in

Lidhjet civile. Italia ka më në fund ligjin që u njeh të drejtat edhe çifteve gay

Me ligjin e sapomiratuar, në normativën italiane futen dy risi absolute, disiplinimi ligjor i çifteve të formuara nga dy persona të të njëjtës gjini dhe i bashkëjetesës së çifteve heteroseksuale të nuk janë lidhur në martesë

Romë, 12 maj 2016 – Më 11 maj, Parlamenti italian miratoi më në fund një ligj që do të hyjë në histori për njohjen e të drejtave të një fete të mirë të popullsisë. Në Dhomën e Deputetëve u miratua përfundimisht me 372 vota në favor, 51 kundër dhe 99 abstenime ligji mbi “Lidhjet civile”. Ligji i sapomiratuar, i përbërë nga një nen i vetëm me 69 paragrafë fut për të parën herë në normativën ligjore italiane norma që disiplinojnë lidhjet mes personave të të njëjtës gjini dhe bashkëjetesat e çifteve që nuk kanë lidhur martesë.

Praktikisht, ligji barazon në shumë aspekte “lidhjen civile” me martesën. Praktikisht thotë se, “dispozitat që përmbajnë fjalët “bashkëshort/e”, “bashkëshortë”, “i shoqi”, “e shoqja”, “dhëndri”, “nusja”, në cilatdo ligje, dekrete dhe rregullore qofshin, zbatohen edhe për secilën palë të lidhjes civile mes personash të të njëjtës gjini”.

Pikat kryesore të ligjit më në hollësi parashikojnë që:

– Lidhja civile nënshkruhet përpara një nëpunësi të zyrës së Gjendjes Civile në prani të dy dëshmitarëve dhe regjistrohet në një regjistër komunal.

– Ashtu si martesa, edhe lidhja civile nuk mund të regjistrohet nëse:

1. një nga partnerët është i martuar apo ka nënshkruar një lidhje tjetr civile;

2. është nën 18 vjeç (me përjashtim të rasteve kur ka autorizim të posaçëm);

3. nuk është i aftë mendërisht;

4. ka lidhje familjare me partnerin;

5. është dënuar për vrasje apo tentativë vrasjeje të bashkëshortit të partnerit.

– Regjimi juridik i lidhjes civile (të drejtat e detyrimet, rezidenca, abuzimet në familje, largimi, prishja e lidhjes) disiplinohet nga të njëjtat norma ligjore civile që kanë të bëjnë me martesën.

– Lidhja civile ka të njëjtat të drejta dhe detyrime të një çifti të martuar përsa i përket asistencës shëndetësore, asistencës në burg, ndarjes apo bashkimit të të mirave materiale, përfitimit të një pjese të pensionit në rast të vdekjes së partnerit.

– Çiftet që bashkëjetojnë kanë mundësi të disiplinojnë marrëdhëniet mbi pronësinë përmes kontratash bashkëjetese që mund të lidhin para një noteri.

– Për prishjen e “lidhjeve civile” aplikohen të njëjtat norma që ekzistojnë mbi divorcin.

Ligji mbi lidhjet civile sjell risi të rëndësishme edhe për imigrantët. Njësoj si italianëve edhe atyre do t’u njihet lidhja civile, që duke pasur vlerë si të ishte martesë, do t’u lejojë partnerëve të bëjnë bashkim familjar e të jetojnë bashkë me leje qëndrimi dhe nëse njëri prej tyre është apo bëhet italian, tjetri do të ketë mundësi të marrë shtetësinë pas dy vjetëve bashkëjetesë siç ndodh sot për shtetësinë për martesë.

Lexo edhe: Çiftet gay për imigrantët? Nënkuptojnë edhe lejeqëndrim e shtetësi

K.B.
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Mbi 1.300 shqiptarë kërkuan strehim në Gjermani në prill

Studentët e kërkimtarët e huaj, së shpejti rregulla të reja për të gjithë BE-në