in

Lind SHEKM, për një kulturë të re në informimin e shoqërisë

Intervistë me pedagogen Genta Skura, presidente e Shoqatës evropiane për kulturë mediatike: “Qytetari ka të drejtën të mirinformohet. Të njohë ligjin e Maliqin. Të mund të zgjedhë jo të pranojë imponimin. Qytetari ka të drejtë të informohet mbi çështje që i përkasin shëndetësisë, jetës shoqërore të Shqipërisë, integrimit të të paaftëve, ndihmës për nevojtarët, burokracisë. Gazetari nuk mund të kthehet në një “zëdhënës” të njërit apo tjetrit politikan apo biznesmen”.

Të shkruash është dhunti, por gazetaria është mbi të gjitha kurajo. Kush zgjedh rrugën e mirinformimit nuk duhet e nuk mundet të ndikohet nga bindje apo interesa politike dhe ekonomike. Por si mund të mbushen vallë me gazetarë 79 kanale televizive e dhjetëra gazeta?

U është e qartë të gjithëve që niveli i formimit kulturor të një pjese jo të paktë të të rinjve shqiptarë varet nga sistemi i sëmurë i disa prej Universiteteve private (të tjerë janë për t’u marrë shembull). Sipas raportit të fundit të Ministrisë se Arsimit, universitetet private që plotësojnë kushtet për t’u njohur nga istitucionet shtetërore e që do mund të mbijetojnë në Shqipëri janë më pak se gjysma e atyre ekzistues.

Duke marrë diploma si të blesh mish me kile, – mish i shtrenjtë por jo i ushqyeshëm -, duke lejuar lindjen e intelektualëve të formuar ne universitete që sot Shteti zbuloi se ishin pa parime. E si mund vallë, Shteti të gjykojë karrierën e tyre universitare kur ai vetë u dha lirinë e plotë të përdorimit të sistemit të sëmurë formues?

Për këtë arsye e njëmijë e një të tjera ka marrë jetë Shoqata Evropiane për Kulturë Mediatike. Ka lindur vetëm pak muaj më parë me synimin, ndër të tjera, t’i japë jetë një brezi të ri gazetarësh të lirë e të guximshëm, të pandikuar nga pushteti politik e ai ekonomik. Edhe pse shumë e re, shoqatës i është propozuar nga universiteti Danubio i Rumanisë të bashkëpunojë në fushën e komunikimit me shoqërinë civile.

“Qytetari ka të drejtën të mirinformohet. Të njohë ligjin e Maliqin. Të mund të zgjedhë jo të pranojë imponimin. Qytetari ka të drejtë të informohet mbi çështje që i përkasin shëndetësisë, jetës shoqërore të Shqipërisë, integrimit të të paaftëve, ndihmës për nevojtarët, burokracisë. Gazetari nuk mund të kthehet në një “zëdhënës” të njërit apo tjetrit politikan apo biznesmen” – thotë hapur Genta Skura, presidente e SHEKM, pedagoge në Fakultetin e Gazetarise e Komunikimit ne Universitetin e Tiranës , gazetare e analiste.

Pse vallë u vonua kaq shumë krijimi i një shoqate që të ketë për parim  mirinformimin e qytetarit?

Në realitet ky është një projekt që ndiqet prej vitesh. Sëbashku me kolegët i jemi përkushtuar krijimit të kësaj shoqate me mjaft vullnet e prisnim vetëm momentin ideal për ta çelur atë. Më së fundmi arriti.

Mendoni pra që tashmë Shqipëria ka arritur në një keqinformim të atillë sa gazetarët  që janë kthyer në “zëdhënës”mbizotërojnë mbi ata ndjekin karrierën e gazetarit me pasion e dedikim?

Mendoj që po! Në Shqipëri ekziston një organizatë mjaft aktive për gazetarët, që shërben si mbështetje e punës së tyre. Këtu gjejmë plot gazetarë të mirëfilltë, që kanë studiuar e vazhdojnë të studiojnë botën e komunikimit. Gazetarë në kërkim të së vërtetës e të thelbit. Por, shpeshherë ndodh që kur lajmi nuk përputhet me interesa të ndryshme politike dhe ekonomike puna e këtyre gazetarëve nuk merr konsideratën e duhur edhe pse është pikërisht thelbi që duhet t’i interesojë publikut lexues e shikues.

Si u prit themelimi i shoqatës nga shoqëria?

Dita e përurimit kaloi më mirë nga ç’e imagjinonim, e kjo na jep shtysë e shpresë që vendimi për krijimin e shoqatës ishte i domosdoshëm. SHEKM është e hapur për të gjithë ata studiues, gazetarë, analistë e jo vetëm që kanë përzemër mirëqenien e shoqërisë duke pasur si parim mirinformimin.
Tashmë janë të shumta figurat që duan të anëtarësohen në shoqatë e ne sipas parimeve tona do t’i seleksionojmë, në mënyrë të atillë që emri i tyre të përfaqësojë denjësisht SHEKM e idealet e saj.

