Lëvizjet politike në vend, aleancat parazgjedhore dhe klima e tensionuar politike në vend, ka spostuar vëmendjen nga një prej pikave tradicionalisht të dobta të proceseve elektorale në Shqipëri, listat zgjedhore. Edhe kësaj here, njëlloj si në 2009-tën dhe si gjithë herët e tjera, listat kanë pasaktësi të shumta. Dashamir Çali, ekspert dhe audit teknicien pranë KQZ-së, dëshmon të vërtetën ende të fshehur mbi listat, që nga votuesit që mund të votojnë dy herë, tek zgjedhësit pa adresë e deri tek zgjedhësit e vdekur që “ftohen” sërish të votojnë për ngjyrën e qeverisjes në qershor
Nga Lorenc VANGJELI
Në momentin që janë kristalizuar frontet e betejës elektorale të 23 qershorit, pakkush kujtohet për “ushtrinë” e votuesve që do të ndeshen për siglat e njërës apo tjetrës parti. Në krahasim me katër vjet më parë, ka më pak zhurmë për listat zgjedhore, por kjo nuk do të thotë automatikisht se ka më pak probleme. Emra të dubluar, votues që nuk gjenden në lista apo votues pa adresë banimi, qytetarë mbi 100 vjeç që ndodhen në lista, por që me të gjitha gjasat janë të vdekur dhe familje të dubluara në lista, këto janë vetëm disa nga problemet që ende hasen në lista dhe që praktikisht, do të krijojnë një marzh gabimi dhe një mundësi deformimi të vullnetit të qytetarëve në votime.
Një studim i hollësishëm i Dashamir Çalit, auditi teknicien pranë KQZ-së, jep një panoramë të asaj çfarë fshihet në lista. Eshtë një raport me shumë pikpyetje të cilat i kërkojnë përgjigjet nga autoritetet dhe që dëshmon se çfarë duhet ndryshuar, çfarë duhet saktësuar dhe ndrequr në këto lista. Paraprakisht, një gjë është e sigurt: sido që të vejë puna e standarteve zgjedhore në 23 qershor, sërish në survejimin që do t’i bëhet procesit dhe në raportin e përkatërvjetshëm të OSBE/ODIHR-it, nuk do të mungojë fraza e transferuar nga zgjedhjet në zgjedhje: megjithë përmirësimet e kryera, probleme serioze u evidentuan në listat zgjedhore.
Dinamika e lëvizjeve
Në total, në 23 qershor thirren në apel për të votuar 3 milion e 279 mijë e 289 qytetarë shqiptarë, të moshës nga 18 vjeç që është brezi i parë i votuesve dhe deri në 128 vjeç që është “votuesi” më i moshuar. Ajo është Zane Topi, e bija e Abazit dhe Refies nga Qarku i Fierit, votuese në komunën Fier Shegan, që ka lindur në 13 janar të vitit të 1885.
Këto janë të dhënat e listës paraprake të datës 3 prill. Në krahasim me listën tjetër paraprake e një muaji më parë janë 2026 votues më pak. Kjo shifër ka ardhur si rezultat i heqjes nga listat si të vdekur apo të larguar prej tyre për shkak të dublikimeve të 4177 zgjedhësve, por njëkohësisht, janë shtuar dhe 2151 zgjedhës të rinj të cilët nuk ishin evidentuar më parë.
Po në krahasim me këto dy muaj, mars dhe prill, raporti zbulon lëvizje të numrit të votuesve nga njëri qark në tjetrin. Kështu, në Tiranë janë shtuar 748 zgjedhës dhe janë larguar 584 të tillë, me një diferencë prej 164 votuesish, në Shkodër janë shtuar 124 zgjedhës dhe janë larguar 403, në Kukës janë shtuar 26 votues dhe janë larguar 238 votues, në Elbasan janë shtuar 10 votues dhe janë larguar 413 të tillë, me një diferencë nga marsi në prill prej 403 qytetarësh më pak në këtë qark.
