Qendra e djathtë hedh poshtë mocionin e paraqitur nga Umberto Ambrosoli. Por edhe marrëveshjen e fundit mes Shtetit e Krahinave që parashikon regjistrimin e detyruar të të miturve në Shërbimin Shëndetësor Italian, pavarësisht nga leja e qëndrimit
Romë, 9 korrik 2013 – Nëse prindërit nuk kanë lejen e qëndrimit, fëmijët nuk mund të kenë pediatrin, atyre u njihen vetëm shërbimet urgjente dhe thelbësore që u garantohen të gjithë emigrantëve të parregullt.
Është kjo linja e Lombardisë, që më 2 korrik, me votat e PdL-s, Legës dhe Fratelli d’Italia ka hedhur poshtë në Këshillin Krahinor një mocion të paraqitur nga Umberto Ambrosoli, i Paktit Qytetar, dhe i mbështetur nga PD e Lëvizja 5 Yjet. Me mocionin kërkohej pikërisht njohja e “asistencës shëndetësore bazë për të miturit me qëndrim të parregullt” me “dhënien e një pediatri të zgjedhur lirisht dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore për fëmijët e jokomunitarëve pa leje qëndrimi”.
Për qendrën e djathtë, mocioni ishte pjellë e një “beteje ideologjike që ka për qëllim zhdukjen e ligjit Bossi-Fini që disiplinon flukset e migrantëve”. “Fëmijët e të parregulltve kanë edhe sot një sërë shërbimesh të ofruara nga sistemi italian shëndetësor” ka kundërshtuar në sallë kreu i drejtorisë për Shëndetësinë Mario Mantovani (PdL). “Përveç urgjencave, për të cilat mund të shkojnë në të gjitha repartet e Ndihmës së Shpejtë, gëzojnë të drejtën e kurimeve thelbësore dhe ndërhyrjet e mjekësisë parandaluese, që të gjitha shërbime në kurriz të sistemit shëndetësor”.
“Kërkojmë vetëm barazinë e eksesit në shërbimin shëndetësor” ka pohuar më kot Ambrosoli, duke nënvizuar që pediatri për bijtë e të parregulltve është realitet në in Friuli Venezia Giulia, Umbria, Toskana e a Trento. “Të lësh pa kura të vazhdueshme një fëmijë nuk është diçka për t’u krenuar por mizori” ka shtuar Ambrosoli, ish kandidati i qendrës së majtë për presidencën e Krahinës, të fituar në zgjedhjet e fundit nga legisti Marroni. Këshilltari i PD-së Fabio Pizzul ka paralajmëruar se do të thërrasë shoqatat Karitas dhe Naga në komisionin e Shëndetësisë që të dëshmojnë “se kështu siç ofrohen sot, kurat nuk garantojnë respektimin e të miturve dhe nuk janë efikase”.
Kundërshtimi i Krahinës Lombardia për t’u njohur shërbimin shëndetësor të miturve, prindërit e të cilëve nuk kanë leje qëndrimi, shkon edhe kundër atyre “udhëzimeve për aplikimin korrekt të normativës për shërbimin shëndetësor ndaj popullsisë së huaj” mbi të cilat qeveria dhe krahinat arritën në një pikë të përbashkët më 20 dhjetor të vitit të shkuar e që duhet të pranohen nga e gjithë Italia. Ato udhëzime parashikojnë, mes të tjerash, edhe regjistrimin e detyrueshëm të të miturve në sistemin shëndetësor italian “pavarësisht lejes së qëndrimit”.
Elvio Pasca