Familjarët e një 27 vjeçari italian që ndërroi jetë në Tiranë hedhin në gjyq Tullio Simoncinin, ish mjek i dëbuar nga Urdhri i mjekëve në Itali por që në Shqipëri duket se ushtron pa problem profesionin, duke “kuruar” me sodë buke tumorin sepse është i bindur që është kërpudhë
Romë, 27 tetor 2012 – Më 18 tetor në Shqipëri ndërron jetë 27-vjeçari nga Catania Luca O., i sëmurë me tumor në kokë, që në Tiranë kurohej me sodë buke. Sipas agjencisë së shtypit ANSA, ka qenë familja e të ndjerit që ka nxjerrë lajmin duke ngritur padi kundër mjekut italian Tullio Simoncini që ka praktikuar në një spital privat të Tiranës këtë kurë.
Nga policia e Tiranës, që ka në dorë padinë e familjes, sigurojnë se “kanë nisur hetimet mbi mjekun italian, ekipin shqiptar dhe mbi spitalin ku ishte shtruar 27 vjeçari.
Dhe mjeku Tullio Simoncini ka zënë edhe herë të tjera faqet e kronikave në Itali, për shkak të kurave të tij alternative. Në Itali është “ish mjek” pasi është dëbuar nga Urdhri i Mjekëve dhe është dënuar për mashtrim e vrasje nga pakujdesia, por në Shqipëri duket se vazhdon të ushtrojë profesionin e tij pa ndonjë problem dhe të ofrojë “kurën” e tij me sodë buke kundrejt shumash marramendëse.
Rasti i Luca O.
Luca O. kishte zbuluar tumorin në tru dhe prindërit e çuan në Tiranë për t’i bërë kurën e Simoncinit që në Itali është e ndaluar. Sipas padisë së familjarëve – e dorëzuar qoftë në Tiranë qoftë pranë Prokurorisë së Romës – Tullio Simoncini u kishte thënë se me kurën e bazuar në sodën e bukës
mundësitë e shërimit të kancerit ishin 70% kundrejt 2% të rrezikut të trombozës apo të marrjes së një infeksioni. Çmimi i kurës – që duhej paguar me para në dorë, 20 mijë euro.
Pas shtatë dozave të para të kurës, lexohet në padi – Luca pati të vjella e dhimbje të forta koke që detyruan Simoncinin të ndërpresë terapinë për dy ditë. Por me ta rifilluar u përsëritën të njëjtat efekte, të rënduara edhe nga spazma muskulore. Në këtë pikë, një mjek shqiptar duket se ka vendosur t’i bëjë një serum me bazë valiumi. Gjendja shëndetësore e Luca O. rëndohet edhe më dhe dërgohet menjëherë në spitalin Nënë Tereza” ku ndërron jetë brenda pak minutave.
“Kjo është historia e tmerrshme – thotë për mediat në Itali Francesco Lauri, avokat i familjes – një kure pa asnjë lloj njohjeje shkencore në Itali që praktikohet, kundrejt një pagese prej 20 mijë eurosh, në mënyrë të papërgjegjshme në struktura që nuk janë në gjendje të përballojnë emergjencën. Urojmë që autoritetet shqiptare të bëjnë hetimet e duhura krahas Prokurorisë së Romës”.