in

Kurs formimi në Shqipëri për t’u punësuar në Itali. Mbyllet faza e parë

Është mbyllur sot faza e parë, ajo e paraqitjes së kërkesës për t’u regjistruar në projektin pilot për formimin profesional të 255 shqiptarëve që dëshirojnë të punojnë në Itali. Paraqiten 850 persona

Tiranë, 10 prill 2012 – Projekti i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në bashkëpunim me Ministrinë e Punës Italiane në zbatim të një projekti pilot, që ka të bëjë me hapjen e kurseve falas të formimit profesional e gjuhësor për 255 shtetas shqiptarë që dëshirojnë të punojnë në Itali, ka mbyllur sot fazën e parë, gjatë të cilës aplikuan 850 punëkërkues.

Lajmin e bëri të ditur Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve të Punësimit Neshat Zeneli i cili tha se,  “procesi regjistrimit ka ecur normalisht” dhe se “janë regjistruar rreth 850 punëkërkues, pjesa më e madhe e të cilëve, rreth 400 të regjistruar, nga Tirana”. Po të bëjmë një vlerësim të profesioneve për të cilat janë paraqitur kërkesat, vihet re se më së shumti është aplikuar për punësim në sektorin e ndërtimit dhe në sektorin e hoteleri-turizmit. Përsa i takon moshës, grupmosha më e madhe e aplikuesve i përkasin kategorisë nga 30-40 vjeç dhe se rreth 80% e tyre janë meshkuj.

Drejtori i Shërbimit të Punësimit, Zeneli, bëri të ditur se nga dita e nesërme do të fillojë  faza e dytë e këtij projekti. “Në këtë fazë parashikohen rreth 180 orë trajnime, si në aspektin e gjuhës ashtu edhe në atë profesional” thotë Zeneli. Personat e trajnuar në këto kurse që bazohen në nenin 23 të Tekstit Unik mbi imigracionin, trajtohen me përparësi për punësimin në Itali.

Për të promovuar një menaxhim të koordinuar dhe efikas të flukseve migratore dhe për të lehtësuar mekanizmat e kooperimit, edhe në formimin profesional dhe gjuhësor, Ministria italiane e Punës dhe Politikave Sociale ka ngritur Zyrën e Koordinimit Vendor (ZKV) në Shqipëri që vepron në bashkëpunim me Përfaqësinë Diplomatike Italiane dhe Ministrinë shqiptare të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me mbështetjen teknike të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin. ZKV luan një rol lehtësues për shkëmbimin e informacionit ndërmjet shërbimeve të punësimit në Itali dhe Shqipëri, duke nxitur afrimin e kërkesës me ofertën për punë ndërmjet dy vendeve.

Lexo edhe: Kurs formimi e italishteje në Shqipëri, për t’u punësuar në Itali

Lokali racist. “S’ka kafe për afrikanët”

Shërbime – Të mësosh italisht