“Për Italinë nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria i plotëson sot kushtet që të marrë statusin. Diskutuam me kryeministrin shqiptar edhe format e mënyrat për punën e ditëve të ardhshme për të bindur edhe ato vende që akoma bëjnë qëndresë” u shpreh kryeministri Enrico Letta pas takimit me Edi Ramën.
Romë, 13 dhjetor 2013 – Vizita e kryeministrit Rama në Romë u mbyll me takimin me homologun Letta. Pas një bisede kokë më kokë për rreth gjysmë ore, dy kryeministrat mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi ku treguan për temat që kishin qenë në qendër të takimit: marrëdhëniet e Shqipërisë në BE mbi të gjitha, marrëveshjet dypalëshe, si dhe shkëmbim opinionesh mbi çështje rajonale.
“Arsyetuam mbi diskutimin që bëhet në Evropë për njohjen Shqipërisë së statusit të vendit kandidat. – tha Letta – Për Italinë nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria i plotëson sot kushtet që të marrë përgjigje pozitive. E kemi thënë këtë në BE dhe Shqipëria e di që tek Italia ka mbështetje të plotë. Vlerësuam edhe format e mënyrat për punën e ditëve të ardhshme për të bindur edhe ato vende që akoma bëjnë qëndresë bazuar në dosje e aspekte të veçanta. Por nga ana tjetër, kryeministri Rama e di që familja evropiane është e gjerë dhe e komplikuar, shumë e komplikuar. Kur Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, – ka shtuar – do të kuptoni vërtet sa e ndërlikuar është familja evropiane. Puna bindëse që do të bëjmë këto ditë është absolutisht e rëndësishme. Natyrisht e bëjmë këtë sepse jemi të bindur që qeveria shqiptare ka vendosmërinë të vazhdojë në rrugën e reformave dhe të angazhimeve që në nivel ndërkombëtar, evropian janë në themel të rrugëtimit drejt statusit të vendit kandidat e më pas drejt aderimit”. Lidhur me bashkëpunimin dypalësh Itali-Shqipëri, Letta shprehu vendosmërinë e Italisë për të vazhduar edhe në të ardhmen të jetë partner strategjik i Shqipërisë.
“Kemi elementë të mundshëm bashkëpunimi por edhe të tjerë ekzistues që po japin rezultate të shkëlqyera. Kam parasysh punën tonë brenda projektit shumëkombësh të gazsjellësit TAP, një strukturë energjetike për ne shumë e rëndësishme”.
Bashkëpunimet mes dy vendeve janë të shumta e të fushave të ndryshme, ka kujtuar Letta duke përmendur edhe kooperimin mes forcave të rendit e vizitën në Shqipëri një ditë më parë të kreut të policisë italiane Alessandro Pansa.
“Diskutuam edhe situatën në rajon, për marrëdhëniet me Serbinë, temën e Kosovës, çështje të cilave u japim rëndësi të veçantë, e për të cilat duam të punojmë së bashku sepse jemi të mendimit që puna e përbashkët mund të japë rezultate të shkëlqyera”.
Së fundi, Letta ka falënderuar Ramën për vizitën dhe i ka uruar sukses në “punën e tij për çuarjen e Shqipërisë drejt Evropës”.
Fjalën e tij, Rama e nisi me falënderimet “për mikpritjen e mbështetjen që Italia gjithnjë i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt Evropës” dhe ka theksuar “vëmendjen e veçantë të kryeministrit Letta dhe të ministres Bonino ndaj çështjes sonë” duke arritur edhe “rezultate të veçanta”.
“Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat. Ne presim me durim edhe ndonjë vend anëtar që ende ka dyshime për të thënë po për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, të bëjë edhe atë gjysmë hapi që është i nevojshëm për të arritur në konsensusin që do t’i jepte Shqipërisë atë që meriton, dhe që do t’i jepte shoqërisë atë stimul që shërben për vijimin në rrugën e reformave, që nuk janë të lehta por të domosdoshme për rrugën tonë drejt integrimit evropian”.
Duke folur për takimet me sipërimarrësit, kryeministri Rama u shpreh: “Të vizitosh Italinë është gjithnjë një nder e kënaqësi por këtë radhë kënaqësia ka qenë e veçantë pasi kemi pasur takime me sipërmarrësit në Puglia, në Confindustria në Romë, pjesë e një rrugëtimi që do të vazhdojë në janar drejt veriut. Me këto takime duam të jappim një mesazh të fortë e të qartë: Shqipëria është e gatshme të presë investime të reja italiane me kushte që mendoj se për ta janë optimalë. Kemi një vend që kupton gjuhën italiane, një krah pune që kushton pak krahasuar me Italinë e BE-në, kosto pune të ulët, tatim tejet të ulët, por edhe vullnet për të lehtësuar e thjeshtëzuar në maksimum burokracinë e për t’u dhënë ndërmarrjeve italiane që vijnë në Shqipëri hapësira e struktura në mënyrë që ato të krijojnë vende të reja pune. Besoj se kjo nuk është vetëm e mundur por është shumë e leverdishme për të dyja palët, shumë e leverdishme për çdo sipërmarrje që dëshiron të ndërkombëtarizohet e që do të krijojë më shumë e të kontribuojë për të ardhmen tonë”.
Lidhur me çështjet e Rajonit Rama theksoi: “Viti i ri i gjen ballkanasit për të parën herë secilin në shtëpi të tij, pa frikën se ka jashtë fqinjin që i drejton armën. Sepse me paqen mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve ka marrë fund një erë dhe ka nisur një histori e re, bashkëpunimi, paqeje dhe zhvillimi”.
“Së fundi dua të shpreh mirënjohjen time Italisë edhe sepse na ka shoqëruar në një rrugëtim tejet të vështirë kalimi nga diktatura dhe izolimi në një sistem të ri demokratik që duam akoma më demokratik, duke na ndihmuar për ngritjen e strukturave efikase. Siç po bën edhe në orët e fundit me mbështetjen për policinë e forcat e rendit. Besoj që është shumë e rëndësishme që në këtë fazë, bashkëpunimi e mbështetja të jenë më të fuqishme për të luftuar me sa më shumë efikasitet si këtu si në Shqipëri krimin e organizuar që është një e keqe që duhet luftuar së bashku e jo vetëm nga dy vendet tona por nga shumë vende njëherësh sepse në botën e re edhe kriminaliteti është globalizuar e ka krijuar një rrjet që nuk njeh kufij.
Mbështetja që Italia na jep në këtë aspekt, na ndihmon për të qenë akoma më efikasë në luftën kundër krimit që ka të bëjë me dosjet që përmendi kryeministri Letta për të cilat disa shtete nuk janë të bindura për njohjen Shqipërisë së statusit të vendit kandidat”.
Së fundi Rama ka falenderuar homologun e tij që edhe pse në një periudhë plot telashe të politikës së brendshme italiane “gjen kohën të merret edhe çështjet e miqësisë e të bashkëpunimit me një vend mik e fqinj, një vend që mund të duket Italia e gjyshërve tuaj por që i ka të gjitha për t’u bërë pjesë e Evropës, por edhe faktor zhvillimi për vetë Italinë”.
Shqiptari i Italisë
Kryeministri Rama në Bari: “Duam të jemi tokë shprese për sipërmarrësit”