in

Linda Vukaj: “Pezull mes dy botëve”

Me formim fizikane dhe me pasion fotografinë. Ekuilibër dhe elegancë, gjeste apo peizazhe, të gjitha këto në objektivin e Lindës kthehen në një lloj rrëfimi të jetës dhe emocioneve. Edhe kur flet, me zë delikat me një tingull të pastër, rrëfimi i fotografes është plot ndjenjë dhe i mbarsur me pamje, si tablo në fjalë. Ekspozita e saj e hapur në Parma titullohet “Pezull” jo rastësisht. Është një ndjesi që provojnë në përgjithësi mërgimtarët. Ndodh që një kulture e re, e ndryshme nga e jotja zhvillohet, rritet, arrin nivelin e kulturës tënde dhe ndodh si një farë “konflikti” brenda vetes…dhe sensacioni është ai i të ndjerit pezull. Të tillë ndjesi Linda e ka provuar edhe kur është kthyer në Shqipëri, ku pas shumë vitesh, në vendlindjen u ndie pezull.

Kur ndodhesh përpara veprave të fotografëve të mëdhenj shpesh të vjen në mend pyetja se ku qëndron ndryshimi mes shkrepjes së aparatit fotografik dhe artit, se kur një çast hyn në objektiv dhe del që andej në formën e një ndjenje dhe jo thjesht të një pamjeje në celuloid.

Të njëjtën ndjesi japin edhe fotografitë e Linda Vukaj, durrsake me banim prej shumë vitesh në Itali. Aktualisht në mjediset e  Shtëpisë së Muzikës në Parma është hapur një ekspozitë e saj me titullin “Pezull”.

25 vepra bardhezi të realizuara në Durrës, qyteti i lindjes ku ka rigjetur origjinën, gjurmët që ajo le tek secili prej nesh. Pjesëza kujtimesh, vende ku Linda ka kaluar fëmijërinë apo adoleshencën, portrete fqinjësh apo njerëzish të panjohur, kanë hyrë në objektivin e artistes me delikatesë dhe me një forcë të madhe shprehëse. Dritëhijet e fiksuara ne celuloid nuk janë thjesht lojëra linjash e sfondesh të ekuilibruar, janë një deklaratë dashurie për njerëzit dhe vendin e saj.

Lindja Vukaj ka ndërprerë studimet në Universitetin e Tiranës, dega Fizikë, gjatë periudhës së rënies së komunizmit në Shqipëri në vitin 1991. Pas transferimit në Padova, ka vazhduar dhe përfunduar studimet për metodologji Fizike pranë Fakultetit të Shkencave Matematike, Fizike dhe Natyrore në Parma. Merret me projektimin e siteve, por puna e përditshme dhe angazhimi me fëmijët nuk e pengojnë në pasionin e saj. Dy aparatet Nikon F60 dhe Nikon D80 janë gjithnjë gati të kapin copëza jete, portrete, peizazhe nga më të ndryshmet.

Mjafton të shohësh fotografinë e saj me titull “Nuns” ku gjashtë murgesha kanë futur vetëm këmbët në ujin e detit në Capri. Një buzëqeshje kolektive fytyrash që jemi mësuar t’i shohim më të ngrysura, një fragment gëzimi nën vellot e bardha të rrethuara nga korniza e zezë që kujton përditshmërinë e tyre. Një çast që kthehet në një valle jete.

Sipas kritikëve pikërisht njohuritë e Lindës në fushën e fizikës e ndihmojnë në kapjen e çasteve dhe të lëvizjeve në fotografitë e saj. Ekuilibër dhe elegancë, gjeste apo peizazhe, të gjitha këto në objektivin e Lindës kthehen në një lloj rrëfimi të jetës dhe emocioneve. Edhe kur flet, me zë delikat me një tingull të pastër, rrëfimi i fotografes është plot ndjenjë dhe i mbarsur me pamje, si tabllo në fjalë. Mënyra se si tregon e si flet edhe për gjërat më të thjeshta, të rrëmben dhe të duket e natyrshme që nga duart e saj dalin këto fotografi.

