in

Liliana Kondakçi nxirret nga burgu e dëbohet nga Italia

Këngëtarja Liliana Kondakçi, e arrestuar në Selanik më 3 prill të vitit 2010, ka përfunduar dënimin që i ishte dhënë nga drejtësia italiane për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe është riatdhesuar

Romë, 17 janar 2013 – Me titullin ‘La Mina d’Albania è tornata in libertà’, e përditshmja italiane ‘Gazzetta  del Sud’ ka dhënë sot lajmin se këngëtarja Liliana Kondakçiu e dënuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike ka dalë nga burgu dhe është riatdhesuar.

Ajo ishte arrestuar fillimisht në maj të vitit 2006, në stacionin hekurudhor Sibari të provincës së Cosenza-s me tre kilogram kokainë në çantë. Asokohe ajo pati deklaruar se pakoja me drogë ishte dhuratë nga dikush dhe ajo nuk ishte në dijeni për përmbajtjen e saj. Megjithatë u mbajt në burg e më pas në kushtet e arrestit të shtëpisë pranë një institut murgeshash. Duke përfituar nga arresti i shtëpisë, këngëtarja ishte larguar duke arritur të fshihet në  Greqi.

Në fund të muajit tetor të vitit 2008 Guardia di Finanza gjatë një operacioni të zgjeruar antidrogë me emrin “Shkodra” arriti të sekuestronte gati 500 kilogramë lëndë të ndryshme narkotike në krahinën e Kalabrisë. Gjatë operacionit u arrestuan 20 persona, mes tyre edhe shqiptarë. Sipas të dhënave të atëhershme, pjesë e trafikut të drogës për të cilët ishin bërë arrestimet ishte edhe këngëtarja shqiptare Liljana Kondakçi, e njohur mes pjesëtarëve të grupit si “mamaja” apo “këngëtarja”. Asokohe u tha gjithashtu se këngëtarja shqiptare ka përdorur popullaritetin e saj për t’u shpëtuar kontrolleve të policisë në Shqipëri e për të transportuar lirisht drogën. Kështu, erdhi vendimi i ri i gjykatës: tjetër urdhër për arrestimin e këngëtares me akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, urdhër i cili mbeti i pazbatuar deri më 3 prill 2010, deri sa Liljana Kondakçi u kap në Selanik.

Me t’u ekstraduar në Itali, ajo iu nënshtrua sërish procesit gjyqësor dhe u mbyll në burg deri para pak ditësh kur është lënë e lirë dhe është dëbuar nga Italia siç parashikon ligji Bossi-Fini.

Red. Shqiptari I Italise

Sërish probleme me pasaportat biometrike të emigrantëve në Greqi

L’Aquila. Vret për xhelozi ish gruan dhe të fejuarin e saj