in

Vdis vetëm për me u tradhtue, ose Zef Pllumi në Lampeduza

Nga Orgest AZIZI

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, tradhtimi
Kafshatë që të mbetë në fyt e të ze trishimi,
Kur sheh flokët e lyeme e ato pare t’pista
Tek përdhosin shpirtna e zgërdheshen nën drita.

E çuditshme është, jo pak, ngritja e parezistueshme e Zef Pllumit në kapital simbolik absolut, të ekspozuar ndaj përdorimesh (përdhosjesh) publike nga më të ndryshmet. A thua do të zbardhen ndonjë ditë nëndhesat e kësaj succes story, ku t’birtë ambiciozë të shekullit të parasë, që plakun s’mund ta linin në “shejtninë” e tij të vyer (lexo: të konvertueshme në kapital të çdo lloji), i vërshuan si çakej rreth e rrotull, për të ngritur në hero të kohës atë që më së shumti, që nga përvoja e jetës e deri te qëndrimi i tërhequr, që nga mungesa e renvanshit e deri të përkushtimi ndaj dëshmisë, ishte në kundërshti të plotë me tiparet dhe personazhet sunduese të kohës sonë: me platetë televizive, me kostumet firmato, me makinat e mëdha, me mafjen e biznesit dhe të ngjirurit për prona e për pushtet.

Territori i përvijuar kështu rreth kësaj figure të hiper-konsensualizuar, seç i përket një gjeografie të çuditshme, ku nën hyqmin e një « biznesmeni » të pushtetshëm të dalë nga « Zëri i Popullit », vijnë e mblidhen kandidati i përjetshëm për Nobel dhe drejtori i përjetshëm i një biblioteke që vetëm emrin e ka Kombëtare, « nipër » e « mbesa » që hipin në kurrizin e plakut për të arritur ndonjë post në ministri apo vende nëpër juri çmimesh letrare, kryetare kuvendi që shajnë presidentin e çojnë dhëndurët e pashkollë nëpër ambasada, pronarë, analistë, opinionistë e të tjerë pari, që vendosin, post-mortem, të japin një çmim (për miqtë e tyre) me emrin e plakut, kinse në homazh të tij.

Deri këtu, edhe figura e Zef Pllumit kishte rënë prè (e pritshme) e asaj alkimisë së fëlliqët që duket se është bërë normë te shqiptarët e tranzicionit, ku gjaku i të vrarëve (dhe derdhja shpesh e pazbardhur e tij) konvertohet fët e fët në pushtet, ofiqe e parà: gjaku i Azem Hajdarit në ndonjë liçensë avokatie, ai i të vrarëve për universitetin e Tetovës në sipërmarrje diplomash false, ai i dëshmorëve të UÇK-së në pishina me delfin kodrave rreth Prishtinës, ai i të vrarëve të Gërdecit e të 21 janarit në një gjysmë-alternancë banale pushteti. E kishim lënë (sh)përdorimin e fundit të këtij kryeshenjuesi publik (emblemë e lirë, me sa duket, nga çdo e drejtë autori dhe, pra, e « xanum », si përherë, nga më të fortët) te ky zaptim i fundit – që do të kish qenë thjesht bajat po të mos ishte pjesë e kësaj radhe të pandalur brengosjesh – ku bashkia e qytezës Shëngjin vendoste që, në edicionin e parë të ndarjes së çmimeve « At Zef Pllumi » (jo një, por disa, që të ketë për të gjithë), t’ia jepte njërin prej tyre një ish-spiuni të sigurimit, të vetërrëfyer si i tillë! Dhe ja ku na bie përsipër ky turp, duhma e ardhur nga përtej detit, që i rrafshon si kala fëmijësh në rërë manipulimet e vockla të mëtonjësve të provincës të mbledhur rreth emrit të madh, sikundër kreshnikët e Itakës së dikurshme rreth avlëmendit dhe sharmeve të Penelopës. Ia behu sërish Bajlozi flokëlyer me televizione dhe parà, që kësaj here kërkon shpirtin e një plaku të vdekur dhe jo më virgjëresha (ç’budallë që jam, sigurisht edhe ato, mbi të gjitha ato, siç ia tha troç kryeministrit tonë të qeshur): 12 milionë kopje të përkthimit italisht të Rrno vetëm për me tregue do t’u shpërndakan në çdo vatër italiane, nën kujdesin dhe nga xhepi i vetë Kavalierit të tronditur, që italianët të mësojnë se ç’bishë e egër vrastare është komunizma.

