Nga Aurel PLASARI
Kulturës së thashethemit, që po lulëzon në Shqipëri prej më se njëzet vjetësh, i shtohet zëri i një kurbetçiu të cilit as emrin nuk ka vlerë t’i përmendësh. Bën pjesë në tipologjinë e njohur të atyre që, siç e përshkruan një miku ynë, mbasi kanë dështuar të identifikohen me diçka pozitive në këtë botë, gjejnë një nga mënyrat më të neveritshme për t’i bërë marketing vetes: duke përgojuar të tjerët. Këtë kurbetçi e paskësh bezdisur jehona e botimit dhe promovimit në Itali të vëllimit të librit të kujtimeve të At Zef Pllumit “Il sangue di Abele”, posaçërisht promovimi i saj në Senatin e Republikës së Italisë prej Silvio Berluskonit. Prandaj, që nga kurbeti, ka lëshuar diatribat e fëlliqura në më shumë se një të përditshme të Tiranës. Në qoftë fjala për teprí të Kavalierit me promovimin e librit në fjalë dhe orvatje të tij për të nxjerrë përfitime prej një vepre si ajo e Kujtimeve të At Zef Pllumit, ato rezerva i kam vënë vetë në dukje në një bisedë në “Vizion +” qysh të pasnesërmen e veprimtarisë së zhvilluar në Senat. Pra, për tepritë e Silvio Berluskonit në veprimtarinë në fjalë kurbetçiu nuk thotë ndonjë gjë të re dhe është i vonuar në krahasim me mua. Për më shumë, për Silvio Berluskonin kanë të drejtën të shprehen ata dhjetë milionë italianë që e votojnë dhe ata miliona të tjerë që nuk e votojnë.
E reja në diatribat e fëlliqura të fëlliqura është kapja tinëzare e rastit për diç tjetër: për të përgojuar jo vetëm Silvio Berluskonin, por edhe të afërmit e At Zef Pllumit, edhe bashkëpunëtorët e tij, edhe miqtë e tij, kinse këta po përfituakëshin “në kurrizin e plakut” – kështu shkruan – për poste a përfitime a për çfarë e di vetëm një fantazi e mbrapshtë. Lexuesit me të drejtë mund të kenë pyetur: Po nga i di kaq mirë kurbetçiu punët e At Zef Pllumit? Afritë e tij? Bashkëpunimet e tij? Miqësitë e tij? Me këto farë “studimesh” qenkësh marrë në kurbet? Ky, lexues, i di këto pikërisht nga kultura e thashethemet, – dhe këtë term e kam pikërisht prej At Zef Pllumit, – me të cilën ushqehen jo rrallë mediat që e parapëlqejnë një ushqim të tillë të ndyrë. Ndër këta që po përfituakëshin “në kurrizin e plakut” kurbetçiu përmend sidokudo kalimthi edhe drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, që për çdo lexues i bie të jem unë vetë.
Që kurbeti, pos shumë traumash të tjera, shkakton ndër disa kurbetçinj edhe probleme psikike, kjo dihet dhe meriton vetëm keqardhje. Por kur shkakton edhe probleme të rënda të karakterit dhe, që nga kurbeti, i nxit të përfshihen në kulturën e thashethemit, në këtë rast kurrfarë keqardhje meritojnë për këtë deformim. Do të doja të ma mirëkuptonin termin e “kurbetçiut” shumë miq të mi të mërgimit, ngase edhe unë i kam mirëkuptuar: mërgimi në vetvete është rrugë e vështirë. Vetë njëri ndër më të mëdhenjtë e të mërguarve, Solzhenicini, a nuk pati thënë që “mërgimi është një rrugë për askund”? Ndërsa kurbetçiu është mërgimtar, është specie tjetër. Dhe si i tillë ai përfaqëson një nga ato raste kur, përveç dëmit që synojnë të bëjnë, nxisin diç të mirë: hapjen e letrave dhe thënien e të vërtetave sipas parimit “sa më shumë përsëriten gënjeshtrat, aq më shumë duhen pohuar të vërtetat”.
