in

“Lejeqëndrim për dy vjet për ata që kanë humbur vendin e punës”

Casucci, UIL: “Duhen shpëtuar ata që janë goditur më rëndë nga kriza e që tani rrezikojnë të lënë Italinë. Nuk duhet të çojmë dëm trurin dhe risurset. Të rihapen flukset, kanalet e rregullta të hyrjeve”

Romë, 2 nëntor 2015 – Edhe pse Italia akoma nuk ka dalë nga kriza, sinjalet që vijnë nga tregu i punës lënë vend për shpresë. Një nga këto sinjale positive është rritja e punësimit e punonjësve të huaj. Por ndërkohë ata që kanë humbur vendin e punës rrezikojnë akoma të drejtën e qëndrimit në Itali. Nevojitt një masë “parashutë”, jo vetëm në të mirën e tyre por edhe për t’i kthyer sërish të jenë aktorë të zhvillimit të Italisë.

“Në trimestrin e dytë të vitit 2015 u regjistrua një rritje prej 4,2% e punësimeve të punonjësve të huaj kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2014” konfirmon për Stranieriinitalia.it Giuseppe Casucci, koordinator kombëtar i Departamentit të Politikave Migratore të sindikatës UIL. “Norma e papunësisë – nënvizon ai – tani është 16,9%, por kishte arritur në 18%, kur për italianët në përgjithësi nuk ka kapërcyer asnjëherë masën 13%”.

Për ta, krisa ka pasur efekte edhe më të forta se për punonjësit vendas.

“Po. Dosieri Idos/Unar na thotë se vitin e shkuar pati rreth 150 mijë lejeqëndrimi të skaduara e që nuk u përtërinë. E shkaku është mbi të gjitha humbja e vendit të punës. Ka nga ata që kanë ikur, por shumica kanë mbetur këtu, tani janë të parregullt e punojnë në të zezë. Duke mos pasur asnjë lloj mbrojtjeje e duke fituar më pak”.

Pse kriza ka goditur më rëndë të huajt?

“Sepse ka goditur më fort sektorët në të cilët ata ishin të punësuar e sepse, në krahasim me italianët, janë më të dobët e më lehtësisht të shantazhueshëm.  Ekziston dyshimi se shumë prej tyre, punëdhënësit mund t’u kenë thënë: mund të vazhdosh të punosh për mua, porn ë të zezë. Por nga ana tjetër është e vërtetë që punonjësit e huaj janë edhe të parët që kërkohen të punësohen kur ekonomia rimëkëmbet, problem është se ndërkohë, ata që kanë humbur edhe lejen e qëndrimit, nuk mund të punësohen më”.

E kur bëhen të parregullt, nuk ka si dalin më nga kjo situatë?

“Me normat e tanishme, jo. Po të humbasësh lejen e qëndrimit, je jashtë tregut të rregullt të punës. Pikërisht për këtë arsye, ku kriza u thellua, sindikatat kërkuan, dhe ia arritën qëllimit, që lejeqëndrimi për pritje punësimi, që u lëshohet atyre që humbasin vendin e punës, të zgjaste për dyfishin e kohës: jo më gjashtë muaj por të paktën një vit, e sidoqoftë më shumë se kohëzgjatja e amortizatorëve socialë”.

E tani as kohëzgjatja njëvjeçare nuk mjafton?

“Me sa duket, jo, deri sa 150 mijë persona e kanë humbur të drejtën e qëndrimit në Itali. Për këtë arsye, lejeqëndrimi për pritje punësimi duhet zgjatur edhe më shumë, të paktën dy vjet. Është kërkesë që i kemi paraqitur disa herë qeverisë, nuk na është thënë asnjëherë jo, por ama nuk kanë ndryshuar asgjë”.

Me pak fjalë, duhet ndryshuar prapë ligji?

“rruga më e mirë do të ishte një modifikim i Tekstit Unik për Imigracionin, pse jo, me një amendamend në ligjin e stabilitetit 2016 që po diskutohet në Parlament. Por ndërkohë, mund t’u jepet një udhëzim kuesturave, me një qarkore të thjeshtë. Në fakt, ligji actual thotë që lejeqëndrimi për pritje punësimi duhet të jetë i vlefshëm “për një periudhë jo më të ulët se një vit”, pra që tani është e mundur që të udhëzohen kuesturat ta lëshojnë për dy vjet, pa shkelur asnjë normë në fuqi”.

E nëse ekonomia del vërtet nga kriza e punësimet rriten vërtet?

“Në këtë rast Italia do të ketë akoma më shumë nevojë për punonjës të huaj. Ç’kuptim ka t’i kërkosh jashtë pas punësuar më para ata që janë tashmë në Itali? Të detyrosh të largohen njerëz të formuar profesionalisht, që jetojnë në Itali prej vitesh është një e çuar dëm absurd e trurit dhe e burimeve. Duhet të shpëtojmë ata që po humbasin lejen e qëndrimit, para se të fryhen edhe më radhët e të parrëgulltve”.

Ardhjet për punë janë të bllokuara tashmë prej vitesh. Nuk do të ishte e udhës të mendohet për një dekret të mirëfilltë fluksesh?

“Në mes të krizës është e kuptueshme të zgjidhej reduktimi i ardhjeve. Për më tepër, kështu si është tani, dekreti i flukseve nuk funksionon, është kthyer në një treg kërkesash të paguara nga vetë të huajt, jo një mjet takimi mes kërkesës dhe ofertës. Mekanizmi i hyrjeve për punë duhet ndryshuar, për shembull, duke rifutur figurën e sponsorit”.

Kufij të mbyllur deri sat ë gjendet një system i ri?

“Jo. Gjithsesi duhen autorizuar ardhje të reja për punë, edhe për faktin se tani nuk ka asnjë kanal të rregullt hyrjesh. Nuk mund të bëjmë sikur nuk e shohim që në skafe po hipin, e shpesh edhe po vdesin, edhe migrantë ekonomikë. Po të kishin një tjetër mënyrë për të ardhur, nuk do t’u besonin jetën skafistëve. Kështu që, mirë se të vijnë kuota të reja për sektorët ku ka më shumë nevojë për krahë pune dhe për punonjës nga ato vende që na ndihmojnë për të ndaluar skafet e që gjatë këtyre viteve nuk janë “shpërblyer” me asgjë”.

Elvio Pasca

 

RC Auto. Nuk nevojitet më kuponi në xham

Familja “normale” me 134 kg drogë në bagazh nga Durrësi në Bari