Nuk votojnë Meta e PDIU. Voton kundër Ben Blushi e tre parlamentarë të tjerë të mazhorancës
Tiranë, 23 shtator 2016 – Shqipëria do lejojë importimin e plehrave “jo të rrezikshme” në territorin e saj. Pas mbi dhjetë orë debatesh, Kuvendi ka miratuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme me vetëm 63 në favor, 26 kundër dhe 4 abstenime ligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” të ndryshuar””, duke i hapur përfundimisht rrugë hyrjes në Shqipëri të plehrave nga shtetet e tjera.
Ajo që ra në sy gjatë këtij votimi është vetë numri i ulët i votave që ai mori në favor, pra vetëm 63. Një numër i konsiderueshëm i deputetëve të majtë dhe mes tyre shumica socialistë, preferuan të mos merrnin pjesë në votim dhe në rastin më të keq të abstenonin ose të votonin kundër.
Një prej tyre ishte edhe vetë kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili drejtimin e seancës gjatë votimit të djeshëm ia la ta drejtojë nënkryetari demokrat, Edmond Spaho duke mos u shprehur me votë në lidhje me këtë ligj.
Nuk dihet nëse kjo ishte e qëllimshme apo jo, por është fakt se ai nuk u shpreh me votë për këtë ligj, ndryshe nga kryeministri Rama që preferoi, si rrallëherë, të ishte në sallë gjatë gjithë votimit.
Gjithashtu në votim nuk qëndruan as deputetët e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të cilët më parë ishin shprehur kundër këtij ligji.
Nga ana tjetër, nga mazhoranca 4 deputetë votuan kundër, ku përveç atyre që ishin shprehur më parë, si Ben Blushi, Mimoza Hafizi, kundër votuan edhe deputeti socialist Dashamir Peza dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Disa nga deputetët e tjerë socialistë kanë abstenuar, mes të cilëve Arta Dade, Klodiana Spahiu, Mira Shehu dhe Luljeta Arapi.
Me pak fjalë, edhe pse nga ana ligjore dhe procedurale ligji konsiderohet i miratuar, ai nuk ka marrë shumicën e votave të Kuvendit. Ben Blushi, një nga deputetët e mazhorancës që votoi kundër këtij ligji, dhe që pas seancës iu bashkua protestuesve të shoqërisë civile, megjithëse të rregullt nga ana ligjore, e konsideroi votimin të pavlefshëm moralisht, sepse u votua nga më pak se gjysma e përfaqësuesve të popullit. Kjo sipas tij i jep të drejtë popullit që të kërkojë referendum.
E me këto shifra ai tregoi si edhe strategjia e opozitës për të qëndruar deri në fund të votimit ishte e gabuar, sepse po të ishte larguar nga salla, do e kishte vënë në dyshim arritjen e kuorumit të nevojshëm prej 71 votash për nisjen e procesit të votimit për këtë ligj.
Ligji i miratuar mbrëmë erdhi si propozim i tre deputetëve të majtë, Eduard Shalsi, Ervin Bushati dhe Bujar Derveni dhe ai parashikon që lejimin e importimit në vendin tonë e mbetjeve nga jashtë për efekt riciklimi.
Për shkak të reagimit të fortë nga brenda vetë partive ashtu edhe nga shoqëria civile, nismëtarët i bënë disa ndryshime këtij drafti duke reduktuar numrin e llojeve të mbetjeve që do lejohen të hyjnë në vendin tonë, të përcaktojnë vetëm 3 pika doganore nga mund të importohet, si dhe të ndalohet asgjësimi i tyre nëpërmjet djegies. Vetëm 24 orë para votimit, LSI solli një amendament shtesë i cili përcakton të drejtën që kanë përfaqësuesit e shoqërisë civile për të ndjekur nga afër në pikën doganore hyrjen e mbetjeve.