in

Le Monde: Shqiptarë e kosovarë, mes “refugjatëve mjekësorë” në Francë

E përditshmja franceze tregon sesi të huaj me probleme të rënda në veshka arrijnë të marrin trajtim mjekësor falas në Lion të Francës: kërkojnë azil e, në pritje të përgjigjes, nisin të kurohen

Një numër gjithnjë e në rritje i të huajve, po përdorin sistemin e kërkimit të azilit në Francë për të marrë kura mjekësore falas për sëmundje të rënda. Sipas të përditshmes franceze Le Monde, mjekët në qytetin e Lionit shprehin shqetësimin se qytetarë nga vende si Shqipëria, Kosova dhe Gjeorgjia, me probleme serioze në veshka, vijnë në Francë për të përfituar trajtim mjekësor falas, ndërsa paraqesin kërkesë për azil.

Profesori Emmanuel Morelon, shefi i pavijonit të transplantimit në spitalin Edouard-Herriot, thotë se duke ngritur këtë çështje nuk ka ndërmend të ndihmojë tezën anti-imigracion të partisë së ekstremit të djathtë, Fronti Nacional, ndërkohë që parlamenti po shqyrton ligjin e ri të imigracionit. Por fluksi në rritje i pacientëve në repartin e dializës, që mund të trajtojë vetëm 24 pacientë njëherësh, është i papranueshëm. Edhe pse ai nuk sheh asgjë jo normale tek fakti që ndërsa kërkojnë azil personat të mund të marrin trajtim mjekësor falas, profesor Morelon sqaron se fluksi i të huajve në gjendje të rëndë që kërkojnë vetëm trajtim falas të sëmundjeve të veshkave në Lion, përbën një rast unikal.

Si përfitohet nga sistemi shëndetësor francez

“Zakonisht, këta njerëz që mbërrijnë në stacionin e trenit të Lionit duken lehtë që janë të sëmurë, ndaj dërgohen në urgjencën e qytetit” -shpjegon profesor Morelon për Le Monde. “Mjekët në spital pohojnë se këta persona kanë nevojë urgjente për dializë. Dhe këta pacientë nisin trajtimin mjekësor dhe njëherazi bëjnë kërkesë për azil”.

Franca u garanton strehim refugjatëve që vijnë nga vende ku ata konsiderohen të pasigurtë. Shqipëria, Kosova dhe Gjeorgjia nuk janë pjesë e tyre.

Por pasi nisin praktikën e kërkimit të azilit, është tepër e vështirë që të nxjerrësh nga spitali pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda, nëse ata nuk e kanë të mundur të marrin trajtim të plotë mjekësor në vendet e tyre.

Ligji francez parashikon që ndërsa shqyrtohet kërkesa e azilit, kërkuesve t’u njihet mbulim i plotë shëndetësor falas për 3 muaj dhe gjatë kësaj kohe ata e shënojnë emrin në listën e pritjes për transplant. Le Monde shpjegon se koha e pritjes për transplant është më e gjatë sesa ajo e përgjigjes për kërkesë për azil. Por gjatë kësaj kohe, gjendja e pacientëve konsiderohet e rëndë, gjë që është e mjaftueshme që t’u njihet rezidenca në Francë me statusin e “të huajit të sëmurë”.

Duket se praktika është e konsoliduar. Sipas Le Monde, të ashtuquajturit “refugjatë mjekësorë” mbërrijnë në Lion, duke e ditur shumë mirë se si mund të përfitojnë shërbim shëndetësor falas në Francë. Madje të interesuarit janë të pajisur me emrat dhe adresat përkatëse të qendrave të dializës në qytet dhe e pranojnë hapur se vijnë në Francë posaçërisht për çështje shëndetësore.

Mjeku Jean -Louis Touraine, që është edhe Anëtar i Asamblesë Kombëtare Socialiste e anëtar i rajonit të Rhonit, që përfshin Lionin, është një nga ligjvënësit që ka nënshkruar projektligjin  që kërkon reformimin e sistemit të azilit në Francë, që iu paraqit parlamentit francez në korrik. Ai thotë se trajtimi mjekësor nuk mund t’u refuzohet azilkërkuesve, por shpjegon se buxheti shëndetësor i Francës nuk është i pafund.
 

Brunetti: Berisha e Berlusconi, aventurierë politikë që i përkasin të shkuarës

23 anni fa Vlora sbarcava a Bari con i 20mila in cerca di “Lamerica”