in

Kur Nënë Tereza vinte në Tiranë/3

Në gusht 1989, Nënë Tereza arrinte më në fund të hynte në Shqipëri pas shumë përpjekjesh të mohuara më parë nga regjimi komunist. U kthye edhe disa herë të tjera. Marrim dhe me kënaqësi botojmë kujtimet e mjekut shqiptar  me nobelisten e paqes në takimet me të gjatë vizitave në Shqipëri. (vijim)
Nga Prof. Lutfi Alia, Siena

Gjatë vitit 1991 Shqipëria ishte e mbushur me ngjarje intensive dhe Nënë Tereza i përjetoi me përkushtim, duke u përpjekur të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të shumta të trashëguara, por dhe të atyre që i kishte shtuar tranzicioni e egër. Pranë fushës së aeroportit të Tiranës, e dini se Minsitria e Shendetësisë po ngrinte një spital modern? Ndërtesa ishte përfunduar, mjaftonte pak që të fillonin instalimet e pajjisjeve, por ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Brenda disa ditëve u vodhën të gjitha (duralumine e hidrosanitare moderne, madje dhe tullat). Pasi e vizituam ndërtesën e spitalit te ardhshëm, Nënë Tereza kërkoi të kontribuonte për rikonstruktimin dhe për të gjetur pajisjet, madje dha idenë, që në personelin e infermierëve të përfshiheshin dhe motrat e misionit, që kishin diploma në infermieri. Kush mund të kundërshtonte këtë propozim ideal. Madje ky lajm u përhap dhe populli filloi ta quante (dhe sot e quan) spitali i Nënë Terezës. Këtij projekti Nënë Tereza i dha përparësi, ndaj organizoi takime të shumta, madje ftoi specialistë të huaj ta shihnin ndërtesën, por kur hyri në mes politika e në plan të parë doli Opus Dei me Universitetin Katolik të Romës, mori drejtim tjetër. Sot është korpusi qendror i Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, i koordinuar nga Universiteti Tor Vergata i Romës.   

Në gusht të vitit 1992, Nënë Tereza erdhi përsëri në Shqipëri. Vazhdonte aktivitetet e saj me intensitet, takonte mijëra njerëz të thjeshtë dhe punonte pa pushim për fuqizimin e shtëpive të bamirësisë, që ishin plot me njerëz, të gjitha besimeve fetare, të shtresave të varfra dhe me persona të papërkrahur nga shteti dhe nga shoqëria.

Nënë Tereza ishte e dashuruar me njerëzit. Ishte vetë e para që përkujdesej për të sëmurët, ishte dora saj e butë, që përkëdhelte pleqtë e braktisur, që ushqente të pamundurit dhe lebrosët, u shërbente me një devocion të admirueshëm e mbi imagjinatën tonë, i shëronte të sëmurët me dashurinë, me atë shikim të ëmbël e të qeshur, me përkëdhelje e me përkujdesjen e veçantë, që i u a ka transmetuar, ose më saktë, ua ka ngulitur dhe mbi 4000 motrave të misionit të saj bamirës, që ishte shtrirë në 120 vende të botës.

Dua të theksoj një aspekt të veçantë dhe pse i njohur, madje i dokumentuar dhe me filmime. Nuk ka ekzistuar dhe ekziston në botë mjek, infermier apo person, që të përkëdheli, t’i lajë e ti veshi lebrosët, madje i vizitojnë me doreza e me maska dyfishe. Pjesa më e madhe e shoqërisë i përbuz këta të sëmurë dhe i izolon, por mos harroni se vetëm Nënë Tereza u ka shërbyer me dashuri, i ka përkëdhelur, i ka përqafuar, i ka ushqyer, i ka larë, i ka veshur, i ka ndihmuar të shtrihen në shtrat, u ka lehtësuar dhimbjen, i ka kuruar, u ka dhënë shpresa. Nënë Tereza nuk u sëmur kurrë nga bacili tepër ngjitës i lebrës, përkundrazi shëroi të sëmurë me përkujdesje hyjnore. Kjo është një mrekulli.  

