in

Kush do të jetë Elhaida e këtij viti në “The voice of Italy”?

E vetmja e huaj deri tani në edicionin e dytë të “The Voice of Italy” është Esther Oluloro. U fut falë interpretimit të bukur të këngës Stay të Rihanna-s

Prej tri javësh ka nisur edicioni i dytë i “The Voice of Italy”. Është akoma në fazën e parë, atë të audicioneve “në errësirë” gjatë të cilave katër anëtarët e jurisë (këtë vit në vend të Cocciantes është J-Ax ai që do të drejtojë e do të vlerësojë këngëtarët konkurrues përkrah Piero Pelù, Raffaella Carrà e Noemi) përzgjedhin anëtarët e skuadrave të tyre.

The Voice i vitit të kaluar, ashtu si Amici i para disa vjetëve, u bë një ndër programet më të ndjekura nga shqiptarët e Italisë, të cilët e lidhin atë me një emër: Elhaida Dani.
Çdo javë, për dy muaj rresht, zëri i saj emocionoi mbarë publikun në Itali, suksesi i saj u ndoq me vëmendje nga komuniteti shqiptar në veçanti. Vlerësimet e larta nga anëtarët e jurisë dhe shpallja e 20-vjeçares shqiptare “Zëri i vitit” për Italinë rizgjuan krenarinë shqiptare e lumturuan mijëra e mijëra vetë.

E këtë vit? Deri tani nuk është paraqitur asnjë shqiptar. E vetmja e huaj, është Esther Oluloro, 22 vjeçe, bijë imigrantësh nigerianë e rritur në Brescia që ka kënduar në një kor gospel që në moshë të vogël. Me zë të bukur e interpretim shumë të mirë të këngës Stay të Rihanna-s, vajza fitoi një vend mes konkurrentëve të programit të Rai2.

Në prezantimin e saj të shkurtër vajza foli për marrëdhënien e saj të vështirë me të atin e për një periudhë depresioni: “Muzika më ka shëruar. Më ka shoqëruar e do të më shoqërojë në të ardhmen. Shpresoj që “The Voice” të më ndihmojë t’i tregoj babait sa vlej, si person e si këngëtare”.

Vajza e rritur në Itali, për ligjin është akoma e huaj, por Raffaella Carrasë që e pyeti “Nga vjen?” vajza natyrshëm iu përgjigj “Nga Brescia” duke e lënë të habitur anëtaren e jurisë që priste që Esther t’i thonte emrin e një vendi afrikan.

Esther zgjodhi Piero Pelù si profesor të sajin, i cili pak më parë kish shprehur shumë vlerësime shumë të larta për vajzën: “Adhuroj zërin tënd. Besoj se do të jetë një nga më të mirët e këtij viti”.

Ndoshta do të jetë pikërisht Esther që do të provojë të ketë suksesin që Elhaida korri vitin e shkuar.

Një surprizë e këtij edicioni ka qenë murgesha Cristina Scuccia, 25 vjeçe, siciliane që jeton në Milano. Është këngëtare pop, bën pjesë në skuadrën e J-Ax dhe u prezantua me këngën “No one” të Alicia Keys.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Brindisi. Al teatro la tragedia di Katër i Radës

Obama: “Të mos kemi frikë nga imigrantët, por t’i mirëpresim. Do të jemi më të fortë”