Cilat janë atëherë cilësitë e nevojshme për t’u bërë anëtarë të shoqatës?

Cilësia bazë është formimi i përkryer i profesinistit. Vazhdimësia e tij në studime të fenomeneve shoqërore e bindja e fortë për një Informacion të denjë e të plotë për shoqërinë. Anëtarët janë të shumtë, madje është e madhe mbështetja nga figura intelektuale shqiptare që kanë ecur përpara në universitete të huaja të mirënjohura. Kemi gjithashtu mbështetjen e intelektualëve nga Kosova e Maqedonia të specializuar në arsim, të Presidentit të Universitetit të Bukureshtit (Rumani). Në stafin tonë do të gjeni studues jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj të përgatitur mbi tematika të veçanta që do të ndjekin.

Duket se lufta juaj nuk është kundër një ane politike apo ekonomike. Ju i drejtoheni drejtpërdrejt publikut, dëshironi të jeni një pikëmbështetjeje për shoqërinë. Mendoni se mediat në tërësi do t’ju japin hapësirën e duhur për të bërë t’u njohur?

Kam bindjen se po. Gjatë përurimit, mediat që përcollën lajmin kanë qenë të shumta. Gjatë ditës së prezantimit në Vlorë (më 28 qershor) ka qenë mes nesh, për të folur për nismën tonë e për të kërkuar me praninë e tij mbështetje të mëtejshme dhe Mentor Kikia, kryeredaktor i lajmeve në Top Channel, një nga mediat më të ndjekura shqiptare.

Ne nuk jemi kundër mediave, ne jemi komunikues e përdorues të tyre. Besojmë thelbësisht në lirinë e shtypit dhe çdo media, si e shkruar ashtu edhe televizive e online, ka për bazë pikërisht lirinë e saj, të shprehet hapatzi e të informojë si duhet sot, që të mund të vazhdojë jetën e saj nesër.

Cilat janë nismat kryesore që SHEKM ka marrë për zemër që në hapat e saj të parë?

Do nisesha me një shembull të thjeshtë. Qytetari shqiptar përdor normalisht bankomatin, monedhën elektronike, por ai nuk di ku shkojnë e si investohen paratë që mban në bankë e nuk di as sa i kushton ky shërbim që i ofrohet nga banka. Një shembull simbolik, por domethënës, pasi qytetari nuk është i informuar mbi zhvillimin e aktivitetit të bankës.

Një shembull edhe më i rëndë. Prej vitesh në Shqipëri kush gjendet i goditur nga sëmundja e shekullit, kanceri, nëse nuk ka mundësitë ekonomike të paguajë 4 mijë euro kemioterapinë është i dënuar me vdekje. E kush këtë mundësi e krijon, të shumtën e rasteve me sakrifica marramendëse, zbulon një ditë të bukur që ilaçet e përdorura nuk ishin konforme me ligjin, e serish vdes. Veç dhimbjes për humbjen e të dashurit të sëmurë, mbetet edhe situata dramatike që pret familjen. Në rastin e një gruaje që humb të shoqin me këtë sëmundje, ajo dhe fëmijët që mbështeteshin (pjesa dërrmuese e shqiptareve janë kështu) mbi rrogën që i sëmuri sillte gjatë  jetës së tij në shtëpi, zbulojnë që asistenca që shteti u jep është një hiç: 10 mijë lekë nuk i mjaftojnë një familjeje për të mbijetuar. Fakti është që mediat nuk u kanë dhënë rëndësinë e duhur temave shoqërore. Kur një realitet i tillë kalon në heshtje gjithëkush ndihet i autorizuar të mendojë se është normale e nuk lufton për të kundërtën. Qëllimi i SHEKM është të luftojë për një informacion mediatik që të ushqejë shoqërinë shqiptare me udhëzimet e shtetit, me detyrimet ndaj shtetit e mbi të gjitha me të drejtat e tyre parësore të njohura dhe nga kushtetuta.

Ideja e SHEKM ngjan vërtet e vyer dhe e vonuar për një Shqipëri kandidate në Evropë. Si u prit shoqata nga politika?

Gjatë ditës së dytë të përurimit në Vlorë, në konferencë gjetëm figura të ndryshme të politikës shqiptare në terren e kjo na gëzon jashtë mase, pasi nuk jemi kundër njëra-tjetrës por kemi qëllim të përbashkët. Shqipëria ushqehet me politikë e ne kërkojmë thjesht që te bëhet çfarë është e mundur që politika dhe mediat t’i përkushtohen zhvillimit shoqëror, arsimimit cilësor të të rinjve, të investojë në kulturën civile, të mirësjelljes, të respektit për gjënë e përbashkët, në kërkimin e standardeve të larta në mjekësi, për angazhimin e shkencëtarëve në studime, pra gjithçka që ka të bëjë drejtpërdrejt me shoqërinë në të cilën jetojmë, për ta ndërgjegjësuar atë.

Darina Zeqiri

 

“Pazza idea” me protagonistë dy të rinj shqiptarë, në kinematë italine

Me biletën Bari-Durrës blen edhe vonesat e peripecitë