Në këtë kohë, rezidenca e Misionit të bamirësisë ishte transferuar ne rrugën e Elbasanit, në vilën e ish kryetarit të bashkisë. Kur them vila, dua të them ndërtesa dy katëshe dhe vila e mobiluar, pasi Nënë Tereza nuk pranonte luksin. Aty nuk kishte mobilie të rënda, nuk kishte qilima, tapete, kolltukë e pasqyra, por vetëm ambiente të thjeshta me tavolina e karrige dhe një pastërti e rregull shembullor, ku punonin pa pushim motrat e ardhura nga të gjitha vendet e botes, si dhe një motër shkodrane.  Në dy dhoma te katit te dyte kishte sistemuar dhe gratë e moshuara te marra nga azili dhe tre fëmijë sakatë, që i kishte marrë nga spitali i Shkodrës.

Gjatë tre viteve në Shqipëri, aktiviteti si misionare e krishterë dhe kontributi humanitar i Nënë Terezës, tashmë ishin bërë pjesë e kulturës shqiptare. Jeta dhe vepra e saj ishte inkurajim dhe frymëzim për shumë shqiptarë.

Në muajin gusht 1992, në sallën e leksioneve të Pallatit të Kongreseve, u organizua një konferencë për nder te Nënë Terezës, ku mori pjesë Presidenti i Republikës Sali Berisha dhe Nunci Apostolik i Vatikanit I. Dias. Presidenti Berisha i uroi ditëlindjen Nënë Terezës, e përshëndeti dhe e përgëzoi për kontributin si misionare në ripërtëritjen e besimit e të kulturës së krishterë ne Shqipëri dhe për punën vetëmohuese të misionit bamirës, që i kishte hapur dyert për të gjithë nevojtarët, pavarësisht nga përkatësia fetare.

Kur mbaroi aktiviteti, të gjithë e takuan dhe përshëndetën Nënë Terezën, mes tyre dhe disa përfaqësues shoqatash humanitare të huaja (italiane, angleze, gjermane etj), të cilët pas prezantimit, i treguan se kishin ardhur me ndihma për popullin shqiptarë. Fjala e parë e përgjigjes e Nënë Terezës ishte mirënjohja: “falimnerit” (shprehur në dialekt) dhe më pas u tha: “nuk ia zgjidhim problemet popullit shqiptar duke i dhuruar një peshk, sa për të shuar urinë, ne duhet t’i japim mjetet e nevojshme e ta mësojmë të peshkojë vetë e përditë”. Ky ishte mesazhi i Nënë Terezës për gjithë ata, që donin të kontribuonin për atdheun e saj të dashur. Dëshiroj të rikujtoj, se gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, Nënë Tereza përshëndeste në shqip: “mirëdita, mirëmbrëma, tunjatjeta (për tungjatjeta), falimneres (për faleminderit), a pret miq” etj. 

Gjatë viteve 1991 – 92, në Shqipëri kishin hyrë me qindra misione fetare (ndërtonin kisha, xhami e teqe), shoqata jo fetare, shoqata humanitare (ndanin stoqet e magazinave të botës), organizata joqeveritare (premtonin shumë e nuk bënin pak), struktura qeveritare (bënin politikë) dhe shumë shoqata artistike e kulturore. Të gjithë ishin shprehur për të ndihmuar shqiptarët, por asnjë prej tyre nuk arriti të bëjë atë që kishte bërë Nënë Tereza Bojaxhiu, asnjë prej tyre nuk fitoi besimin e respektin e popullit dhe as famën e Nënë Terezës dhe të misionit të saj bamirës. Për të vlerësuar forcën vepruese e konkretizuese të Nënë Terezës, mençuria popullore shqiptare krijoi një shprehje të veçantë: “Këtë e bën vetëm Nënë Tereza”. Pra populli e identifikonte si forca që bënte të pamundurën, bënte mrekullinë.

