Bamir Topi në universitetin e Bolonjës: Shqipëria drejt anëtarësimit në BE dhe roli i saj në BE
Romë, 28 mars – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga e shoqja Teuta Topi në kuadër të vizitës që po zhvillon në Itali, vizitoi dje Universitetin e e Bolonjës “Alma Mater Studiorum”, ku u takua me Rektorin Prof. Ivano Dionigi e drejtorin e Fakultetit të Agronomisë Andrea Segre’ bashkë me docentë dhe studentë italianë dhe shqiptarë.
Gjatë takimit u bisedua për rëndësinë e arsimit të lartë në përgjithësi e arsimit profesional në veçanti, për rolin parësor të studimeve universitare e pasuniversitare në formimin e gjithanshëm të brezit të ri, si dhe për sfidat e reja në mësimdhënie.
Më pas, Topi mbajti një ‘lectio magistralis’ Aula Magna’ të Fakultetit të Agronomisë të Universitetit me praninë e studentëve dhe drejtuesve të institucionit të rëndësishëm akademik italian. Duke vlerësuar Italinë si një nga partnerët më të rëndësishëm politik dhe ekonomik të Shqipërisë, Topi vuri në dukje preferencën e studentëve shqiptarë për universitetet italiane.
“Ne aktualisht kemi mbi 35 mijë të rinj që studiojnë në Itali, kemi qindra specializantë dhe disa dhjetëra projekte të përbashkëta bashkëpunimi mes universiteteve dhe njësive të tjera kërkimore e shkencore. Ky bilanc mbështetjeje në marrëdhëniet mes vendeve tona, simbolizon një realitet të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-së, midis rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës së Bashkuar”, theksoi Presidenti shqiptar.
Duke u ndalur në historinë e 20 viteve të fundit, Kreu i shtetit nënvizoi se “brenda dy dekadash Shqipëria ka arritur të përmbushë standardet kryesore të funksionimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, të krijojë një sistem të demokracisë funksionale dhe të konkurrencës së lirë të tregut, tregues të konfirmuar me pranimin në NATO dhe partneritetin aktiv në drejtim të anëtarësimit në BE”.
Presidenti Topi u shpreh i vetëdijshëm se disa gjëra duhet të ishin bërë më mirë dhe më shpejt. “Por jemi po ashtu të vetëdijshëm për rrugën e gjatë që duhet të përshkruajmë për t’a bërë këtë realitet të ri evropian në ato standarde e nivele që kanë arritur shtetet e BE-së”, tha ai.
Duke u ndalur në pozicionin gjeopolitik, por dhe etnik e kulturor të Shqipërisë, Presidenti Topi tha se “vendi ynë e ka lexuar si duhet përgjegjësinë dhe rolin e vet në të ardhmen e rajonit, ndaj bën të gjitha përpjekjet për ta përdorur influencën e saj në dobi të zgjerimit dhe forcimit të marrëdhënieve rajonale shumëplanëshe në rajon”.
Duke u ndalur në rëndësinë e shkëmbimeve në fushën e arsimit dhe bujqësisë, Topi vlerësoi Universitetin e Bolonjës dhe veçanërisht grupin kërkimor të drejtuar nga Prof. Andrea Segre, i cili ka qenë mjaft aktiv në zonën e Ballkanit në projekte studimore dhe zhvillimore.
Kreu i shtetit mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Serrave të Fakultetit të Agronomisë, ku bisedoi me pedagogë e studentë mbi rëndësinë e zhvillimit të agroturizmit, bashkëpunimin italo-shqiptar në këtë drejtim dhe mbi potencialin për investime agroturistike që zotëron Shqipëria, si vend mesdhetar.
Në vijim, Presidenti Topi zhvilloi një takim miqësor me studentët shqiptarë që studiojnë në auditorët e Universitetit të Bolonjës, me të cilët bisedoi për çështje të ndryshme, kryesisht mbi çështje të formimit universitar, të rëndësisë së studimeve që kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve intelektuale shqiptare, të përshtatjes së tyre në universitetet e Italisë, e për shumë tema të tjera.