in

Liqeni i Ohrit anëtarëson Shqipërinë në Europë

Qyteti i Pogradecit anëtarësohet në Eurolake duke konsideruar një ndër themeluesit e këtij forumi

Prej datës 2-6 Mars në Verbania të Piemontes është mbajtur konferenca e parë ndërkombëtare e liqeneve europiane “Eurolakes”. Me slloganin “Verbania Capitale dei Laghi Europei”- “Verbania Kryeqyteti Europian i Liqeneve”,  kryetari i bashkisë së Verbanias Marco Zachera hapi siparin e punimeve duke falenderuar të pranishmit dhe uruar mirseardhjen për përfaqësuesit e shteteve pjesmarrëse. “Më lejoni të përshëndes të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë që synon të jetë një rrjet i qyteteve liqenore në të gjithë  europën. Nuk ishte e lehtë për të organizuar këtë takim vetëm për shkak se lista e qyteteve liqenore është tepër e madhe çka vërehet edhe sot ku pjesëmarrja është me 70 qytete përfaqësese. Kjo është faza e parë e një iniciative europiane e cila shpresoj të jetë një jehonë e mbarë për vitet e ardhshme” – u shpreh Zachera në fjalën e tij.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin 13 shtete të përfaqësuara nga delegacionet e tyre, ndër shtetet e pranishme ishte dhe Shqipëria e përfaësuar nga gazetari Arsen Rusta. Shtetet e pranishme ishin të përfaqësuara me administratorë lokal, kordinator turistik, si dhe organizata të cilat kanë në fokus turizmin dhe ekosistemin. Pas përshëndetjes zyrtare të kryetarit të bashkisë Zacchera dhe të presidentit të Provincës Massimo Nobili, kanë vazhduar punimet e konferencës me delegacionet e pranishme nga Suedia, Shqipëria, Finlanda, Estonia, Zvicera, Gjermania, Greqia, Spanja, Rumania, Hungaria, Danimarka, Anglia, Italia, etj. Gjatë takimit u prezantuan qytetet liqenore, ku në fokus ishin potencialet turistike të këtyre qyteteve dhe ekoturizmi. Përdorimi i liqeneve si një kanal komunikimi ndërmjet shteteve si dhe ruajtia e ekoturizmit si një pasuri e përbashkët u përcollën nga të pranishmit si temat kryesore të konferencës.

Shqipëria u prezantua në këtë konferencë me liqenin e Pogradecit. Gjatë fjalës së tij, Arsen Rusta u shpreh se liqeni i Pogradecit është më tepër se një pasuri natyrore kjo sepse ky liqen është një pasuri kombëtare për dy shtete, Shqipërinë dhe Maqedoninë. “Unë vij sot këtu për të prezantuar nëpërmjet “Eurolake” për të gjithë të pranishmit qytetin e Pogradecit, qytetin i cili për të gjithë shqiptarët është i lidhur ngushtë me emrin e poetit të madh nga ky qytet Lasgush Poradeci, dhe burimin e jetës për këtë qytet liqenin e Ohrit”. Do dëshiroja shumë që sot Shqipëria apo qyteti i Pogradecit të prezantohej nga administratorë lokal siç përfaqësohen shumica e qyteteve këtu, por mungesa e tyre më jep më shumë kurajo për ti treguar kujtdo se pasuritë natyrore dhe ekoturizmi nuk janë pronë personale por pronë e përbashkët nga ku të gjithë duhet të përfitojmë dhe të kujdesemi si të ishte një fidan i brishtë, ku pa përkujdesjen e të gjithve jeta e tij do të bëhej tepër e vështirë – është shprehur Rusta. Pozicioni gjeografik, klima mesdhetare, burimet e pasura ujore, tradita shqiptare, si dhe mikpritja që karakterizon këtë shtet të vogël mesdhetarë kanë qenë ndër pjesët më atraktive për të pranishmit gjatë prezantimit të Shqipërisë. Në përfundim të prezantimit nga gazetari Arsen Rusta të qytetit të Pogradecit dhe liqenit të Ohrit, të pranishmit kanë mikpritur anëtarësimin e Shqipërisë në këtë konferencë Europiane duke vlerësuar ujin si një burim jetësor dhe një pasuri e cila nuk njeh kufij gjeografikë.

8 Marsi, dite feste apo proteste

Wikileaks: “Italia ka dështuar me imigracionin”