in

“Lejeqëndrime për 2 vjet dhe sanatore, të shpëtojmë imigrantët që kanë humbur punën”

Marilena Fabbri (PD) i kërkon qeverisë rregulla të reja për imigrantët viktima të krizës ekonomike. “Italia po humbet me qindra punonjës të huaj të integruar”

 

Romë, 10 shkurt 2016 – Në fillim kanë humbur vendin e punës, më pas, për këtë arsye, kanë humbur edhe lejen e qëndrimit. Është fati i keq që po vuajnë qindra mijëra imigrantë në këto vite krize ekonomike. Jo për fajin e tyre kthehen në të parregullt e sot nuk kanë asnjë mundësi për të dalë nga kjo situatë.

Të dhënat e fundit janë të vitit 2014, kur sipas Dosierit Staistikor mbi Imigracionin në një vit të vetëm nuk janë përtërirë 150 mijë leje qëndrimi. Kush e beson se të gjithë 150 mijë mbajtësit e atyre dekumenteve, pas shumë vitesh të investuara në Itali për të ndërtuar një të ardhme, janë kthyer bashkë me familjet e tyre në atdhe ku ndoshta puna mungon edhe më shumë se kur e lanë?

Për të dalë nga kjo situatë do të ishte e udhës të bëhej një sanatore për të shpëtuar të gjithë ata që kanë hyrë në klandestinitet e do të nevojitej t’u jepej më shumë kohë për të gjetur një vend të ri pune të gjithë atyre që rrezikojnë të kenë të njëjtin fat. Këtë i kërkon Marilena Fabbri e PD-së ministrit të Brendshëm që e thërret për një seancë dëgjimore në Komisionin për Çështjet Kushtetuese.

Fabbri e nis me Tekstin Unik për Imigracionin, sipas të cilit leja e qëndrimit për pritje punësimi që u lëshohet atyre që kanë humbur vendin e punës duhet të jetë e vlefshme “për një periudhë jo më të shkurtër se një vit”. Por deri tani Kuesturat e kanë interpretuar këtë normativë sipas qejfit, duke lëshuar leje për pritje punësimi të vlefshme maksimumi për një vit. “Që tani – shpjegon Fabbri për Stranieriinitalia.com – është e mundur të lëshohen leje qëndrimi të vlefshme për dy vjet. Mjafton që ministria e Brendshme të urdhërojë Kuesturat, me anë të një qakoreje të thjeshtë, të interpretojnë drejt dhe gjerësisht normën. Kështu, kush ka humbur punën do të ketë më shumë kohë për të kërkuar një tjetër, pa rënë menjëherë në klandestinitet”.

Por do të nevojitet një ligj i ri për të nxjerrë nga klandestiniteti të gjithë ata të cilëve u ka përfunduar edhe leja e qëndrimit për pritje punësimi. “Nevojitet një mekanizëm legalizimi” thotë hapur deputetja. “Nëse të ka skaduar leja e qëndrimit, por ndërkohë ke gjetur një vend të ri pune, duhet të të jepet mundësia për t’u punësuar e të kesh një leje të re qëndrimi. Mund edhe të krijohen kuota të posaçme për këto situata në brendësi të dereteve të flukseve”.

Pa këto ndërhyrje, viktimat nuk do të jenë vetëm të huajt, por e gjithë Italia. “Vendi ynë – nënvizon Fabbri – ka investuar shumë për integrimin e këtyre personave, për të cilët do të ketë akoma nevojë, sapo ekonomia të rimëkëmbet, e tashmë shihen shenjat e para në këtë drejtim. Ç’kuptim ka të kërkohen punonjës të rinj nga jashtë Italisë, të sillen këtu, të formohen e integrohen, kur kemi tashmë këtu shumë e shumë persona të gatshëm t’u përgjigjen nevojave të punëdhënësve”.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Nga 12 shkurti Ibrahim Kodra do të prehet në Memorialin në Kodrat e Liqenit

Rinas. Nisen për Angli me dokumente italiane të falsifikuara. Arrestohen dy persona