in

Kthehem në atdhe. Sa mund të qëndroj pa rrezikuar të humb lejen e qëndrimit?

Jam i huaj me qëndrim të rregullt në Itali e duhet të shkoj për njëfarë kohe në atdhe. Sa mund të qëndroj atje pa humbur lejen e qëndrimit?

Qytetarët jokomunitarë, me leje qëndrimi të vlefshme, mund të largohen përkohësisht nga territori Italian, ashtu si edhe titullarët e një lejeje BE për qëndruesit afatgjatë.

Largimi i të huajit nga territori italian lejohet nga ligji por brenda disa kufijve kohorë maksimalë që janë të ndryshëm në bazë të kohëzgjatjes së dokumentit të qëndrimit që ka. Nëse kapërcehen këta kufij kohorë, i huaji mund të hasë probleme në fazën e përtëritjes apo të përditësimit të dokumentit të qëndrimit.

Titullari i lejes së qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë (e ashtuquajtura kartë qëndrimi) mund të qëndrojë jashtë territorit të Bashkimit Evropianpër një periudhë të vazhdueshme maksimale prej 12 muajsh. Nëse qëndron jashtë për më shumë se kjo periudhë, me ligj mund t’i hiqet dokumenti i qëndrimit (neni 9, paragrafi 7, germa d) e Dekretit Legjislativ 286/98).

Kush ka një leje qëndrimi të zakonshme për punë, motive familjare, studime etj. mund të qëndrojë jashtë Italisë për periudha më të shkurtra.

Nëse leja e qëndrimit është njëvjeçare, nuk mund të qëndrohet jashtë për më shumë se gjashtë muaj rresht. Nëse leja e qëndrimit është dyvjeçare, koha maksimale e qëndrimit jashtë territorit Italian është sa gjysma e periudhës së vlefshmërisë së lejes së qëndrimit, pra një vit (neni 13, paragrafi 4, DPR 394/99).

Vetëm nëse i huaji ka qenë i detyruar të qëndrojë për periudha më të gjata se të sipërpërmendurat jashtë territorit të Italisë për motive të rënda të dokumentuara si për shembull shtrime në spital apo kura rehabilitimi, apo për të kryer shërbimin ushtarak, ai ka të drejtën e përtëritjes së lejes së qëndrimit. Do të jetë e rëndësishme, sidoqoftë, të ruhen të gjitha dokumentet që dëshmojnë arsyet e qëndrimit të gjatë jashtë Italisë, madje ato duhet të jenë edhe të përkthyera e të legalizuara pranë Konsullatave italiane.

Nëse leja e qëndrimit skadon ndërsa i huai gjendet jashtë Italisë, ai mund të rihyjë duke kërkuar një vizë rihyrjeje pranë konsullatës italiane në Vendin ku ndodhet. Kujdes: leja e qëndrimit nuk duhet të ketë skaduar prej më shumë se 60 ditë. Vetëm për motive të rënda shëndeti të të interesuarit, të bashkëshortit apo të një të afërmi të gradës së parë (prindër apo bij) i huaji mund të kërkojë vizën e rihyrjes deri gjashtë muaj nga skadimi i lejes së qëndrimit.

Për kërkesën për vizën duhet paraqitur leja e qëndrimit e skaduar dhe  konsullata do të verifikojë vërtetësinë e saj pranë Kuesturës që e ka lëshuar.

Viza e rihyrjes mund të kërkohet edhe kur qytetarit jokomunitar i është vjedhur apo i ka humbur dokumenti i qëndrimit, me kusht që të ketë denoncuar faktin pranë zyrave kompetente të shtetit ku ndodhet.

Avv. Mascia Salvatore

Shtetësia italiane. Nga 18 maji kërkesat online në të gjithë Italinë

Politica e questione morale in Albania