“Rritet ndjeshëm numri i turistëve shqiptarë që do të kalojnë festat e fundvitit apo verën e ardhshme në BE”. Këtë deklaron për ATSh-në Kryetari i Bashkimit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë, Sadik Malaj
Tiranë, 12 dhjetor – Liberalizimi i vizave të Shqipërisë me vendet e Bashkimit Europian, që nis nga mesi i dhjetorit, do të sjellë konfigurim të ri në tregun e udhëtimeve të shqiptarëve dhe zgjerim të hartës gjeografike turistike drejt vendeve të zonës Shengen, ndërsa operatorët e agjensive turistike premtojnë ulje me rrreth 20% të çmimeve si për biletat, ashtu edhe paketat turistike.
Kryetari i Bashkimit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë, Sadik Malaj, në një intervistë për ATSh-në deklaroi se gjeografia e lëvizjeve turistike të shqiptareve me liberalizimin e vizave të vendeve Shengen do të krijojë tendenca të reja të daljeve turistike.
“Parashikimet tona për të ardhmen pas liberalizimit të vizave për shqiptarët bën të mundur që turizmi “outgoing” apo daljet turistike të shqiptarëve të rriten me rreth 43 %, rritje që do të jetë më e madhe në vendet e zonës Shengen, nga rreth 15 % që ka qenë për gjithë vitin 2010″, tha Malaj.
Sipas tij, nisur nga koha e marrjes së vendimit nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian me 8 nëntor për liberalizimin e vizave të shqiptarëve me vendet e Shengenit pas datës 15 dhjetor, operatorët turistike kanë riparë ofertat turistike të fundvitit, pasi kërkesat kanë njohur rritje të ndjeshme.
“Operatorët turistikë kanë përgatitur paketat e tyre turistike ekonomike drejt destinacioneve Greqi, Itali, Slloveni, Hungari, Austri, Spanjë, Francë etj”, deklaroi Malaj. Ai u shpreh se operatorët turistikë shqiptarë, të vëmendshëm ndaj tendencave të reja zhvilluese në lëvizjet turistike, po u paraprijnë atyre me kontakte të ngushta e të drejtpërdrejta, me tour operatorësh nga vendet mesdhetare e perëndimore të Bashkimit Europian. “Operatorët shqiptare dhe organizata e tyre, Bashkimi i Operatorëve Turistikë Shqiptarë, UOTSh, janë bërë më operativë me praninë e tyre në panairet turistike të kësaj periudhe si në Poznan, Varshave, Selanik, Rimini, Utreht, Helsinki, Madrid, Milano, Berlin, Prage etj”, vijoi Malaj. Sipas tij, nën menaxhimin e UOTSH, janë zhvilluar info-toure të organizuara me operatorë të interesuar për këto tregje në fillim të tetorit në Korfuz me 20 operatorë turistike, në mesin e nëntorit në Selanik me 15 operatore turistike, ne fundin e shkurtit ne Egjypt, ne fillim te prillit ne Spanje etj, ndërsa ne muajin maj jane te ftuar rreth 30 operatore polake ne Shqiperi ne nje infotur 6 ditor etj.
“Operatorët turistike kanë ofruar për periudhën e festave të fundvitit paketa turistike si dhe bileta udhëtimi 15-20 % më të ulëta krahasuar të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, tha Malaj. Konkretisht paketat turistike të operatorëve shqiptarë që ofrohen për Korfuzin, Selanikun, apo drejt Italisë këtë periudhë janë më të ulta se turet e bëra deri tani për vende si Kroaci dhe Slloveni, pasi edhe distancat tokësore janë më të afërta.
“Operatorët turistike parashikojnë rritje të daljeve turistike drejt destinacioneve turistike të Greqisë, Italisë dhe Spanjës, në veçanti gjatë sezonit vere 2011 në plazhet mesdhetare më me emër të këtyre vendeve”, deklaron Malaj.
Gjithashtu, drejt këtyre vendeve, prioritare përsa i takon trashëgimisë turistike e historike mesdhetare të kulturave helene, romake, bizantine etj, do të ketë rritje të grupeve shqiptare me paketa turistike disaditore.
Malaj vlerëson se ndikim në rritjen e fluksit të shqiptareve drejt tregjeve turistike të këtyre shteteve, në veçanti Greqisë dhe Italisë, sjell dhe prezenca dominuese me lidhjet shume të mëdha familjare me emigracionin shqiptar resident prej shumë vitesh atje. “Afërsia gjeografike me këto vende do të ketë impakt pozitiv edhe në ndërtimin e paketave turistike “të mira e të lira”, tha ai.