Bashkëpunimi i At Zef Pllumit me Aurel Plasarin kurrfarë lidhjeje nuk ka me “drejtorin” e Bibliotekës Kombëtare. Njohja e tyre daton në dhjetorin e vitit të hershëm 1990 dhe është bërë me nismën e vetë Françekanit tanimë të Madh, sikurse e ka treguar disa herë në intervista të tij. Por: e ka treguar për ata që e kanë lexuar. Madje shkasin e ka dëftuar gjerë e gjatë edhe në njërin nga librat e tij kur më 1996 ka treguar për një ngjarje të veçantë të dhjetorit 1990, përkujtimin e 50vjetorit të Gjergj Fishtës si vijon:
“Ndërkohë për Poetin po afrohej 50vjetori i vdekjes. Atëherë nji grusht intelektualësh shqiptarë, të pamvarun prej partive e politikave, të gjithë të nji breznie të re, menduen me e hapë sherrin me ‘vijën e partisë’ në letërsi dhe arte: vendosën që 50vjetori i vdekjes së At Gjergj Fishtës ma nuk duhej kalue në heshtje. Ishin Aurel Plasari, Skënder Buçpapaj dhe Rudolf Marku […]. Në mure u ngjit njoftimi për ‘përkujtimin’ e Fishtës me 28 dhetor 1990; nji njoftim i habitshëm, për herë të parë i nënshkruem me formulën demokratike gati të harrueme: ‘nga nji grup dashamirësh të poetit’ […]. Fjalët me të cilat A. Plasari mbyllte pleduarinë e tij këtu e gjashtë vjet ma parë ishin domethënëse: ‘Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes së tij fizike e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifikisht të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë. Na bie neve, breznisë që do të përgjigjemi tash e tutje edhe për respektin ndaj traditës sonë letrare, t’ia japim asaj votën e dashurisë. Jo me fjalë. Ta mbrojmë këtë jetëgjatësi duke ia shtypur e rishtypur pjesën më të mirë të kësaj vepre e, sidomos, duke rregulluar marrëdhëniet e saj me historinë e letërsisë. Unë do të thosha: Jo duke i dhënë Fishtës vendin që i takon, por duke i kthyer historisë së letërsisë atë çka i mungon’”. (At. Z. Pllumi, Françeskanët e mëdhaj, f. 2627).
Lidhjen e kësaj njohjeje të hershme të At Zef Pllumit me të mëvonshmin drejtor të Bibliotekës Kombëtare, nga njëra anë, dhe me hipokrizinë e mundshme të Silvio Berluskonit më 2014 vetëm një mendje e degraduar mund ta prodhojë. Jo vetëm sepse janë 23 vjet në mes, më 1990 kur Aurel Plasari as kishte në mend të bëhej “drejtor”. Por sepse ajo njohje shënonte fillimin e një bashkëpunimi të gjatë dhe fort të ngushtë, që do të kishte për kurorë të parë themelimin e edicionit të ri të revistës emërmadhe “Hylli i Dritës”, revistë e ndodhur ende sot shënjestër të xhihadistëve të vjetër dhe atyre rishtarë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Fort i kujdesshëm për të vërtetat historike, këtë fragment historie vetë At Zef Pllumi e ka dëshmuar kështu:
“Në vitin 1993, me iniciativën e nji grupi të vogël intelektualësh, të kryesuem prej A. Plasarit, u fillue së rishti botimi i rrevistës ma të parë të kulturës shqiptare, themelue në vitin 1913 prej At Gjergj Fishtës, ‘Hylli i Dritës’, e mbyllun përdhunisht prej pushtetit komunist në dhetor 1944″(po aty, f. 28).
Kultura e thashethimit, në të cilën ligësia ndërzehet me smirën e zezë, ajo po: mund të sajojë histori recente për ndonjë drejtor të Bibliotekës Kombëtare që po përfituakësh “në kurrizin e plakut”. Aurel Plasari sigurisht që ka përfituar prej Françeskanit të Madh, madje ka përfituar shumë, vetëm se në një kuptim që asnjë xhihadist nuk mund ta rrokë. Këtë përfitim mund ta kuptojnë ata që kanë ndenjur, madje jetuar, pranë At Zef Pllumit. Dhe Aurel Plasari ka qenë ndër ata që ka përfituar jo kur ka qenë “drejtor”, – do të kishte qenë shumë vonë, – por qysh shumë herët. Gjatë vitesh të tëra kur mori përsipër ta mbështeste Atin françeskan në shumë nisma të tij kulturore, ndër to edhe në redaktimin e Kujtimeve të tij të përfunduara tanimë në veprën