in

Kthehet taksa e lejeqëndrimit, pezullohet sentenca e TAR-it

Këshilli i Shtetit pranon kërkesën e qeverisë për pezullimin e përkohshëm të efekteve të vendimit të TAR-it, pra për rivënien e taksës së lejeqëndrimit. Por pas një muaji gjithçka mund të ndryshojë sërish. Si do të sillen Kuesturat?

Romë, 15 shtator 2016 – Kundërurdhër, taksa mbi lejet e qëndrimit, nga 80 deri në 200 € paguhet sërish. Të paktën tani për tani e për ca kohë. Por pas një muaji mund të zhduket përsëri e mund të nevojiten akoma muaj e muaj të tërë për të mësuar nëse imigrantët mund t’i japin lamtumirën njëherë e përgjithnjë apo duhet të dorëzohen e ta paguajnë.

Është e lehtë të humbasësh në kaosin e mjegullën që tashmë sillet rreth kontributit të urryer të lëshimit e përtëritjes së lejes së qëndrimit, fillimisht të hequr nga TAR por të ringjallur dje nga Këshilli i Shtetit. Ndaj është e udhës të bëjmë një përmbjedhje të serive të shkuara të kësaj historie.

Në maj, pas një beteje të gjatë legale që përfshiu edhe Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, TAR i Lazios pranoi ankimin e patronatit Inca dhe sindikatës Cgil kundër kontributit për lëshimin e përtëritjen e lejeve të qëndrimit. Gjykatësit vendosën që ai kontribut është i paligjshëm sepse i tepruar dhe në shkelje të normave evropiane, ndaj nuk duhet paguar.

Për javë me radhë ministria e Brendshme bëri veshin shurdh, por më në fund iu desh t’i përshtatej sentencës së gjykatës dhe t’u thonte të gjitha kuesturave që të pranonin e të shqyrtonin kërkesat e paraqitura pa kontributin. Mbetej gjithnjë e hapur çështja e rimbursimit, shteti duhet t’u kthente migrantëve paratë e marra padrejtësisht për vite me radhë. Jo pak, por rreth gjysmë miliardi euro.

Por në fillim të shtatorit, qeveria paraqiti ankim në Këshillin e Shtetit për të anuluar sentencën e TAR-it, pra për të risjellë në fuqi kontributin mbi lejet e qëndrimit. U kërkoi gjithashtu gjykatësve që para se të merrnin vendim lidhur me ankimin, të pezullonin paraprakisht përkohësisht efektet e sentencës së TAR-it, për shkak të “pasojave jashtëzakonisht të rënda në planin operativ e financiar që ka”.

Dje Këshilli i Shtetit ka pranuar këtë kërkesë të fundit. Një dekret i presidentit të Seksionit të tretë, Luigi Maruotti ka pezulluar zbatimin e sentencës së TAR-it. Kështu që tani është sikur ajo sentencë të mos kishte ekzistuar dhe imigrantët janë të detyruar të paguajnë kontributin nga 80 deri në 200 € për lëshimin e përtëritjen e dokumenteve të qëndrimit, para që duhet t’u shtojnë 76,46 € që nuk kanë ndaluar së paguari.

Këshilli i Shtetit ka marrë këtë vendim urgjent, siç kërkonte qeveria, pa dëgjuar çka për të thënë INCA dhe CGIL, por ka vendosur një seancë për në 13 tetor, në të cilën sindikata e patronati do të marrin fjalën për të shpjeguar pse, sipas tyre, nuk ekzistojnë kushtet për të pezulluar efikasitetin e sentencës së TAR-it. Në fund të asaj seance gjykatësit do të marrin një vendim i ri me të cilin mund të konfirmojnë apo të anulojnë pezullimin e tanishëm.

Pra pas 4 javësh mund të ketë përsëri një kundërurdhër. Por për të thënë fjalën e fundit mbi këtë histori duhet pritur vendimi mbi ankimin e qeverisë që do të mbërrijë pas shumë javësh, në mos muajsh.

E ndërkohë, si të veprojnë Kuesturat? Ç’do të bëhet me praktikat e paraqitura këto kohët e fundit pa paguar kontributin? Përgjigjet mund t’i japë ministria e Brendshme, por që, deri tani, ka parapëlqyer të informonte sa më pak të ishte e mundur mbi këtë argument.

Elvio Pasca

Lexo edhe: Taksa mbi lejeqëndrimet. INCA: “Qeveria as do t’ia dijë për të drejtat e imigrantëve”

 

 

 

 

 

 

Taksa mbi lejeqëndrimet. INCA: “Qeveria as do t’ia dijë për të drejtat e imigrantëve”

Një avion me pilot italian ulet në Ishëm, dyshohet për trafik droge