in

Zoja e Shkodrës rikthehet në Katedrale pas restaurimit në Firence

Kryevepra e shekullit XIX, që i mbijetoi përndjekjes së regjimit komunist, u rishfaq e rilindur në Katedralen e Shkodrës. Sot ceremonia e prezantimit të veprës së reastaruar, në prani edhe të ministres së Kulturës, Kumbaro, dhe atij të Punëve të Jashtme, Bushati

Shkodër, 25 prill 2017 – 550 vjet nga dita kur ikona e parë e Pajtores së Shqipërisë, Zojës së Shkodrës, u përcoll nga Shkodra drejt Genazzano-s në Itali, kjo kryevepër e 1800-tës u rishfaq sot e rilindur në Katedralen e Shkodrës, falë bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës me laboratorët e ekselencës së institutit Palazzo Spinelli në Firence.

“Zoja e Shkodrës”, një kryevepër që i mbijetoi përndjekjes së regjimit komunist dhe kohës, u restaurua në Firence dhe u rikthye në Shkodër.

Duke marrë fjalën në ceremoninë që u zhvillua paraditen e së martës në Seminarin Ndërdioqezan Shqiptar “Zoja e Këshillit të Mirë” Shkodër, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro kujtoi momentin kur pa për herë të parë ikonën e “Zojës së Shkodrës”, në shtator 2015 në famullinë e Shën Shtjefnit, dhe vendimin e menjëhershëm për restaurimin e saj, si simbol jo vetëm i Shkodrës, por si pajtore e Shqipërisë.

“Gjithçka nisi në shtator 2015, kur ndeshëm në telajon e ikonës që na magjepsi me vështrimin ende të pashuar dhe përkuljen elegante, por edhe më tronditi jo pak pasi rrjepja e kohës dhe dhuna qoftë edhe metaforike që duhet ta kishte përplasur atë ikonë në vitet e errëta kur artin religjoz e burgosën pa e shuar, të gjitha këto flisnin më shumë se vetë ikona. Madona është një imazh tradicional i shenjtë dhe i interpretuar në të gjitha llojet e arteve pamore. Veprat e frymëzuara nga ky subjekt kanë Jezusin fëmijë në krahë, por ndryshe ishte ikona që pashë, dhe aty dëgjova historinë e Zojës së Shkodrës. Nuk i rezistova tundimit për ta prekur me dorë dhe aty për aty mora vendimin se Zoja e Shkodrës meritonte edhe identitet artistik, përtej atij shpirtëror që mbart”, tha Kumbaro.

Sipas Kumbaros, “nga ky moment filloi edhe ky udhëtim i dytë i Zojës, në fillim drejt Tiranës për ta restauruar edhe pse mundësitë tona për të restauruar telajo janë thuajse zero, prandaj marrëveshja me Firencen ishte një mundësi e shkëlqyer që vetëm do të përforcohej”.

 

“Ne e kemi ndjekur ikonën në proces e sipër restaurimi dhe jemi mahnitur nga kujdesi apo cilësia e punimeve. Nga pikëmpamja profesionale dhe bashkëpunimi ndërkulturor falënderoj të gjithë ekspertët e Firences, por mbi të gjitha Dom Arturin dhe Famullinë e Shën Shtjefnit, që na dorëzoi Zojën, duke na bërë të ndërgjegjshëm që nuk kishim marrë në dorëzim thjesht një pikturë, por kishim marrë në dorë gjithë Shkodrën, kryeqytetin e kulturës”, tha Kumbaro.

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati u shpreh se “ky përvjetor i 550-të i shpërnguljes së Zojës është paradoksialisht një moment për të kremtuar rikthimin e saj. “Një histori mistike, një parabol e përkryer e historisë të popullit tonë dhe sot mund të gëzohemi për restaurimin e kësaj pikture të Zojës. Dom Arturit i pëlqen të thotë se Zoja e Këshillit të Mirë është Kryezojë, Zoja e shpërngulur ishte natyrshëm Zoja e të arratisurve, e diasporës dhe e kurbetit”, tha Bushati.

Duke u ndalur te procesi i restaurimit, ai theksoi se restaurimi nuk mund të kuptohet pa procesin e dëmtimit. “Nuk mund të ketë rikthim në identitet pa pajtim me veten, sikundër nuk mund të ketë restaurim pa kuptuar dëmtimin. Vepra që na kishte mbetur ishte dëmtuar jo vetëm nga koha dhe kushetet e këqia, por edhe presioni i arratisë censuruese. Sot në këtë sallë nuk jemi të gjithë të të njëjtit besim, por duhet të ndiejmë të gjithë atë që sjell puna e përbashkët duke restauruar. Vendi ynë ka po ashtu nevojë për memorien kolektive të shtetndërtimit, shoqëria jonë ende po përjeton dëmtimin. Vetëm duke rigjetur momentet e shpresës dhe duke restauruar brenda vetes copëzat, vetëm në këtë mënyrë do të dalim nga marrëzia e dëmtimit dhe urrejtjes”, tha Bushati. (ATSh)

Leggi anche: La Madonna del Buon Consiglio, Patrona dell’Albania da secoli in esilio

Bashkimi familjar. Mund të sjell në Itali tim bir në moshë madhore?

Il sogno italiano dei disperati in cerca di Patria