in

Kuestura shkurton padrejtësisht kohëzgjatjen e lejeqëndrimit për pritje punësimi

Lejeqëndrimi duhet të zgjasë të paktën një vit, por në Milano kuestura ka vendosur të nisë llogaritjen nga çasti i humbjes së vendit të punës. Bove (Cisl): “Kështu shtohen të parregulltit”

Milano, 2 dhjetor 2015 – Humbasin vendin e punës, humbasin të drejtën e qëndrimit në Itali. Është goditja e dyfishtë që në vite krizë po godet rëndë shumë punonjës imigrantë.

Vetëm gjatë vitit 2014, mëse 150 mijë lejeqëndrime skaduan e nuk u përtërinë. Një pjesë e mirë ishte e pamundur të përtëriheshin sepse mbajtësit nuk kishin të ardhurat e mjaftueshme. Pak janë kthyer në atdhe, shumica kanë qëndruar në Itali duke shtuar radhët e të parregulltve.

Ligji parashikon një parashutë të vogël. Në fakt thotë që kush nuk ka më punë mund të ketë një leje për pritje punësimi me kohëzgjatje të paktën njëvjeçare. Një mënyrë kjo për të mos i dhënë menjëherë duart të huajit por për t’i ofruar pak kohë për të gjetur një punë tjetër. Një vit është pak? Me sa duket, po, pasi shumë edhe pas kësaj periudhe mbeten të papunë e nuk e përtërijnë dot më dokumentin e qëndrimit. Por disa kuestura arrijnë deri aty sa edhe këtë periudhë ta shkurtojnë akoma.

“Këtu në Milano kemi gjithnjë e më shumë raste të hedhjes poshtë të kërkesave për përtëritje. Madje për ato për pritje punësimi po zbatohet një rregull që penalizon akoma më shumë të huajin: kuestura nis llogaritjen e vitit nga çasti i ndërprerjes së marrëdhënies së punës e jo nga çasti kur skadon lejeqëndrimi i mëparshëm për punë” denon con Maurizio Bove, përgjegjës imigracioni i sindikatës Cisl.

Me këtë llogari, lejeqëndrimet për pritje punësimi mund të jenë të vlefshme vetëm për pak muaj ose, nëse një vit si i papunë ka kaluar, as që jepen fare. Sindikata, që denoncon edhe interpretime të tjera shtrënguese e që ndryshojnë edhe nga një komisariat në tjetrin, ka hapur disa çështje gjyqësore.

“Është një shtrëngim absurd – vë në dukje Bove – që shkon në të kundërt të integrimit. Sulmohen të papunët dhe fryhen edhe më shumë radhët e imigrantëve që kthehen në të parregullt”.  

Pa asnjë faj, imigrantët e rregullt kthehen në të parregullt e shpresojnë në një sanatore apo dekret fluksesh që mund t’i kthejë sërish në të rregullt. Por kjo pritje mund të zgjasë edhe vite e ndërkaq, i vetmi burim të ardhurash mbetet puna në të zezë.

Elvio Pasca

 

 

 

Sa kohë duhet kaluar në Shqipëri nga një udhëtim Schengen në tjetrin për turizëm?

Ftesa për turizëm ose deklarata e mikpritjes. Çfarë është e si bëhet?