in

Kthehen në kufi 750 shqiptarë që donin të shkonin në zonën Shengen

Ministria e Brendshme: “Po forcojmë masat e kontrollit në kufi për të mos lejuar që shtetasit shqiptarë të shkelin regullat e lëvizjes pa viza në zonën Shengen. Policia e Shtetit ka nisur hetimet mbi raste të mundshme trafikimi të qënieve njerëzore”

Tiranë, 14 prill 2015 – Është një fakt i pakundërshtueshëm që janë akoma të shumtë shqiptarët që duan të largohen nga vendi. “Gjatë 72 orëve të fundit, Policia e Shtetit u ka refuzuar të drejtën e udhëtimit në zonën Shengen rreth 750 shtetasve shqiptarë për të cilët rezultonte se kishin shkelur rregullat e udhëtimit në zonën Shengen” shkruan sot ATSh.

Në një komunikatë zyrtare të botuar më 10 prill, ministria e Brendshme shkruan se “është absolutisht e pamundur, fitimi i azilit në çdo vend të BE-së”. Ministria u kujton të gjithë qytetarëve që duan të ndërmarrin një udhëtim në Shengen se janë të detyruar që përveç paraqitjes së dokumentacionit të udhëtimit, të shpjegojnë edhe itenerarin, qëllimin e udhëtimit, si dhe garancitë financiare të kërkuara. “Policia e Shtetit ka rritur masat e kontrollit në Pikat e Kalimit kufitar – shkruhet në komunikatë – për evidentimin e plotë të dokumentacionit dhe përmbushjen e të gjitha kritereve për udhëtimin e qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen”.

Në të njëjtën komunikatë ministria e Brendshme pohon se “po konsideron maksimalisht të dhënat paraprake mbi mundësitë e një skeme mashtrimi për udhëtimin në zonën Shengen, me qëllim final kërkimin e azilit në vendet e BE-së”, dhe se “Policia e Shtetit ka nisur hetimet mbi raste të mundshme trafikimi të qënieve njerëzore, me qëllimin evidentimin e çdo rrjeti apo skeme mashtruese për përfitimin e azilit”.

“Nga ana tjetër, – vazhdon komunikata – në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtare janë marrë të gjitha masat për mos lejuar, kthyer dhe ndjekur penalisht në zbatim të legjislacionit në fuqi, çdo shtetas shqiptar që abuzon me të drejtën për të udhëtuar në zonën Shengen, duke kërkuar në mënyrë të padrejtë azil politik”.

E të dhënat e vendeve evropiane mbi azil-kërkuesit shqiptarë nuk janë aspak inkurajuese. E përditshmja Tema sjell shifrat e azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani për tre muajt e parë të këtij viti. Sipas saj, në janar kanë kërkuar azil në atë vend 1.648 shqiptarë, në shkurt 1.794 dhe në mars 3.020.

Lexo edhe: Eksodi i kuksianëve drejt Europës

Klaudia Pepa, nga ‘Gjeniu i vogël’ mes ‘Miqve’ të Maria De Filippit

L’inte(g)razione avviene anche attraverso lo sport