in

Kthim në vendin e shqiponjave, në kërkim të eshtrave të babait

Romani “Ritorno al paese delle Aquile” i shkruar nga Aldo Renato Terrusi, është historia e të atit të vdekur burgjeve shqiptare gjatë komunizmit, eshtrat e të cilit, i biri dëshiron t’i gjejë e t’i sjellë në Itali. Libri u prezantua në Romë më 24 qershor

“Kam shkruar këtë libër për vete, për të kërkuar mbi të shkuarën time e shpresoj që ta arrij të sjell në atdhe eshtrat e tim ati që ka vdekur në burgun e Burrelit”. I ka të pakta fjalët Aldo Renato Terrusi, autori i librit “Ritorno al paese delle Aquile” (shtëpia botuese Besa), i prezantuar në Romë më 24 qershor.

Aldo Renato Terrusi është fizikan në pension dhe i paraqet publikut një vepër që udhëton mes gazetarisë, historisë e letërsisë së mirëfilltë. Ai la lindur në Vlorë në vitin 1945 nga prindër italianë, babai drejtor i Bankës italo-shqiptare në Vlorë, ndërsa e ëma, Aurelia,  ishte vendosur me familjen në Gjirokastër. Qyteti i gurtë ka qenë korniza e njohjes së Aurelies me Enver Hoxhën, i dashuruar marrëzisht pas saj dhe i vendosur të fejohej me të. E pikërisht kjo ndjenjë, jo reciproke, sipas autorit ka qenë arsyeja e dramës së familjes së tij. Në vitin 1936 Aurelia zgjodhi shokun e saj të jetës, italianin Giuseppe Terrusi, i cili menjëherë pas përfundimit të Luftës burgoset. Nuk del më nga burgu u Burrelit, ku vdes në vitin 1952.

Nga dokumentet dhe dëshmitë që autori ka mbledhur gjatë rrugëtimit të tij në Shqipëri, në kërkim të gjurmëve të historisë së tij familjare, ai është bindur se akuzat ndaj të atit për vjedhje të pasurisë së popullit dhe burgimi i tij në burgun e Burrelit kanë qenë thjesht një  hakmarrje e Enver Hoxhës ndaj gruas që kishte guxuar ta refuzonte. Faqe pas faqeje, përshkrimet e gjalla dhe të imëta, sjellin tek lexuesi Shqipërinë, shqiptarët, zakonet, kulturën, të shkuarën që për shkrimtarin është mjaft e hidhur. Por në libër nuk ka asnjë gjurme mllefi, ka njerëzi e kureshtje për të ditur se si kanë rrjedhur ngjarjet.

Aldo Renato Terrusi thotë se ka një lidhje të pashmangshme me Shqipërinë, ku shpreson të çojë këtë libër mallëngjyes, një histori e panjohur njerëzore, pjesë e historisë së përbashkët të dy popujve tanë.

Irida Cami

 

Vatra e ShBA-së do të bashkëpunojë me Kuvendin për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë

Sanatore me dy dëbime. Ministria e Brendshme thotë përfundimisht PO