in

Leka Zogu në reanimacion. Mjekët: “Po përmirësohet”

Prej dy ditësh Leka Zogu, 72 vjeç, gjendet i shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po i nënshtrohet terapisë intensive në repartin e reanimacionit

Tiranë, 17 nëntor 2011 – Leka, është shtruar më 15 nëntor 2011, në orën 17.00, në QSUT “Nënë Tereza”, në pavijonin e reanimacionit neurokirurgjik.
Sipas drejtorit të shërbimit të reanimacionit, Prof. Mentor Petrela, “Leka Zogu po mjekohet për vuajtje multisistemike, ku mbizotëron vuajtja e zemrës dhe e mushkërive dhe gjendja e tij është relativisht e rëndë, por nën kontroll dhe po merr terapinë e nevojshme”.

Sot paradite, Leka Zogun, e ka vizituar edhe Kryeministri Berisha.
Ai, pasi u njoh nga ekipi i mjekëve me gjendjen shëndetësore dhe ecurinë e trajtimit intensiv, pati një komunikim të shkurtër me Leka Zogun.

Në një prononcim për shtypin pas kësaj vizite kryeministri-mjek shpjegoi se “është një gërshetim patologjie komplekse, por gjendja dhe parametrat në tërësi, siç më njofton ekipi që ndjek në mënyrë permanente Madhërinë e Tij, Lekë I, ka shenja të qarta përmirësimi. Ajo që mund të them është se komunikova shumë mirë me të, e gjeta optimist se do ta kapërcejë këtë situatë”. Berisha tha se “Qeveria është e vendosur të japë çdo lloj mbështetjeje, në mënyrë që të kapërcehet kjo situatë shëndetësore, të përmirësohet e të vazhdojë aktivitetin e tij”.

Riccardi për Integrimin. Sinjal pozitiv për politikat e imigracionit

Aksident rrugor. Vdes 12-vjeçari që ngiste makinën