12 milionë kopje! Primo Levi t’i vijë anës, me meditimet e tij të dhembura deri në vetëvrasje mbi pasojat e krusmës totalitare ende deri sot, anës t’i vijnë Jean Améry gjithashtu i vetëvrarë, Imre Kertezsi megjithë Nobelin, Charlotte Delboo dhe Varlam Shallamovi, partizanët e internuar në kampet greke dhe nënat e të pagjeturve nga Kili dhe Spanja deri ne Kosovë, si dhe çdo dëshmitar tjetër i kampeve të përqendrimit, çdo viktimë e mbijetuar e nazizmit, stalinizmit apo (neo)fashizmave të çdo kontinenti, deri te afrikanët e ndjekur para do vitesh në « gjueti zezakësh » në jugun italian.

De profanatione

Gazeta, si përherë, nuk thotë më shumë. Mësoje dhe plas po deshe! As se si krisi kështu kjo rrufe në qiellin pa re. As se si u bë botues e zbulues talentesh letrare ky i dënuar multiprocesual, ky ish-kryeministër i zbuar nga parlamenti i vendit të vet. As se kush e autorizoi në emër të të vdekurit e kush i mbledh të ardhurat marramendëse të copyright-it, që duhet të arrijnë në dhjetëra miliona. Na duhet t’i marrim me mend vetë.

Dhe vërtet, sa lehtë mund ta përfytyrojmë Kavalierin, teksa tronditet, mes dy orgjish në vilën luksoze, i shtrirë ndoshta mes dy kofshësh dhe një gjoksi, duke shfletuar disa faqe të shpëtuara nga ferri përtej Adriatikut. Ndoshta një ditë ka harruar edhe flokët pa lyer nga pikëllimi. Me gjasë, e ka diskutuar me Kadafin idenë e ndonjë përkthimi të librit në Libi, si shpërblim për huazimin e metodës së bunga-bungas. Nga lumi i 12 milionë kopjeve, me siguri ka vendosur t’u dërgojë nga një me firmë personale ish-të mbyllurve në stadiumin e Barit, që i iknin naivisht ferrit aq bukur të përshkruar në libër, por edhe familjeve të të mbyturve të sotëm (të « mbyturit » pikërisht, siç thoshte Primo Levi: I sommersi e i salvati, te libri me nëntitull: « Auschvici 40 vjet më pas »), atyre që janë në gjyq pa krye kundër shtetit italian për fundosjen e Katrit të Radës; atyre të tjerëve, sa e sa të paemër, që dergjen thellësirave të Otrantos, atyre që qeveria e Kavalierit zemërlënduar donte t’i shpallte delinkuentë për shkelje kufiri dhe t’u hapte zjarr, se s’kishin fatin të ishin as femra të bukura e as priftërinj të vdekur.

Se ku e sheh hamshori i Milanos, aq shumë i interesuar për mbesën e liberalit Mubarak dhe miku për kokë (cilën nga ato?) i demokratit Kadafi, rrezikun e madh komunist t’i avitet Italisë, apo ndoshta dhe tërë botës së qytetëruar sipërmarrëse dhe katolike, një zot e di. Me siguri, rrethimi nga « gjykatësit e kuq » dhe laku që po i mbyllet përherë e më shumë, ia ka errur vështrimin, aq sa ta marrë shefin e brigadës financiare të Romës për sivëllanë e Aranit Çelës. Por s’është vetëm kjo. Fundja ai e di mirë se në Regina Coeli kanë rënë tashmë Adriano Sofri, Toni Negri apo Paolo Persichetti, ish-autonomët dhe brigadistët e kuq, por jo ai dhe të tijtë.

