in

Kur emigracioni nuk është më i frytshëm, njerëzit kthehen në atdhe. Po ndodh me shqiptarët?

Mundohet t’i japë përgjigje pozitive kësaj çështjeje një artikull i të përjavshmes Venerdì e Repubblica-s, pa dhënë shifra të sakta apo të përafërta por duke u mbështetur në shembuj personash të kthyer dhe duke i dhënë një interpretim të vetin asaj çka ndihet në ajër

Romë 23 prill 2012 – “Pas dy dekadash emigrimi në masë drejt brigjeve puljeze, duket se shqiptarët kanë sot më shumë shpresë në udhëtimin e kthimit në atdhe se sa në atë të ardhjes në Itali. Sot vihet bast mbi Vlorën e jo mbi Brindisin”. Kështu shkruhet në një shkrim të revistës Venerdì të të përditshmes italiane Repubblica.

Por sa janë të kthyerit? Vështirë ta thuash. Sipas Teuta Grazhdanit të OIM në Tiranë gjatë vitit 2011 dihet numri i saktë i të riatdhesuarve me forcë: 1.053. Por nuk ka asnjë shifër mbi ata që kthehen me dëshirë, ata që vendosin të bëjnë hapin e madh e të kthehen atje nga u nisën vite më parë. “Një mënyrë për të mbledhur të dhëna është ajo përmes Ministrisë shqiptare të Arsimit, pasi shumë familje emigrantësh të kthyer po i kërkojnë ndihmë për reintegrimin e fëmijëve në shkollat shqiptare” shpjegon sociologu Rando Devole, njohës i emigracionit shqiptar, bashkëpunëtor i Karitasit për Dosierin Statistikor mbi imigracionin në Itali.  Jo më kot në Ministrinë e Arsimit në Shqipëri, është emëruar një zëvendësministër i ri, Ardian Tana, që duhet të mbulojë në veçanti sektorin e diasporës. “Si ministri e Arsimit po përpiqemi të ndihmojmë shqiptarët jashtë atdheut me ato që janë kompetencat tona. – tha ai për shqiptariiitalise.com – Kemi dhënë vënë në dispozicion Ministrisë së Jashtme një sërë librash për t’ua shpërndarë shqiptarëve në diasporë. Në këtë mënyrë jo vetëm kontribuojmë që fëmijët e emigrantëve të mos harrojnë gjuhën e tyre, por edhe në rastet kur ata kthehen në atdhe ta kenë më të thjeshtë reintegrimin”.

Për t’iu kthyer artikullit të revistës italiane, atë çka është vështirë të jepet me shifra, mundohet ta japë me shembuj konkretë shqiptarësh të kthyer. Janë të gjitha raste që nxjerrin në dritë mbylljen e natyrshme të një rrugëtimi migrimi, që ndodh në çdo çast, por që nuk jep idenë e kthimit për shkak të krizës.

Jepet historia e Altin Prengës që u kthye në Shqipëri në vitin 2009 pas 11 vjetëve emigrimi në Itali. Në Itali kishte punuar si salumier, si lavapjatës e më pas kishte hapur një agriturizëm në liqenin e Gardës. “Por nuk ndihesha i vlerësuar” thotë ai për Venerdì, ndaj vendos të kthehet e të hapë në Lezhë restorantin “Mrizi i Zanave”. “lëndë e parë vendase, kuzhinë tradicionale, e pastër, si ajo e gjyshes. 10-12 euro për person, e kam çarë përpara”.

I ngjashëm edhe rasti i Blerim Kokomanit. Në 1991-shin vjen në Itali. Punon në zdrukthëtari e më pas si kasap deri sa gjen punën e jetës: në një kantinë vere në Toskanë që tani e menaxhon bashkë me të vëllanë. Me kursimet ka blerë vazhdimisht vreshta në Durrës e prej tre vjetësh ka hapur ndërmarrjen e tij për prodhimin e verërave, “Kokomani Vineyard shpk“. Tregon me entuziazëm për kantinën e tij që rritet nga viti në vit. “Kantina në Durrës po më ecën mirë. Kemi vreshtat tanë dhe kemi arritur të prodhojmë 40 mijë shishe verë në vitin 2010, 56 mijë në 2011-tën. Punojmë jo vetëm me restorantet në Durrës e Tiranë, por tani kemi edhe kërkesa nga vende të tjera të botës, si Norvegji apo Amerikë” thotë ai.

Tjetër rast është ai i Armand Vokshit që në 1991-shin emigron në Gjermani, më pas studion arkitekturë në Firenze, fiton doktoraturën e profesori i tij e mban si asistent. Por Armandit nuk i mjafton: “Nuk shihja ndonjë mundësi për të hapur një studio timen, për të shkuar përpara, ndaj u ktheva”. Sot është asistent profesor në Universitetin Politeknik i Tiranës e merret edhe me planin rregullues të kryeqytetit.

E shembuj të tjerë të këtij lloji janë edhe ai i Altin Shuaipit që në Firence studioi për Artet e Bukura e në vend që të kënaqej me punën si kamerier u kthye e në Tiranë është fotograf, ai i Edvin Kukunjës që në Torino administronte një impiant sportiv por me diplomën e tij në Jurisprudencë në Shqipëri është sot spin doctor për politikanë vendas.

A po kthehen më shumë sot se më parë? Ndoshta. “Sipas të dhënave tona – tregon për shqiptariiitalise.com zëvendësministri i Arsimit Tana – në bankat e shkollave këto dy vitet e fundit shkollore kemi pasur rritje të fëmijëve familjesh të kthyera nga emigracioni veçanërisht nga Greqia. Do të ketë padyshim edhe nga Italia, por bien në sy ata që vijnë nga Greqia sepse kanë më shumë vështirësi me mësimin e gjuhës shqipe”.

Shqiptari i Italisë

Leggi: A volte ritornano (in Albania)

Drejtësia italiane kërkon ekstradimin e qindra shqiptarëve për drogë e prostitucion

Zgjidhet monumenti fitues i 100 vjetorit të pavarësisë