monumentale “Rrno për me tregue”. Madje shpesh, sikurse është treguar më se një herë, duke bujtur për kohë të gjata në Hospicin e Kuvendit Françeskan për të ndjekur fashikull mbas fashikulli shkrimin e Kujtimeve dhe redaktimin për shkak të brengës së autorit se mund të vdiste pa i mbaruar ato… Miqtë e përbashkët e dinë se më ka qëlluar për kohë të gjata të ulesha në tryezë me të tri herë ditën dhe të mësoja prej tij pjesë ndër më interesantet të historisë së kulturës shqiptare, pjesë ndër më të errëtat të politikës shqiptare, por edhe të njihja vise ndër më të mahnitshmet të Shqipërisë në rastet e shumta kur udhëtova me atë shtegtar të pasionuar në të katra anët e Shqipërisë etj. Njëri nga miqtë tanë të përbashkët, ishstudent i Dhjetorit, Shpend Jeshnica, më ka kujtuar mes të tjerash në një koment në FB edhe një situatë që nuk e kam ditur dhe që sot kur e mësoj më emocionon: “Mbaj mend një pasdite te shtëpia ku rrinte At Zefi. Na kishte ftuar si nipa të tij. Ishte Lulzim Gjekmarkaj, Agron Gjekmarkaj dhe unë. Kur po bisedonim na tha: Mos bani zhurmë kur të flisni, Aureli asht duke pushue dhe ka tre dit që po punon ditë e natë. Do ndihesha i lumtun në qoftë se nji ditë do ju shof duke ndihmue Aurelin në punën që po ban”. S’ka njeri në botë që mundet me baltosë atë lidhje të ndërtuar nëpërmjet respektit dhe mirënjohjes mes At Zefit dhe Aurel Plasarit. At Zefi të konsideronte mik, bashkëpunëtor, shok dhe njeri shumë të afërt. Ti ishe i vetmi në ato kohë që dita dhe nata s’kishin të ndarë në shtëpinë e At Zefit. Në atë kohë ti ishe familja e tij. Respekt për ty, Aurel, për ndihmën që i dhe At Zefit”. Prej këtyre marrëdhëniesh të ngushta bashkëpunimi lexuesit mund të kenë nënkuptuar diçka nga Parathënia që kam shkruar më 1995 për Kujtimet e tij, tanimë edhe e ribotuar me titullin e njohur “Nën këmishën e hekurt të kujtimeve”. Që më pati besuar atë Parathënie, e kam quajtur dhe e quaj ende sot nder të jashtëzakonshëm. Dhe që thashethemexhinjtë e kurbetit t’i zhvesh cullak me mllefin tyre prej xhihadistësh që kinse i qajnë hallin “plakut”, ja ku po detyrohem të sjell këtu për herë të parë në faksimile vetëm njërin ndër kushtimet që më ka lënë në vëllimin II të sapobotuar të veprës monumentale “Rrno për me tregue”:
“Aurelit,
me dashuní, respekt e falnderime për mundin e madh derdhun në ketë libër. Z. Pllumi, 25 – XII – 1997”.
Tani më bie të pyes: Përse i shqetëson kurbetçinjtë e kulturës së thashethemit prania ime në Sallën e Senatit të Republikës së Italisë, në ceremoninë e promovimit të botimit në italishte të një vepre të rëndësishme të kulturës shqiptare me të cilën kam qenë i lidhur jo vetëm si bashkëpunëtor dhe mik i autorit, por edhe si redaktor i saj dhe autor i Parathënies së saj? Madje edhe kurrfarë lidhje të mos kisha në atë vepër, praninë time në atë ceremoni do t’ia detyroja për bukuri Urdhrit të Meritës të Republikës së Italisë që mund ta mbaja në kraharor, po të ma kishte ënda. Të kisha munguar në atë ceremoni, prestidigjatorët e kulturës së thashethemit do shqetësoheshin për të kundërtën: Përse mungoi vallë në atë ceremoni Aurel Plasari? Për ta mjafton që të gjejnë shtigje të liga për t’ia bërë marketingun vetes duke denigruar At Zef Pllumin dhe veprën e tij.
Shtigje të tilla i çojnë të përgojojnë deri edhe nipat e At Zefit. Si guxojnë? Nipat e At Zefit janë bërë copash për të sa ishte gjallë, e kanë rrethuar dhe ruajtur jo si truproja, por si shpirtroja të tij. Për mua vetë kanë qenë dhe mbeten ndër miqtë më besnikë. Po përfituakëshin nipat prej emrit të At Zefit?! Po afërmendsh që po: At Zefi nuk u la as çifligje, as pallate, u la pikërisht emrin e nderuar dhe të lavdëruar. A mos i bren kurbetçinjtë ndonjë brengë për emrat që mund të kenë trashëguar vetë?