Vetëm në vitin 2008 ka ekspozuar në Manhathan (New York, USA),në Sudosteuropa Institut (Berlin), në Galerinë Kombëtare të Kosovës (Prishtinë). Në Kosovë Linda Vukaj ka fituar çmimin “Gjon Mili”, çmim ndërkombëtar që mban emrin e fotografit të shquar shqiptaro-amerikan. Na tregon se ajo ka qenë një nga përvojat më të bukura dhe dëshira e madhe është që të ekspozojë dhe në Shqipëri.

Bota shqiptare: Me formim fizikane dhe me pasion fotografinë. Si kanë lindur tek ju këto dy pasione?
Linda Vukaj: Pasioni për fizikën ka lindur për induksion, për ta shpjeguar në terma shkencore, sepse studimet për fizike i pata filluar në Universitetin e Tiranës, në periudhën kur ishte e vështirë të zgjidhje se çfarë doje të studioje. Por për fat lëndët shkencore më kanë pëlqyer gjithmonë kështu që në Parma vazhdova studimet në të njëjtën degë, për fizikë.
Ndërsa pasioni për fotografinë është një pasion që ka lindur ngadalë, në fillim pa shumë pretendime por që është rritur në mënyrë eksponenciale. Ky pasion ka lindur dhe është zhvilluar falë ambientit artistik që më rrethon në familjen time dhe që më ka ndihmuar në një farë mënyre që pasioni për fotografinë të rritet çdo ditë e më shumë. Dhe mund të them se sot ky pasion e ka tejkaluar atë për fizikën saqë sot nuk mund të konceptoj që fotografia të mos jetë pjesë përbërëse e jetës time.

femijeI përkisni brezit të parë ta quajmë të emigracionit. Sot ç’kujtime keni nga kohët e para të jetesës në Parma? Ç’ju kujton atë periudhe, si të ishte një fotografi?
Po tashmë janë gati 20 vjet që jetoj në Itali dhe kujtimet, mbresat e viteve të para janë të shumta dhe të shumëllojshme. Por nuk do ta harroj kurrë dimrin e parë në Parma, kur pashë një mjegull aq të shpeshtë sa nuk dukej reale, ku nuk ishte e mundur të shihje se çfarë kishte një pëllëmbë afër teje.  Diçka të tillë e kisha parë vetëm në kinema, më kujtohet një film me Robin Hood dhe kam menduar gjithmonë se nuk do të ishte diçka reale por një efekt kinematografik. Efekti ishte i tillë që të duket sikur ndodhesh brenda një filmi të regjisorit Bernardo Bertolucci që në Parma ka realizuar shumë filma apo brenda fotografive të fotografit të madh Luigi Ghirri. Është një ndjesi e mrekullueshme që provoj çdo dimër kur mjegulla mbulon qytetin dalëngadalë…

Lexova diku që sipas disa kritikëve mënyra se si fiksoni çastin është fryt edhe i këtyre njohurive tuaja shkencore.
Mendoj se njohuritë e mija shkencore në një farë mënyre kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë mënyrën time të fotografimit. Mendoj se nuk është diçka e llogaritur por ka të bëjë me “edukimin” tim shkencor. Në vitin 2008 kam hapur një ekspozitë personale në Berlin me titullin “Momentum”, një term në të njëjtën kohë artistik dhe fizik. Por kur kam në dorë aparatin fotografik dhe shikoj nëpërmjet objektivit ato që provoj janë ndjenja, emocione që përcillen nëpërmjet syrit, tek mendja dhe zemra, dhe atë çast magjik, kur kjo alkimi ndodh, gishti shkrep dhe luan rolin e tij mekanik.

