in

L’Espresso: “Xhihadistët e rinj vijnë nga Kosova”

Revista italiane boton sot një hulumtim të saj, me anë të të cilit pohon se janë me qindra kosovarët që luftojnë në Irak e Siri, dhjetëra të tjerë janë arrestuar, të paktën 16 kanë vdekur. “Gjashtë vjet nga shpallja e Pavarësisë, Kosova po e tregon veten fidanishte terroristësh”.

Është shqetësues hulumtimi i botuar nga revista Espresso mbi xhihadistët nga Ballkani e veçanërisht ata kosovarë. Pasi sjell disa raste arrestimesh nga 11 personat e arrestuar nëntorin e shkuar deri në arrestimet e fundit si ai në Rinas i Mentor Zejnullahut nga Terpeza e Vushtrrisë, i 16-vjeçarit Berisha në aeroportin e Prishtinës, i 40 të dyshuarve të arrestuar në një operacion policie tre javë më parë, Espresso pohon se “problemi i ri i republikës më të re të Evropës është radikalizmi Islamik”, se “armiku nuk është më paraushtaraku serb i kohës së UÇK-së por njerëzit e pafe”.

Sipas burimeve të Espresso-s, në Ballkan ka mbi 20 celula terroristësh, për rekrutim e stërvitje, të shpërndara në Serbi, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë. Financohen nga orgnizata joqeveritare islamike e shpesh kanë në gjirin e tyre ish luftëtarë (në Kosovë edhe ish ushtarë të UÇK-së).  

Prishtina mundohet të zvogëlojë problemin – shkruhet në artikull – “sipas qeverisë, vullnetarët e nusur duhet të jenë vetëm 43”. “Por është e vështirë të pranohet kjo shifër pasi vetëm të vrarë janë 16 vetë. Nga burime të ndryshme pohohet se mes 11 mijë të huajve në Siri (nga të cilët 2 mijë janë evropianë), 300-400 duhet të jenë luftëtarë të etnisë shqiptare, kryesisht kosovarë. Pak a shumë sa ç’janë vullnetarët që kanë shkuar atje nga Anglia, por me ndryshimin e madh se Kosova është sa Abruzzo e nuk ka as dy milionë banorë”.

Kështu, nga një anë Shteti Islamik i ISIS tregon interes ndaj xhihadistëve shqiptarë: fjalimi me të cilin komandanti Al Bagdadi u vetëshpall Kalif, u përkthye në anglisht, frengjisht, turqisht, rusisht dhe shqip. Nga ana tjetër, xhihadisët kosovarë po japin kontributin e tyre konkret në këtë luftë. “Në mars, – kujton Espresso – Blerim Heta, i lindur dhe i rritur në Gjermani, por i kthyer në Kosovë pas luftës, u hodh në erë në një atentat kamikaz në Bagdad, duke vrarë 52 zyrtarë të policisë”. E akoma. Përmes internetit u bë i njohur në mbarë botën Lavdrim Muhaxheri, i konsideruar komandat i “Brigadës Ballkanike”. “Pasi u drejtoi bashkëkombasve një thirrje për të marrë pjesë në luftën e shenjtë, në një video të ISIS, dogji pasaportën kosovare si “dokument i të pafeve”: “Unë jam vetëm mysliman”. Pak kohë më parë postoi në Facebook një foto ku shfaqej duke i prerë kokën një të riu sirian, të akuzuar si spiun, e më pas një tjetër ku shfaqet duke fotografuar me celular një tjetër krim të ngjashëm të kryer nga një bashkëkombas”.

Kjo e postimit në rrjete sociale e fotografive e videove të krimit, e daljes sheshit, është një tjetër risi e jo vetëm e kësaj lufte. Në njëfarë mase është një fat për shërbimet sekrete që arrijnë të gjejnë lidhjet e kontaktet mes xhihadistëve, që tani për tani kur të kthehen në vendlindje nuk mund të akuzohen për asgjë. “Kosova akoma nuk ka një ligj që të ndëshkojë rekrutimin e terroristëve apo ata që shkojnë të luftojnë jashtë shtetit. Një projekt ligj që parashikonte dënime nga 5 deri në 5 vjet, nuk u arrit të miratohej në kohë përpara zgjedhjeve të parakohshme të qeshorit”.

Ballkani, fuçi baruti

“Ai i vullnetarëve është një problem i përbashkët i të gjitha vendevet demokratike të zhvilluara”, ka minimizuar situatën pak ditë më parë edhe gjenerali Salvatore Farina, tashmë ish komandant i KFOR. “Por përqendrimi i terroristëve në Kosovë është i frikshëm. – vë në dukje revista – Dhe ka vënë në alarm edhe shërbimet sekrete të Prishtinës, sidomos pasi një informator i tyre u vra në Siri në fillim të vitit. Dhe gjithçka ndodh kur në republikën e vogël veprojnë rreth 5 mijë forca të NATO-s që duhet të mbështesin zhvillimin e një Kosove të qëndrueshmë, demokratike, multietnike dhe paqësore”.

Kështu, Ballkani vijon të prodhojë më shumë histori sesa mund të tresë, për ta thënë me fjalët e Churchill-it. Edhe në vendet e tjera të Ballkanit ka probleme të tilla. Në Shqipëri, kujton revista italiane, “janë identifikuar 60 xhihadistë, janë arrestuar në Tiranë 2 imamë për nxitje të terrorizmit dhe gjashtë xhihadistë të kthyer nga lufta për kura mjekësore”.
Nga provincat me shumicë myslimane të Serbisë mendohet të jenë nisur dhjetëra luftëtarë. Më e rrezikshme situata është në Bosnje, ku sipas shërbimeve sekrete mendohet të jenë rreth 3 mijë islamikë radikalë të gatshëm të ndërmarrin aksione. Sarajeva ka pasur edhe kamikazin e saj në Irak: Emrah Fojnica, 23 vjeç, i përfshirë në sulmin kundër Ambasadës amerikane në vitin 2011.

“Vetëm tani, kur mund të jetë tepër vonë, policia po kalon në sitë qindra organizata joqeveritare islamike, të shpërndara në Ballkan që prej luftës në ish Jugosllavi. Shumica janë saudite, që iu bashkuan krahut humanitar me ndërtimin një morie xhamish të reja, në të cilat po përhapet myslimanizmi më radikal i frymëzimit wahabit. Aq sa edhe seriozja Financial Times ka ironizuar mbi kolonizimin zvarranik nga anë e Riadit. Një penetrim i heshtur, i mundësuar në veçanti nga një përzierje fatale faktorësh: institucione të dobëta, situatë politike e paqëndrueshme, korrupsion endemik, papunësi e lartë. Përveç zbrazëtisë substanciale të pranisë ushtarake e premtimeve të pambajtura të Perëndimit, që ka lënë pjesën dërrmuese të popullsisë së Kosovës dhe Bosnjes në një varfëri të ngjashme me të mëparshmen. Duke shtyrë kështu pjesë të tëra të popullsisë në krahët e radikalizmit islamik”. 

Artikulli në origjinal: I nuovi jihadisti vengono dal Kosovo

 

“Niente aiuti agli immigrati indiani che non sostengono i marò”

Padova. Zbulohet një punishte droge në qendër të qytetit, arrestohen dy të rinj shqiptarë