Përdorimi hiperbolik i librit të Zef Pllumit nga aleati i Lega Nord i takon atij privilegji të dyshimtë që i pati rënë për pjesë dikur edhe Hannah Arendtit apo Sollzhenicinit, kur analizat dhe dëshmitë e tyre, deshën s’deshën, u përdorën si armë ideologjike e Perëndimit më reaksionar në luftën e ftohtë kundër totalitarizmit (në rënie nga vafti e sipër) ; si ekrane për të maskuar e heshtuar ripodhimin e përditshëm të « jetës së zhveshur » (« vita nuda » : G. Agamben) në zemër dhe në skaje të Perandorisë demokratike (Vietnam, Afrikë, Kili, Irak dhe në të gjithë kufijtë e Europës së ndarë a të bashkuar); kur njëra dorë tundte Arendtin dhe tjetra vërviste nga avioni rrëketë e napalmit ose trupat e torturuar të sindikalistëve në det të hapur.

Para dy-tri vitesh, konvertimin mediatik të « biografisë » së Enver Hoxhës në duart e një historiani të improvizuar, megjithëse abuziv, mund ta shihnim, fundja, si një farsë të mjerë provinciale, të luajtur diku « në një cep të Ilirisë së poshtme », në të njëjtën kohë me hapjen e TEG-ut. Tekefundit, bëhej fjalë për vrasësin dhe vetëm familja kish të drejtë të lëndohej. Po këtë nëpërkëmbje shumëmilionëshe si ta quajmë? A ka vallë fjalë në tipologjinë e zhanreve që t’i shkojë? Tragjedi jo se jo, se ajo kërkon heronj dhe jo vemje krenare të mbushura me testosteron. Komedia është tepër e dhimbshme dhe nuk e kuptojmë se kë mund të bëjë për të qeshur. Ngurrojmë ta quajmë edhe cinizëm, për të mos i hyrë në hak filozofit të vjetër athinas, që Aleksandrit të Madh, mbretit të botës, i tha : « Hiqmu se më zure diellin! ». Po edhe dhunuesit e varreve e kanë një arsye, dhe të paktën fshihen e veprojnë natën dhe jo nën dritat katodike faqe botës (që ndjen turp).

Përdorimi i pavend (më e pakta) i librit të Zef Pllumit është i fëlliqët jo vetëm nga strategjia përfituese e Kavalierit, jo vetëm nga përdormi i tij si trofé, për t’u kthyer me duartrokitje unanime në Senatin nga ku e përjashtuan, jo vetëm si shashka e radhës për të tërhequr vëmendjen e opinionit dhe lustruar figurën e vet. Më e rëndë akoma është zhvatja, me armën e parasë, dhe shpërvetësimi i një populli të tërë nga një pjesë e vyer e pasurisë intime, nga dëshmia e së shkuarës së afërt që u takon të gjithëve (bashkëkombasve dhe gjithë njerëzisë), e që vlen pikërisht për sa që rri dhe bie jashtë sferës së interesit. I ndyrë dhe obsen është aneksimi i bujshëm (dhe pa luftë kësaj here) i një trashëgimie tri herë të brishtë : për nga mënyra e artikulimit dhe mbijetimit, për nga vdekja e autorit dhe për nga varfëria e popullit nga e cila ajo vjen; e ndyrë është, së fundi (po shtrirja e kësaj ndotjeje është pa fund), fjala e shkulur me zor përtej varrit, mobilizimi i pafre i veprës dhe kujtimit të të mbijetuarit për t’i shërbyer një kauze mëse të dyshimtë, suport i pavullnetshëm dhe i çarmatosur i një ideologjie jo më pak mashtruese. Atë që nuk e bëri dot komunizmi me dhjetëvjeçarët e burgjeve të veta, e bën Kavalieri (dhe ndihmësit e tij andej e këtej detit), duke e detyruar atë të flasë e të vihet në shërbim të ambicjes dhe pushtetit. Dy herë i vdekur plaku, si shumë të tjerë, dhe dihet se vdekja e dytë është më e rëndë se e para.