Pse “Pezull”? Gjëja e parë që më vjen ndërmend është sepse kush jeton jashtë atdheut është disi pezull, mes dy jetëve, mes dy vendeve?
Po, ekzakt! Titulli “Pezull” nuk është i rastësishëm, është një ndjesi që them se në përgjithësi provon kush jeton mes dy vendeve, mes dy kulturave, mes dy jetëve. Po është një ndjesi që kam provuar shpesh dhe në mënyrë të fortë veçanërisht në vitet e para të emigrimit në Itali. Ndodh që një kulture e re, e ndryshme nga e jotja zhvillohet, rritet, arrin nivelin e kulturës tënde dhe ndodh si një farë “konflikti” brenda vetes…dhe sensacioni është ai i të ndjerit pezull dhe i pyetjes kush jam? Cilës kulture i përkas? Të dyja kulturat duhet të jenë të barabarta, në ekuilibër? Është e drejtë që njëra kulturë të jetë më e fortë se tjetra? Pyetje që me kalimin e kohës, pak nga pak, gjejnë përgjigje në mënyrë të natyrshme brenda nesh. Për mua ky sensacion është zgjuar këtë radhë me kthimin tim në Shqipëri, ku pas shumë vitesh, në vendlindjen time u ndjeva pezull.

Ju nuk ishit kthyer në atdhe për një kohë të gjatë?
Po, kisha 10 vjet pa vajtur në Shqipëri, dhe vendosa të kthehem tek rrënjët e mia, në pikën zero, në vendin ku kam lindur dhe jam rritur. Kisha shumë dëshirë të takoja të afërmit dhe fqinjët, kisha mall të shihja lagjen, detin dhe qytetin tim, Durrësin. Vendosa te shkoja në dimër, edhe pse e dija se do të mund të kisha probleme teknike për realizimin e reportazhit.

Por ama kur keni shkuar, keni realizuar këtë reportazh që është një lloj himni dashurie për vendin, një lloj çmalljeje nga një këndvështrim që nuk ishte më ai që ke pasur kur ke ikur. Mua më është dukur si një shikim ‘përkëdhelës’ që keni dashur ta fiksoni me objektivin tuaj.
qirinjËshtë e vërtetë, këndvështrimi im ka ndryshuar, nuk është më i njëjti që kam pasur kur jam larguar para 20 vjetësh, dhe interpretimi që më bëni është perfekt. Jam munduar të fiksoj me aparatin tim jo vetëm të afërmit dhe fqinjët por dhe persona të tjerë që kam njohur në moment dhe me të cilët kam hyrë në sintoni. Do të duhej shumë kohë për të treguar sensacionet që kam provuar dhe historitë e shumë fotografive që bëjnë pjesë në këtë reportazh.
Në veçanti portretet janë realizuar në fund të vizitës time tek të afërmit e mi dhe tek fqinjët, pasi i kemi i treguar njëri-tjetrit se ç’kemi bërë në këto 10 vjet dhe jemi çmallur duke biseduar. Ka shumë mundësi që të kem transmetuar ne fotografitë e mija këtë shikim, që e quani përkëdhelës dhe që më pëlqen shumë.

Me turp po them që unë në Tiranë, që është qyteti im, ka pasur raste që kam humbur rrugën. Mua Tirana më duket si një qytet tjetër ku herë herë shfaqeshin kujtimet e herë të tjera si diçka e huaj që nuk më përket? Ju si e keni jetuar Durrësin kur jeni kthyer?
Durrësi me siguri ka ndryshuar shumë gjatë gjithë këtyre viteve, por unë kam lindur dhe jam rritur në Rrashbull, afër Durrësit, ku ndryshimet shihen më pak. Në udhëtimin tim pika referimi ishin të njëjtat e para 20 vjetëve: shtëpitë e fqinjëve, shtëpitë e të afërmeve të mi, që nuk i gjeta shumë të ndryshuara. Me siguri ka ndodhur një ndryshim i madh topografik, por unë synoja dhe arrita, besoj, që ky ndryshim të mos “shqetësonte” objektivin e udhëtimit tim. Por më ka ndodhur që persona me të cilët ndaloja dhe bisedoja të më pyesnin nëse isha e huaj, kjo për shkak të theksit tim që siç duket ka ndryshuar gjatë këtyre viteve. Ky ka qenë sensacioni që më ka bërë të ndihem e huaj në qytetin tim, dhe nuk është aspak i këndshëm.