Shembulli i jetës dhe i kontributit fetar e bamirës i Nënë Terezës, u be frymëzues e kësisoj në shumë vende të botës filluan të themelohen shoqata me emrin e saj. Në fakt, Nënë Tereza, ka kundërshtuar me insistim përdorimin e emrit te saj nga shoqata e organizata te ndryshme dhe vetëm kur ajo ishte e bindur për rolin humanitar të vërtetë ka pranuar. Në Tiranë, aktorja M. Ljarja kish mbledhur një grup të gjere aktivistesh, që angazhoheshin në veprimtari shoqërore, kulturore e humanitare dhe propozoj, që kjo shoqatë të merrte emrin e Nënë Terezës. M. Ljarja erdhi disa herë e kësisoj u detyrova ta takoja Nënë Terezën dhe t’i lutem ta pranonte këtë propozim. E dha miratimin dhe bekimin, kësisoj dhe në Shqipëri u themelua Shoqata Nënë Tereza.   

Me 25 prill të vitit 1993, në ditën e festës të Zonjës të Këshillit të Mirë të shqiptarëve, Papa Gjon Pali i II, vizitoi Shqipërinë. Në të gjitha aktivitet e organizuara gjatë vizitës, Papa Gjon Pali i II e mbajti pranë Nënë Terezën, veprim që nuk e kishte kryer me asnjë figurë tjetër të kishës katolike, as me kryetare shtetesh dhe në asnjë vend tjetër të botës. Ky nderim dhe respekt i Papa Gjon Palit të II, për Nënë Terezën, u bë objekt i një diskutimi me dy miqtë e mi gazetar, Shaban Sinani dhe Naim Zoto, që punonin ne gazetën “Shqip”, një gazetë, e cila për sa kohë funksionoj, ishte më korrekte, më profesionale dhe më me kulture për kohën.

Nga biseda jonë rezultoi një fakt tjetër i çuditshëm. Në pesë vjet, që Nënë Tereza vinte në Shqipëri, asnjë gazetar i shtypit dhe as i televizionit, nuk e kishte intervistuar. Ndonëse duket e pabesueshme, në fakt ishte e vërtetë. Televizioni jepte lajme për disa aktivitete të Nënë Terezës, më pak shkruanin gazetat e mbi te gjitha nuk i kishin kërkuar e nuk ishte botuar asnjë intervistë. Atëherë Shabani më kërkoi t’i propozoja Nënë Terezës,  një intervistë për gazetën “Shqip”. Shkova në selinë e misionit në rrugën e Elbasanit dhe takova Nënë Terezën dhe Janette Peteriè. U a tregova qëllimin e vizitës. Nënë Tereza po më vështronte me atë shikimin e butë e miqësor dhe pas një çasti, me tha: “Dakord, po ku i ke gazetarët?”.

Nuk e prisja këtë gatishmëri e përgjigjie të shpejtë, pasi e dija mirë, se kur flitej për aspekte të tilla, që kishin te benin me ekspozimin në shtyp të personalitetit e të veprrimtarise se saj, Nënë Tereza nuk pranonte, madje i ka refu-zuar me rreptësi ndaj ketyre kerkesave. Ashtu si unë dhe shumë persona të tjerë, që kanë jetuar e punuar me Nënë Terezën janë dëshmitar, si i ka refuzuar intervistat dhe me gazetarë të shquar të shtypit botëror.

“Ti sjell nesër, por më thuaj orën kur ke pak kohë të lirë”, i u përgjigjja menjëherë për të mos humbur këtë shans.  
“Dakord,  ju pres nesër në orën 11.00”, më tha Nënë Tereza. 

