Një italian që vjen për një tjetër që iku. Panucci: “Objektivi im, kualifikimi për Euro 2020”. Presidenti Duka shpreh bindjen se Panucci është emri i duhur sepse është “njeri me vullnet dhe dëshirë të jashtëzakonshme”. Kryeministri Rama deklaron se Panucci “do ta mbajë me sukses barrën e rëndë të trashëgimisë së De Biasi-t”
Tiranë, 19 korrik 2017 – Kombëtarja shqiptare e futbollit tashmë ka zyrtarisht në krye një trajner të ri. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një konferencë për shtyp, ka thënë sot se për 2 vite e 4 muajt e ardhshëm në krye të kuqezinjve do të jetë italiani 44-vjeçar, Christian Panucci.
Ish-futbollisti i njohur që ka luajtur me skuadra të rëndësishme si Milan, Real Madrid, Inter apo Roma, do të zëvendësojë Gianni De Biasi-n në krye të kuqezinjve me objektivin për të mbyllur kualifikueset e “Rusi 2018” në vendin e tretë në Grupin G dhe për të synuar më pas kualifikimin në finalet e Kampionatit Europian 2020.
Panucci ka një përvojë të shkurtër si trajner pasi ka punuar si ndihmës i Fabio Kapelos në kombëtaren ruse dhe ka drejtuar skuadrat e Livornos dhe Ternanës në Serinë B.
“Ka qenë një proces ndoshta i zgjatur pak në kohë sepse bashkë me stafin teknik të FSHF-së nuk kemi marrë një vendim të lehtë. Në këtë konferencë falënderoj të gjithë kandidatët që kemi kontaktuar të cilët kanë qenë gati të marrin drejtimin e Shqipërisë, duke filluar nga Zenga, një trajner shumë i mirë, Sedorf, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, Malezani. – u shpreh Duka në konferencë – Kemi marrë vendimin më të mirë, kemi zgjedhur një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, nuk besoj se ka nevojë t’jua prezantoj. Ka një eksperiencë të madhe si lojtar, ndoshta modeste në trajnim. Kemi bërë zgjedhje shumë të mirë, për mua është një njeri me vullnet dhe dëshirë të jashtëzakonshme. Jam i bindur që të gjithë bashkë do të bëjmë të mundur të jemi pjesë e EURO 2020”.
Nga anë e tij falënderoi presidentin Duka që i besoi këtë detyrë që po i dhuron “emocione të mëdha”, njëkohësisht edhe “përgjegjësi të madhe për këtë vend që po rritet shumë në futboll”.
“Jam i bindur që kemi një skuadër shumë të mirë. Kemi katër ndeshje të rëndësishme përpara për eleminatoret e botërorit. E di që është thuajse e pamundur të kualifikohemi, por kjo priudhë do të na shërbejë për t’u përgatitur për Europianin e 2020. – tha Panucci. Mezi pres që të filloj nga puna dhe të përpiqem t’u jap kënaqësi njerëzve të këtij vendi. Objektivi i vetëm dhe unik është 2020, i vetmi objektiv i rëndësishëm për ne dhe grupin e mundësitë për t’ia dalë mbanë i kemi”, tha Panucci.
Përmes një statusi në Facebook, kryeministri Edi Rama i uroi menjëherë mirëseardhjen trajnerit të ri të kombëtares shqiptare. “Le të urojmë që traineri i ri i kuqezinjve, Christian Pannuci, një kampion i madh në fushë dhe një lider i ri në stol, do ta mbajë me sukses barrën e rëndë të trashëgimisë së De Biazit. Forca Shqipëria”, shkruan kryeministri.