Teknikisht si e keni vepruar për reportazhin? Si e keni zgjidhur problemin e dritës, në mënyrë të veçantë në fotografitë e realizuara kur mungonte korrenti.
Kamerat fotografike që kam përdorur për realizimin e reportazhit janë dy Nikon: një analoge dhe një digjitale.  Kam përdorur herë njërën herë tjetrën në momente të ndryshme dhe në bazë të kushteve teknike. Duke realizuar reportazhin në dimër, në fillim të dhjetorit, në radhë të parë kushtet klimaterike nuk janë të qëndrueshme, por unë adhuroj këtë lloj situate sepse të dhuron momente drite dhe një atmosferë që në një stinë tjetër është e pamundur të kesh.
Problemi më i madh ishte pasdite kur korrenti mungonte gati çdo ditë dhe disa portrete i kam realizuar në kushte gati errësire totale. Kur familja kishte një neon me gjenerator situata ishte akoma ok, por një portret e kam realizuar nën dritën e dy qirinjve dhe kjo fotografi është një nga ato që preferoj. Nga ana teknike problemi zgjidhet me një kavaletë të mirë, me një aparat fotografik që të lejon të rritësh sensibilitetin ISO dhe të bësh një fotografi edhe në kushte me shumë pak dritë.

Në portretet kam përshtypjen që keni fiksuar njerëz që i njihnit. E kur dikush i sheh këta njerëz në fotografitë tuaja, duket sikur këta njerëz arrijnë t’i prezantohen dhe shikuesit.
Po pjesa më e madhe e portreteve paraqet të afërmit dhe fqinjët, pra janë njerëz që njoh. Por ka dhe portrete njerëzish që nuk njihja fare përpara se të realizoja portretin, por që mund të them me bindje se një pjesë të madhe të tyre tashmë e njoh. Me siguri nuk më kujtohen emrat por kujtoj pa dyshim historitë e gjithsecilit. Nëse ky prezantim mes portreteve dhe publikut ndodh me të vërtetë, kjo gjë më bën shumë të lumtur, sepse në një farë mënyre është dhe synimi i këtij reportazhi: të prezantoj rrethana dhe njerëz që janë të rëndësishëm për mua dhe nëpërmjet tyre të tregoj një pjese edhe pse ndoshta të vogël, të jetës time.

flamuriKeni hapur ekspozita në vende të ndryshme të botës. Edhe në Kosovë. Si jeni pritur atje?
Për aktivitetin tim si fotografe Kosova ka qenë një fazë shumë e rëndësishme. Në veçanti fitimi i çmimit ndërkombëtar të fotografisë “Gjon Mili” në vitin 2008 ka qenë me të vërtetë një moment shumë i rëndësishëm sepse më dha mundësinë të prezantohem edhe me publikun e Kosovës. Nuk harroj kurrë të falënderoj miqtë e mi kosovarë që më kanë ndihmuar, përkrahur dhe me të cilët shkëmbejmë shpesh opinione mbi fotografinë.

Keni ndonjë plan për të ekspozuar në Shqipëri? Nuk besoj se tanimë do të lini të kalojnë 10 vjet të tjera pa u kthyer.
Do të më pëlqente jashtë mase të ekspozoja edhe në Shqipëri. Por fatkeqësisht nuk kam kontakte me galeri apo qendra ekspozimi. Shpresoj të arrijë ndonjë ftesë. E sigurisht nuk pres më 10 vjet, janë me të vërtetë shumë. Vitin e ardhshëm kemi në plan një udhëtim të gjatë për të zbuluar bukuritë e Shqipërisë, nga veriu në jug, së bashku me familjen time: Alessandron, bashkëshortin tim dhe dy fëmijët tanë. Aparati fotografik, tashmë përbërësja e peste e familjes, do te jetë një pasagjer fiks në këtë udhëtim, gati për të kapur dhe përjetësuar momente, jo më pezull!

Irida Cami, Bota Shqiptare 245

 

Me kartën italiane të qëndrimit a mund të punoj në një vend tjetër të BE-së?

Bari: zbulohet trafik i paligjshëm mbeturinash drejt Shqipërisë