Ika shpejt e i a komunikova këtë lajm të bukur Shabanit dhe Naimit. Të dy filluan të organizohen për takimin, por dolën disa probleme të vogla e të vështira. Nuk kishin regjistrues të zërit, nuk kishin aparat fotografik. U impenjuam tërë pasditen duke kërkuar. Gjetëm regjistruesin, por ishte pa bateri e do të duhej të përdorej kordoni i karikimit, që ishte i shkurtër. Më së fundi gjetëm pjesë për ta zgjatur. Të nesërmen në mëngjes takuam një djalë kosovar (Xh. Herri, punonte në një shoqatë bamirëse gjermane), i cili na vuri në dispozicion aparatin fotografik, madje na shoqëroi me veturën e tij, se ne nuk kishim makinë. Ai mori dhe dy arka me sapunë tualeti, që ua dhuroi motrave, që sigurisht më shumë vlerësonin këtë lloj dhurate, se sa t’i u çoje një duzinë me torta. Nënë Tereza na priti në dhomën e saj, një mjedis ku mbretëronte thjeshtësia dhe rregulli, një krevat, një tavolinë dhe karriget. Shabani e përgatiti regjistratorin e po bëhej gati t’i bënte pyetjet, kur Nënë Tereza e parapriu: “Unë mendoj të mos bëjmë intervistë, nuk kam asgjë të veçantë për të treguar për veten, unë jam si një pikë uji në oqean. Dëshiroj, që nëpërmjet jush t’i transmetoj një mesazh popullit shqiptar”.

Shabani e priti me entuziazëm këtë propozim e menjëherë  ia afroi regjistratorin dhe e ftoi të fliste.  Në dhomë pasoi një heshtje e shkurtër e më pas zëri i saj i ëmbël e me tonalitet kumbues, rrodhi lirshëm. Më dukej sikur thirrja e Nënë Terezës u përhap në eter ndër gjithë shqiptaret, që prisnin këshillat e saj te çmuara. Mesazhi ishte i shkurtër, por me argumente për aktualitetin, ishte mësim për të gjithë. Në diskutime publike, në takime dhe në forume ndër-kombëtare, Nënë Tereza kishte thënë disa herë: “kontributi im ka vlera sa një pikë uji në oqean”, çka dëshmonte jo për modestinë e veprës së saj, për humanizmin, përkushtimin e pasionin e veprimtarisë si misionare bamirëse, i tregonte botës se çfarë oqeani me halle duhet të përballojë njerëzimi, për të zgjidhur varfërinë e padrejtësitë shoqërore.

Mesazhi u botua i plotë, me 30 prill 1993, në gazetën “Shqip”, me titull të madh “E doni atdheun duke dashur njeri tjetrin: Mesazh i Nënë Terezës, drejtuar popullit shqiptar ”. Ky mesazh është ribotuar disa herë në gazeta të tjera, andaj nuk do të zgjatem,  por dëshiroj të riparaqes vetëm disa pasazhe të shkurtra.
– “Dashuria fillon nga shtëpia, nga familja. Kur njerëzit rrojnë në paqe midis tyre, kur janë të lidhur e mirëkuptohen, kur ushqejnë dashuri për njeri tjetrin dhe Zoti ju do shumë e ju mbron nga të këqijat”.
– “Fryt i dashurisë është mendimi për te bere mire, fryt i bamirësisë dhe i humanizmit, është paqja, ja perse bota
duhet t’i falet dashurisë.”
– “Te falënderojmë Zotin, për fuqinë që u fal shqiptarëve për te dashur dhe ndihmuar njeri tjetrin. Shqipërinë do ta bëjë pajtimi i të gjithë shqiptarëve.
– “Unë lutem përherë për popullin e varfër të Shqipërisë, për popullin e Kosovës që vuan”. etj, etj.
Pasi përfundoi regjistrimi i mesazhit, bëmë disa fotografi dhe filluam te bisedonim shtruar. Si kuptohet në këto situata rrethi i bisedës ishte i gjerë dhe argumentet të shumta. Nënë Tereza foli për gjendjen në Shqipëri, por dhe për  Kosovën. “E dua shumë Shqipërinë, prandaj vij shpesh bashkë me motrat e mia, që  percjellin dashuri dhe kujdes ne te varferit. Kam shume dhimbje ne zemer, kur shoh vuajtjejet e popullit kosovar.” 

