësaj dite për të folur për veten dhe për të tjerët burojnë nga e njëjta bërthamë kuptimesh të cilat që prej lashtësisë shprehin të gjithë problematikën e hapjes ndaj të huajve. Hapje që është gjithsesi e domosdoshme, tani ashtu si edhe atëherë. Por gjithnjë me kushte të caktuara. As Grekët mikpritës të mëdhenj nuk mirëprisnin gjithkënd e kurdoherë. Dhe dallonin me kujdes të drejtat dhe detyrimet e të huajit të bujtur nga statusi i të panjohurit të thjeshtë. I klandestinit, azilantit, homeless-it, sans-papier-it, për ta thënë me fjalët e sotme.

Dje ashtu si sot marrëdhëniet mes nesh dhe të tjerëve kapërcejnë faza që varen nga shëndeti i ekonomisë dhe nga forca e lidhjes shoqërore. Duke alternuar sistola e diastola, tkurrje dhe bymime të mikpritjes. Siguria dhe mirëqenia i bëjnë të gjithë njerëzit më solidarë. Në të kundërt, sa më shumë rritet ndjesia e pasigurisë, aq më shumë shihet tjetri si armik i mundshëm. Sepse kur kihet frikë gjithçka fëshfërin, thoshte Sofokliu. Dhe ndjesia e të qenit të rrethuar na mbyll mendjen dhe zemrën.

 

“Ju rrëfej si mendon një ksenofob”

Ne, mysafirë të një Europe që na sheh me dyshim