Tiparet janë të paidentifikueshme për shkak të qëndrimit të gjatë në ujë, por në rroba i janë gjetur dokumente sipas të cilave është 25-vjeçari shqiptar Mario Jaku. Mister mbi shkaqet e vdekjes
Romë, 8 dhjetor 2013 – Një kufomë është zbuluar mëngjesin e sotëm buzë detit në lokalitetin Torre Veneri të Lecces. Siç u mësua më pas është e një të riu shqiptar, 25 vjeçari Mario Jaku.
Sipas policisë kufoma ishte në një gjendje dekompozimi të avancuar, aq sa tiparet e personit nuk mund të dallohen. Por është i veshur e në xhepa i janë gjetur pasaporta, letërnjoftimi dhe patenta shqiptare, që të gjitha në emër të 25-vjeçarit Mario Jaku.
Nuk është e qartë pse ndodhej në Itali, pasi nuk rezulton mes rezidentëve e as mes të huajve me dokument qëndrimi në Itali. Në këtë drejtim po u kërkohet ndihmë autoriteteve shqiptare përmes ambasadës në Romë.
Për momentin nuk dihen as shkaqet e vdekjes, as nëse ka qenë e dhunshme apo për shkaqe natyrore. Kufoma e 25-vjeçarit është çuar në morgun e spitalit Vito Fazzi të Lecces ku të hënën do t’i bëhet autopsia.