Varreza detare

Para disa vitesh, kur sivëllai francez i Berlusconit, presidenti Sarkozy, deshi të lyente imazhin e vet duke panteonizuar Albert Camus-në, familja e shkrimtarit e refuzoi një « homazh » të tillë, që vinte era interes elektoral, nga ai që ndërseu opinionin dhe lëshoi policinë e armatosur kundër rromëve dhe arabëve. Por skrupuj të tillë s’kanë vend në Shqipëri, ku neofashisti i një Aleance të harruar Kuqezi zapton pa të keq bulevardin Dëshmorët e Kombit pikërisht në ditën e 7 prillit, dhe ku populli 100 vjet i pavarur ushqehet në ditën e dasmës kombëtare me tortën shumëtonëshe me të njëjtat ngjyra. Pak rëndësi kanë refugjatët dhe ata që fshihen ende « pa letra » në qytetet e Europës së tmerruar nga komunizmi, pak rëndësi ka racizmi që hidhet sa nga shqiptarët (albanese! terrone!) te rromët, sa nga rromët te arabët, sa nga kurdët te « marokenët ». Pak rëndësi ka se të vdekurit e Otrantos, mish për top a mish për peshk, janë sivëllezër të të tjerëve të mbytur, sot e kësaj dite, brigjeve të kështjellës europiano-demokratike : sirianë e afganë para një muaji në Farmakonizi (Greqi), libianë para pak javësh në Ceuta (Spanjë), tunizianë e afrikanë subsaharianë çdo javë në Lampeduza; dhe se të gjithë bashkë janë sivëllezër me priftin e burgosur, të gjithë të pafajshëm, trupa të dërrmuar, të mbytur a të shpëtuar nga varka vrastare e « thanato-politikës » së çdo ngjyre. Pak rëndësi kanë të gjitha këto. Por çfarë pra, atëherë, ka rëndësi?

Pak rëndësi kanë, flas, në Shqipëri. Nanni Moretti, regjizori i Kajmanit, e ka ndërtuar një pjesë të mirë të veprës së vet kinematografike si dyluftim (të pabarabartë), betejë pothuaj personale kundër hidrës berluskoniane, ku kamera e kineastit i kundërvihet si armë ekraneve të panumërta të mediokratit. Shihni Aprile, dhe skenën e bukur të zbarkimit të refugjatëve shqiptarë. Por në Shqipëri, Nanni e ka të humbur betejën. Kur vjen puna për Italinë, kundrejt plagës së pashërim të Primo Levit dhe klithmës së ndjerë të Pasolinit, shqiptarët preferojnë Federico Moccian dhe masturbimin me « paradokset » plot kripë dhe erudicion të Umberto Ecos; kundrejt imazheve të kinemasë preferojnë të drogohen me televizionin e Kavalierit (për shtatë spektatorë në projektimin e filmave të Carmelo Benes, sa miliona dynden përditë para Opinionit – surrogato e emisioneve të Bruno Vespës) ; kundrejt ritmeve të Paolo Contes dhe gjëmbave në Ascanio Celestinit, preferojnë Elsa Lilën dhe Pippo Baudon.

Filtri Adriatik funksionon sot, në të dyja kahet, si një kullesë a sitë së prapthi : lë të kalojnë peshqit e mëdhenj e të bujshëm, por jo kumtet e holla dhe me vlerë, që kush e di ku mbyten rrugës, bashkë me të tjera viktima. Në raport me Italinë, Shqipëria duket sot paradoksalisht më e izoluar se kurrë: gjithë çka vinte si emancipuese nga bregu përballë, para dhe pas ’90-ës, është tkurrur sot në autostradën mediatike dhe në mimetizmin më tëhuajësues. Gjithçka duket e destinuar të bëhet bërllok, sapo hidhet ne bregun tjetër. Vitet mund të kalojnë, Italia mund të mbushet me qindra mijëra shqiptarë që banojnë e rriten aty, shkojnë e vijnë, interneti dhe fejsbuku të vërshojnë kudo : hidhu përpjetë po deshe, « italia » që zbarkon në shqipëri vazhdon sot e gjithë ditën të kalojë nga të njëjtat diana çule e të njëjtët virgjil muçër, nga i njëjti « institut kulture » dhe të njëjtët aurel plasarë : dhe për sa kohë të jetë kështu (po pse vallë është kështu?), pamfletet neo-raciste dhe anti-islame të Oriana Fallacit lehtë do t’ua zënë frymën faqeve ku Primo Levi evokon ata « Muselmanen », që dergjeshin kampeve të përqendrimit dhe e ndien veten në faj ndaj tyre.