Zgjedhës të dyfishtë
Listat ende i japin mundësinë jo vetëm teorike një votuesi që të votojë dy herë në dy qendra të ndryshme votimi. Duke krahasuar të dhënat e tyre, ngjashmërinë e emrave, mbiemrave, atësisë, mëmësisë dhe ditëlindjeve, del që ka një numër ende të lartë të këtyre qytetarëve, të cilët ndodhen ose në lista brenda të njëjtës qëndër votimi, ose në qëndra votimi të të njëjtit qark, ose në qëndra votimi të qarqeve të ndryshme. Për shembull, Pllumb Gjeloshaj dhe Zoje Gjeloshaj, janë njëkohësisht edhe në listat zgjedhore të komunës Lekbibaj në Tropojë, edhe në listat e komunës Paskuqan në Tiranë; Erion Sheko, një zgjedhës me të gjitha rubrikat identifikuese vetjake identike, mund të votojë dy herë, edhe në shkollën 9 vjeçare, Rilindja në Vlorë, edhe në pallatin e kulturës të të njëjtit qytet; Ekremonda Mançe, mund të ushtrojë dy herë të drejtën e hedhjes së votës së saj në Berat dhe po njëlloj edhe Raimonda, e bija e Thanasaqit dhe Maqes, mund të bëjë të njëjtën gjë për shkak të përdorimit të të dy mbiemrave të saj, Tafilaj dhe Doni. Zonja Raimonda mund të votojë edhe në Berat, edhe në Vlorë.
Një qendër votimi, një zgjedhës
Ky është vërtet një “luks” i çuditshëm. Ndryshe nga sa parasheh Kodi Zgjedhor, janë ende 311 qendra votimi të cilat nuk kanë plotësuar kriterin numerik të zgjedhësve. Gjithsej, numri i qytetarëve që ftohen të votojnë në këto qendra shkon deri në 11 245 votues. Që për këtë shkak, ende nuk dihet se ku do të votojnë.
Kështu, nga këto evidentohen:
Qendra votimi me 1 deri në 10 zgjedhës janë 279 të tilla,
Qendra votimi me më pak se 200 zgjedhës janë 22 qendra,
Qendra votimi me më shumë se 1000 zgjedhës janë 4 të tilla,
Qendra votimi me më shumë se 700 zgjedhës, vetëm për Tiranën, janë 6 qendra të tilla.
Vetëm në bashkinë Berat, janë 4 qendra votimi me nga vetëm një zgjedhës, e po kështu edhe në komunën e Gjerbësit, në Roshnik, Tërpan, bashkinë Klos, komunën Fushë Bulqizë, komunën e Gurrës, Kalasë së Dodës e Kastriot, ekzistojnë qendra votimi me nga vetëm një votues.
Zgjedhës pa adresë
Gati një e shtata e votuesve shqiptarë që gjenden në listat e votimit, vazhdojnë të jenë ende të paidentifikuar me një adresë të saktë banimi. Dihet se ekzistojnë, por nuk dihet se ku banojnë. Në mbi 3 milion e 270 mijë votues, 403 387 të tillë, nuk kanë një adresë të saktë. Për shembull, vetëm në bashkinë Kuçovë, janë mbi 1600 zgjedhës pa adresë banimi, në bashkinë Poliçan, ky numër shkon në mbi 900 të tillë. Në Bashkinë Bulqizë këtë fat e kanë 1368 votues dhe në komunën Ostren, ky numër shkon “dëshpërimisht” deri në 3228 votues.
Megjithatë, numri i kësaj kategorie zgjedhësish ka ardhur duke u reduktuar nga pastrimi në pastrim që i është bërë listës zgjedhore duke filluar nga janari i këtij viti. Në janar, kjo kategori votuesish shkonte në 542 681 vetë dhe dy muaj më pas, u reduktua deri në 476 520 të tillë.
Të vdekur në lista
Kjo ka qenë pjesë më qesharake dhe më e hidhur e listave zgjedhore të zgjedhësve të vitit 2009. Në ato lista ndodheshin dhe qindra qytetarë që kishin kaluar me shumë vite moshën prej një shekulli. Kishte votues deri në 156 vjeç. Zbulimi i një fakti të tillë katër vjet më parë, shkaktoi shumë ironi jo vetëm në median vendase, por dhe atë ndërkombëtare dhe ishte një tregues domethënës i deformimeve serioze të listave zgjedhore.
Ky fenomen është evidentuar dhe në listat e zgjedhjeve të këtij viti, por gjithsesi më i reduktuar dhe më pak qesharak. Sipas listave të Ministrisë së Brendshme, në Shqipëri jetojnë dhe janë ftuar të votojnë 1189 zgjedhës me moshë mbi 100 vjeç. Në krahasim me listën e shpallur në muajin mars, në prill janë pakësuar 36 zgjedhës të tillë.
Për momentin është e pamundur të pashikohet nëse do të ketë mundësi që një pjesë e këtyre parregullsive të ndreqen deri në përpilimin e listës zyrtare; e sigurt është vetëm që në raportin e rradhës së OSBE/ODIHR-it, do të shkruhet patjetër edhe kësaj here fraza: megjithë përmirësimet e kryera, probleme serioze u evidentuan në listat zgjedhore.
Revista Java
Lexo edhe: Zgjedhës në mërgim