in

Kundër importit të mbetjeve, mijëra qytetarë dalin në protestë

Marshuan të shtunën nga Parku Rinia drejt godinës së kryeministrisë, nga ku i bënë thirrje presidentit të mos e dekretojë ligjin e importit të mbetjeve dhe deklaruan se kryeministri Rama po tradhton shqiptarët për të mbështetur interesat e disa kompanive të riciklimit.

Marshimi i mijëra qytetarëve kundër importit të mbetjeve në Shqipëri. 1 tetor 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRNTë zemëruar për miratimin e ligjit të importit të mbetjeve nga parlamenti shqiptar më 23 shtator, mijëra qytetarë dhe aktivistë dolën të shtunën në rrugët e kryeqytetit me thirrjet “Jo plehrat në Shqipëri”, në protestën e organizuar nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave.

Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrime “Boll plehra ka Shqipëria”, “Të pastrojmë Shqipërinë, pastaj botën”, “Ky ligj vjen erë vdekje”, si dhe “Biznes plehrash, deputetë kazanësh, referendum!”. Qytetarët ngritën kartonë të kuq për të shprehur votën e tyre kundër ligjit që i hap rrugën importit të mbetjeve në shtetin shqiptar dhe bënë thirrje si “Turp! Turp! Turp!”.

Ata marshuan drejt institucionit të kryeministrisë duke kënduar himnin shqiptar dhe e cilësuan ligjin si shkelje të interesave të Shqipërisë për një të ardhme të shëndetshme e të begatë.

Protestuesit i bënë thirrje presidentit të Shqipërisë të mos e dekretojë ligjin e miratuar nga parlamenti dhe shprehën vendosmërinë për rrëzimin e ligjit të importimit të mbetjeve me të gjitha mënyrat e mundshme.

“Ishin 63 deputetë që e menduan të lehtë kalimin e ligjit me kartonët e tyre, por janë mbi 63 mijë qytetarë që i kanë thënë jo plehrave” tha në protestë aktivisti Lavdosh Ferruni, duke iu referuar nismës për referendum.

Marshimi i mijëra qytetarëve kundër importit të mbetjeve në Shqipëri. 1 tetor 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN“Importi i plehrave është tradhti e pastër e Shqipërisë. Kjo klasë politike e ka shfrytëzuar në mënyrë kriminale shtetin, por Shqipëria nuk mund të zhvillohet me import plehrash. Rama e shkeli fjalën e dhënë, edhe si burrë, edhe si shqiptar!” tha aktivistja Brizida Gjikondi.

Mijëra protestuesit e akuzuan kryeministrin Rama se e ka tradhtuar elektoratin e tij dhe popullin duke shkelur fjalën e dhënë në vitin 2013 për moslejimin e importit të mbetjeve.

“Të gabosh është njerëzore, por të jesh kokëfortë në kurriz të popullit është djallëzore… Ju na keni mashtruar, i keni tradhtuar shqiptarët”, tha në protestë aktivisti Besmir Agalliu.

Tre deputetë të PS dhe LSI, Shalsi, Bushati dhe Derveni propozuan në fund të qershorit rikthimin e importit të mbetjeve me arsyetimin se “nxit industrinë e riciklimit në vend dhe krijon mijëra vende të reja pune”. Edhe vetë kryeministri Rama e ka mbrojtur disa herë tashmë ligjin e sapomiratuar. Është i domosdoshëm. Ai ka impakt pozitiv për mjedisin dhe ekonominë” u shpreh ai në takimin me përfaqësues të Shoqatës së Ricikluesve.

Ligji kaloi më 23 shtator me 63 vota pro të deputetëve të PS dhe LSI dhe 27 vota kundër. Miratimi i tij ka nxitur protesta të shumta në Tiranë dhe disa qytete të Shqipërisë, të cilat aktivistët paralajmëruan se do të vazhdojnë.

Ivana Dervishi, BIRN

Lexo të plotë: Mijëra qytetarë protestojnë përpara kryeministrisë kundër importit të mbetjeve

 

Marshimi i mijëra qytetarëve kundër importit të mbetjeve në Shqipëri. 1 tetor 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Marshimi i mijëra qytetarëve kundër importit të mbetjeve në Shqipëri. 1 tetor 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

 

Bllokohet skafi me mëse gjysmë toni drogë, ndalohen dy italianët në bord

Jam i parregullt, por po kthehem në vendin tim, rrezikoj gjë në kufi?