Unë vetë nuk e kam lexuar ende librin e Zef Pllumit. Çmimi, për dreq, ishte goxha i shtrenjë, dhe, duke mos qenë shpesh një Shqipëri, nuk pata rastin ta bleja. Ia kërkova dikujt, dhe ma dha, por koha e qëndrimit ishte e shkurtër, libri i gjatë, dhe mjaft i trashë për t’u futur në bagazhet që ende janë ato të një gjysmë-refugjati. Por e lashë në Tiranë, ta lexoja në rastin më të parë, siç kam lexuar me interes të tjera gjëra të ngjashme.

Por tani nuk do ta bëj ! Do të më vinte turp të më shihnin në kafe me librin e përlyer. Jo, do vë pak para mënjanë, do blej një biletë avioni dhe do të shkoj edhe unë, si Marinne Le Peni, në Lampeduza : dhe atje, me vështrimin e humbur në atë Mare Nostrum përherë e më tepër të shndërruar në Mare Mortis, do të meditoj këto fjalë solidariteti të vrazhdë, të ardhura nga një Itali tjetër: « Nëse kjo është e vërtetë, nëse kuptimi i kampit qëndron në materializimin e qëndrueshëm të gjendjes së jashtëzakonshme dhe në krijimin e një hapësire të veçantë për « jetën e zhveshur » si të tillë, atëherë na duhet të pranojmë se kemi të bëjmë me kamp sa herë që ballafaqohemi me një strukturë të tillë, pavarësisht nga masa e krimeve të kryera në të dhe cilatdo qofshin emërtimi dhe topografia e saj e veçantë. Kamp do të jetë kështu si stadiumi i Barit, ku në 1991-shin policia italiane grumbulloi përkohësisht emigrantët klandestinë shqiptarë, para se t’i përzinte drejt vendit të tyre, ashtu edhe Vél d’Hiv (Velodromi i Dimrit) në Paris, ku autoritetet kolaboracioniste të Vichy-së mblodhën çifutët para se t’ua dorëzonin gjermanëve; si kampi i refugjatëve në kufirin spanjoll, pranë të cilit vdiq Antonio Machado në 1939-ën, ashtu edhe të ashtuquajturat zones d’attente (zona pritjeje) të aeroporteve ndërkombëtare franceze, ku mbahen të mbyllur të huajt që presin njohjen e statusit të tyre si refugjatë. Në të gjitha këto raste, një vend në dukje pa rëndësi, përvijon në të vërtetë një hapësirë ku sistemi normal është faktikisht i pezulluar dhe ku mundësia e akteve pak apo shumë mizore, nuk varet nga e drejta por vetëm nga qytetaria dhe sensi etik i policisë, që vepron përkohësisht si forcë sovrane » (Giorgio Agamben: « Kampet si pardigma » – sesi vepron kjo polici, kur quhet Frontex apo « roje e kufirit detar », e dimë tashmë mirë).

Dhe do të pres të më aviten, si të yshtyra nga fjalët e filozofit në këtë Elsinor të jugut, fantazmat e afrikanëve « të mbytur » dhe, bashkë me to, shpirti i trazuar i At Zef Pllumit:

“List, list, O list!
If thou didst ever thy dear father love-
Revenge his foul and most unnatural murder
Murder most foul, as in the best it is;
But this most foul, strange and unnatural.
Now, hear:
The serpent that did sting thy father’s life
Now wears his crown.”

Paris, mars 2014

Gazeta Mapo

“Una moschea a Milano? Si, prego”. Il video-appello dei giovani milanesi

Kultura e thashethemit kundër At Zef Pllumit