Ndërkohe që po bisedonim, hyri një nga motrat e i tha se kishte ardhur V. B (shefi i protokollit i nje institucioni), i cili  kerkonte me insistim ta takonte Nënë Terezën. Ne menduam se tani do të mbyllej me kaq takimi, por ndodhi e papritura. Nënë Tereza i tha prerë: “I thuaj se jam në takim me miqt e mi. Nëse i kanë thënë të më takojë, duhej të më telefononte më pare, që dhe une të programoja kohën. Nëse nuk ka nxitim të presë, ose të vijë një ditë tjetër”.

Po të kish qenë dikush tjetër, do të na kishte përzënë menjëherë, por Nënë Tereza ishte nga ata burrnesha, që respektonte dinjitetin e njerëzve te thjeshte e nuk bënte diferencime e as nuk krijonte privilegje në raporte shoqërore dhe zyrtare. Biseda jonë vazhdoi dhe rreth një orë e kur dolëm Janette Petriè, që na shoqëroi tha “kështu është zakoni i juaj, ta shoqërojmë mikun deri te porta”. Pra ne ishim miqtë e Nënë Terezës.

Mesazhi i Nënë Terezës u prit shumë mirë nga populli, që e admironte, e dëgjonte dhe respektonte fjalën e saj të mençur, ndërsa politika mbajti qëndrim indiferent. Asnjë nga gazetat e tjera nuk reagoj, përkundrazi vazhdonin t’i mbushnin faqet me kronikat e politikës së egër. Ishte koha kur Shqipëria grindej me veten. Tranzicioni po hynte në fazën e egërsimit. Askush nuk dëgjonte zërin e arsyes, as mesazhin e Nënë Terezës. Situata dominohej nga përballje forcash, ne luftë të egër për pushtet e askush nuk shihte nga populli. Duke reflektuar për këtë mesazh, mendova se këshillat e Nënë Terezës, do te ndikonin të zbutej sadopak polemika dhe të vështronin më shumë për unitetin kombëtar e zhvillimin e ekonomik të vendit të rrënuar, por nuk ndodhi kësisoj.  Rikujtova luftën në Liban në 1975, kur OKB dhe diplomacia ndërkombëtare nuk arriti të ndalonte luftimet, qe shkaktuan mijëra viktima ne popullatën civile,  ndërsa ndërhyrja e fuqishme e Nënë Terezës, me mesazhin dërguar dy forcave ndërluftuese, u dëgjua e u respektua nga të dy palët ne armiqësi, që i ndërprenë luftimet dhe bënë armëpushim. Kjo nuk ndodhi ne Shqipëri. 

Në nëntor të vitit 1993 unë ika në Itali. Largimi nga Shqipëria, ishte vendimi më i vështirë e më i dhimbshëm në jetën time, por i detyruar. Në këtë kohë, shume kolegë e “miq”, morën detyra e poste të rëndësishme, por kur kishin para kërkesën time për punë, refuzuan sepse nuk mund të dilnin kundër “partisë”, kundër “zërit të masës” dhe vendimit të agjentëve të sigurimit komunist, që kishin ndërruar flamurin. Kishte të drejtë Volteri: “Zot me ruaj nga miqtë, se ruhem vetë nga armiqtë”. Prita shumë dhe gjatë, por nuk gjeta zgjidhje, madje ata që i kisha ndihmuar e përkrahur më harruan e më braktisën shpejt. Në Itali arrita ta gjej veten, fitova konkursin zyrtar për të punuar ne Institutin e Anatomisë Patologjike të Universitetit të Sienës.  Një ditë shtatori të viti 1994, pata një telefonate, që më solli gëzim të veçantë. Ishte Janette Petriè, fliste nga Roma, ku ndodhej bashkë me Nënë Terezën dhe me ftonin të shkoja t’i takoja, pasi te nesërmen do të niseshin për në SHBA. I premtova se do të shkoja, por harrova se atë ditë ishte greva e përgjithshme e trenave dhe e autobusëve. Unë nuk kisha makinë. Pas shumë përpjekjesh Genci (im bir) takoi shokun e tij Ruzhdi Çeliku, i cili më çoi në Romë me makinën e tij. Kisha një ndjenjë gëzimi të rrallë për këtë takim, sidomos më gëzonte fakti se Nënë Tereza nuk më kishte harruar, më kishte kërkuar në Tiranë e me gjeti dhe në Itali. Ky respekt i Nënë Terezës me ripërtëriu e më dha forca.