Po ato shtigje i çojnë të përgojojnë edhe një shkrimtar të madh të shqiptarëve: Jo po s’e ka marrë Nobelin, jo po as ka për ta marrë ndonjëherë. Ç’lidhje kanë këto përgojime meskine me jetën dhe veprën e At Zef Pllumit? Marrëdhëniet e tij me intelektualët, të mëdhenj ose të vegjël, kanë qenë gjithnjë zgjedhje të vetë Françeskanit të Madh. Të tilla qenë ato me shkrimtarin që përgojohet. Ç’zekth i ngacmon kurbetçinjtë? Ata nuk do të mundin kurrë që At Zef Plumit t’i ndërtojnë një portret siç do ta donin ata: Françeskani i Madh ishte ashtu siç ishte: njeri i lirë. Po ta shtjelloja edhe më e të nxirrja, fjala vjen, foto nga koleksionet e mia, do të botoja një foto në të cilën At Zef Pllumi, në vjeshtën e vitit 1998, çapitet në kalldrëmet e Voskopojës tok me z. Servet Pllumi, i cili i ka shkruar krahun, gjatë pushimeve të simpoziumit ndërkombëtar “Voskopoja fenomen ballkanik”. Të dy qeshin: ndërsa At Zefi e quante me humor “marksist i madh”, prof. Serveti e quante “kushëri” duke lozur me mbiemrat e të dyve. Ky ishte Françeskani i Madh, ai që kur e pyetën për ndonjë “sekret” në mënyrën e të shkruarit të Kujtimeve të tij me aq sharm, u përgjigj që “sekreti” ishte vetëm një: “I kam shkrue pa inad”. Për mua, që kam ndeshur në jetë jo pak njerëz të mëdhenj, nga Shqipëria, Europa, madje edhe bota, At Zef Pllumi mbetet më e hapura mendje që kam njohur.
Dhe, meqë para rishtarëve xhihadistë të kulturës së thashethemit nuk ka më kuptim ruajtja e modestisë, po e flak atë tutje për një çast dhe, prej letërkëmbimit shumëvjeçar me Françeskanin e Madh, – ai do të botohet kur të fashiten rrethanat e mbrapshta të shoqërisë shqiptare, – po sjell po në faksimile vetëm njërën nga letrat e tij, si testament udhëpërçues që për mua është më i vyer se çdo dekoratë a urdhër nderi që kam marrë deri më sot:
“Paqë e të mira!
Shum i dashuni Aurel,
Më fal se po të shkruej pa tituj e pa grada shkencore, por vetëm sikur t’ishe djali em.
Të lumtë, të lumtë për shka ke punue deri më sot për naltimin e kulturës shqiptare! Uroj që kështu i palodhun në tanë jetën tande që ke para të vazhdosh, sepse vetëm kështu ajo merr kuptimin e sajë të naltë. Shoqnia shqiptare ka mangut nji çetë njerëzish si ti për në dashtë me hy në radhën e popujve tjerë të qytetnimit europjanoprendimor.
Megjithse pak si vonë, po t’i baj urimet e vitit të ri 1997 jo vetëm për lumtuninë tande në shtëpinë e re, por edhe për vepra tjera të suksesshme ndër lamijet e kulturës.
Me dashuninë ma të madhe Z. Pllumi. Tiranë, 4 Janar 1997”.
As në Shqipëri, as në kurbet nuk ka pjella bastarde që t’i bëjë pis ato marrëdhënie e atë bashkëpunim në të mirë të kulturës shqiptare. At Zef Pllumi nuk rron më. Por jemi gjallë ne që nuk do të lejojnë asnjëherë përgojimin tinëzar të veprës së tij, shkrim për shkrim, dhëmb për dhëmb. Kur të mos rrojmë më ne, do të jenë gjallë të tjerë që do të dinë t’i mbrojnë të vërtetat përkundër kulturës së thashethemit. Historia e kulturës shqiptare e ka konfirmuar tanimë këtë ligjësi trashëgimie. Besoj që kaq mjafton. Por, nëse do të duhet, kam edhe më. Në fund, për më të madhen kureshtje të lexuesit, po shënoj se kurbetçiu që ka marrë përsipër të përgojojë At Zef Pllumin, farefisin e tij, bashkëpunëtorët e tij dhe miqtë e tij, as që e ka lexuar veprën e Françeskanit të Madh “Rrno për me tregue”, së cilës guxon t’ia maskarallojë edhe titullin. Këtë ka pafytyrësinë ta pohojë vetë. A thua se vuan vepra e At Zef Pllumit nga mosleximi i një të pafytyri si ai.
Lexo edhe:
Vdis vetëm për me u tradhtue, ose Zef Pllumi në Lampeduza
Berlusconi presenta Padre Zef Pllumi, il francescano perseguitato dal regime comunista in Albania