in

Lin Delija e Ibrahim Kodra ‘kthehen’ në atdhe për 100-vjetorin

Në këtë vit jubile, Galeria Kombëtare e Arteve do të ekspozojë krijimet artistike të piktorëve shqiptarë Lin Delija dhe Ibrahim Kodra. Në kuadrin e 100 vjetorit të Flamurit, dhe ekspozita me fotografi si një proces dokumentimi i ngjarjeve para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë

Në një intervistë për ATSH-në, drejtori i GKA-së, Rubens Shima, u shpreh se një pjesë e rëndësishme e kalendarit vjetor të GKA-së është ideuar në kuadrin festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, dhe dy ekpozita të rëndësishme janë ato të Delisë dhe Kodrës, artistë të famshëm shqiptarë që kanë jetuar për vite me radhë në Itali, ku edhe kanë ndërruar jetë.

Lin Delija
“Lin Delija, i njohur në Shqipëri, por jo aq mirë i prezantuar, është ekspozuar herë pas here në ekspozita të vogla, modeste, ndërsa kësaj here, GKA do të organizojë një ekpozitë personale me veprat e tij më të mira”, tha Shima.

Ekspozita e Lin Delisë, veprat e të cilit ekspozohen në Vatikan, Romë, Kanada, Gjermani, New York, etj do të vijnë në bashkëpunim me muzeun e tij në Itali. Ndërkohë që ekspozita e Ibrahim Kodrës do të çelet në bashkëpunim me Fondacionin Kodra në Milano, ku një grup i GKA-së do të përzgjedh veprat më të mira të tij.

Ibrahim Kodra
“Ajo që vlen të përmendet është që gjysma e veprave të Kodrës ndodhet në Tiranë, në pronësi të koleksionistëve shqiptarë. 50% e ekspozitës në GKA do të jetë me veprat e këtyre koleksionistëve dhe pjesa tjetër do të jetë nga Fondacioni Kodra”, tha drejtori i GKA-së, Shima.

Sipas tij, një tjetër projekt i GKA-së, për 100 vjetorin e pavarësisë, është dhe ekspozita me fotografi si një proces dokumentimi i ngjarjeve para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë.

“Nga Arkivi i Shtetit dhe arkivi i Fototekës “Marubi” do të përzgjidhet kjo periudhë historike dhe përmes dëshmisë fotografike do të përcillet atmosfera, mentaliteti, gjendja, personazhet që krijuan dhe shpallën pavarësinë”, tha Rubens Shima.

Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, Galeria Kombëtare e Arteve ka zhvilluar tre konkurse, dy prej të cilave, ajo e posterit dhe e monumentit të Pavarësisë, janë në proces, pas përzgjedhjes së logos.

Sipas Shimës, artistët për konkursin e posterit janë duke punuar për të, ndërsa për konkursin për monumentin i cili është edhe ndërkombëtar, GKA është kontaktuar nga studio dhe artistë kryesisht të huaj, të cilët janë në proces pune.

I pyetur se, përse për një festë kombëtare dhe për një monument me temë kombëtare do të zhvillohet një konkurs ndërkombëtarë, Shima tha se, kjo është një praktikë e zakonshme ndërkombëtare. “Për një vepër kaq të rëndësishme, ideja jonë është që të ftojmë artistë dhe studio sa më të rëndësishme ndërkombëtare dhe vendase për të krijuar një vepër cilësore”, tha Shima.

Por, edhe pse konkursi për monumentin është shpallur, ende nuk ka një vendim se cili do të jetë sheshi ku ai do të vendoset. Sipas Shimës, janë disa sheshe që po shqyrtohen dhe shumë shpejt do të merret vendimi, por më me rëndësi është krijimi i një vepre bashkëkohore i shprehuer përmes një gjuhe dhe formave estetike.

Krahas ekspozitave për këtë vit jubile të vendit, në GKA nuk do të mungojnë as ekspozitat e artistëve të huaj, pjesë e të cilave, gjatë këtij sezoni artistik do të çelet ekspozita kushtuar artit bashkëkohorë britanik. Gjithashtu, GKA do të çelë edhe një ekspozitë kushtuar dizajnit, që në fillesat e tij e deri në ditët e sotme. (ATSh)

 

Katër i Radës. Përurohet monumenti i artistit grek Varotsos

Prezervativë të falsifikuar nga Kina drejt Shqipërisë. Sekuestrohen në portin kalabrez