Kur mbërritëm në Rome, na doli një problem tjetër. Nuk mbylleshin dyert e makinës, kështu Ruzhdiu bëri dhe një sakrificë tjetër, u detyrua të më presë në makinë. Shkova në Vatikan, në adresën që me kishte dhënë Xheni dhe u takova me Nënë Terezën. Kësaj radhe, dukesh e lodhur e pak e hequr, por plot vitalitet e dinamizëm si gjithmonë. Më rrëfeu se nuk ndihej mirë me shëndet dhe se merrte mjekim. Po të mos me kishte treguar, sinqerisht ju them,  nuk do ta besoja. Ndenjëm deri vonë duke biseduar. Më tregoi se kishte shkuar në shtëpinë time e kishte folur me Dritën e ajo i kishte treguar ku ndodhesha dhe i kishte dhënë numrin e telefonit në Siena. Në darkë vonë i kërkova leje të largohesha. U përqafuam me shumë dashuri e mall. Më përshëndeti e ma përsëriti disa herë “Zoti të bekoftë biri im”. U mallëngjeva shumë. Ishte takimi dhe përqafimi i fundit. Nuk do të takoheshim më, por disa herë folëm në telefon gjatë kohës që ndodhej në ShBA.   

Në se bëjmë një retrospektivë të veprës të Nënë Terezës, gjithkush e kupton, se ajo ka bërë për njerëzimin, për njerëzit e thjeshtë e të vuajtur në 121 shtete te botës, më shumë se të gjithë shenjtorët e tjerë, ka bërë jo një mrekulli, por shumë mrekulli, nga ato që do ta kishin zili të gjithë shenjtorët. Vepra e Nënë Terezës është: besim me zemër, dashuri për njerëzit që vuajnë, shpresa dhe bamirësi hyjnore. Nënë Tereza mbetet përjetë misionare katolike, misionare e bamirësisë, “Nënë e të varfërve”, “Nëna e dashurisë”, simbol i mëshirës dhe i solidarietetit për mbarë botën dhe personifikim i dashurisë për njeriun e vuajtur.

Dëshiroj t’i mbyll këto kujtime modeste me vlerësimet e disa personaliteteve për Nënë Terezën:     
Papa Gjon Pali II: “Nëna Tereza, është shembulli i transformimit njerëzor të dashurisë së Zotit”;
Bill Clinton: “Vigane e shekullit tonë”;
Sali Berisha: “Bija më e shquar e kombit tonë”;
Ismail Kadare: “Bota dhe populli ynë mbetën jetim pa të”;
Zhak Shirak: “Sot botës i mungon nëna”;
Tony Blair: “Shpirti i saj do të rrojë si inspirim për të gjithë ne”;
Dr. don Shan Zefi: “Shenjtore e ditëve tona”;
Dr. don Lush Gjergji
: “Ajo ishte dashuria në vepër”;
Atë Zef Pëllumbi: “Nena e shekullit, që i bindi me dashuri njerëzit të besojnë Zotin”;
Imzot Mark Sopi: “Do të mbetet në kujtim të përhershëm, deri sa të ekzistojë njerëzimi”;
Imzot Rrok Mirdita: “Nëna Tereza ishte princesha e dashurisë”;
Sabri Koçi (kryetar i Komunitetit Islamik shqiptar): “Vdekja më e rëndë për kombin tonë”.
Bekim Fehmiu: “Pas Skënderbeut u largua edhe Nëna Tereza”.

Lexo edhe:
1989, kur Nënë Tereza vinte për herë të parë në Tiranë
Kur Nënë Tereza vinte në Tiranë/2

 

Annuncio di lavoro: cercasi segretaria

Emisioni televiziv kërkon komikë të huaj