in

Luigi Tenco – Mort në Sanremo 1967

 

44 vjet më parë, ndërsa ishte duke u zhvilluar Festivali i Sanremos, në dhomën 219 u gjet i vdekur Luigi Tenco, konkurrues në festival. Hipoteza e vetëvrasjes nuk u pranua kurrë e plotë. Deri edhe duke zhvarrosur kufomën para pesë vjetëve. Çështje e mbyllur? Hijet mbi vetëvrasjen e tij duket se mbeten. Apo ndoshta është vetëm kokëfortësia e një grupi miqsh romantikë që nuk pranon idenë që një njeri gjenial si Tencoja ka kryer  një gjest, thellë thellë, të rëndomtë

Nga Massimo Canario

Pas pak ditësh nis festivali i 61-të i Sanremos, festivali i sloganeve “comunque vada sarà un successo”, “perché Sanremo è sempre Sanremo”, që përmbledhin më së miri frymën që e karakterizon.

Kur në vitin 1951 lindi ideja që këngës italiane t’i përkushtohet një manifestim nuk kishte lindur ende televizioni italian: në fakt edicioni i parë i festivalit u dha vetëm në radio dhe pati shumë më tepër sukses nga ç’pritnin vetë organizuesit. Arsyeja është e thjeshtë: lufta e dytë botërore kishte mbaruar vetëm prej gjashtë vjetësh dhe ndihej kudo dëshira për të rifilluar jetën, për dëfrim e për të harruar periudhën e gjatë të zisë dhe shkatërrimeve.

Për mirë apo për keq, Sanremo ka qenë gjithnjë vitrinë e jetës së Italisë: që kur këngët ishin të gjitha romantike, me ‘cuore’ që bënte rimë vetëm me ‘amore’, deri tek të rejat e para, siç ishte padyshim “Volare” e Domenico Modugnos, pranimet e para të kantautorëve, dhe së fundi, me shfaqjen në skenë të teksteve vërtet agresive, si “Vita Spericolata” e Vasco Rossit, në vitin 1983.

Pa harruar që në vite, në qytetin e Ligurias kanë kaluar të ftuar të huaj nga më të famshmit, që shpesh kanë shoqëruar në garë autorët italianë: në vitin 1968, vit i kontestimeve mbarëbotërore, Louis Armstrong këndoi bashkë me Lara St. Paulin ‘Mi va di cantare’, duke garuar me artistë si Paul Anka e Dionne Warwich, e duke përfunduar të gjithë pas Sergio Endrigos e Roberto Carlosit, që fituan me të mrekullueshmen “Canzone per te”.

Pas gjithë kësaj premise, mund të duket e çuditshme të futet ky artikull mes atyre që kanë të bëjnë me Misteret e Italisë. Por ka një arsye. Gjatë edicionit të vitit 1967, që u zhvillua më 26-28 janar, një ngjarje tragjike la shenjë në historinë e festivalit: vetëvrasja në dhomën e tij të hotelit, e Luigi Tencos, që sillte, së bashku me Dalidën, këngëtare franceze, këngën “Ciao amore ciao”.

Edhe vetëm ky fakt nuk praninë e artikullit mes atyre të deritanishëm; por problemi është që shumëkush nuk i besoi hipotezës së vetëvrasjes dhe historia është tërhequr zvarrë deri në ditët tona, pasi vetëm pak ditë më parë, thuajse 40 vjet pas ngjarjes së hidhur, kufoma e këngëtarit u zhvarros për të kryer ekspertizë të re, me mjete, padyshim më efikase se ato të atëhershmet.

Po kush ishte Luigi Tenco. Për të, një nga biografët e shumtë, Aldo Colonna, shkroi: “Ishte një idealist, por edhe një njeri i brishtë dhe i dobët […]. Me kulturë, me aftësi shprehëse të konsiderueshme, me nur që thithte gjithnjë vëmendjen e të tjerëve e megjithatë, çuditërisht, me komplekse të ndryshme […]. Politikisht ishte një Don Kishot, një anarkist i pafé. Dikush e quajti njeri i veshur me të bardha që kishte vendosur të bëhej qymyrxhi”.

I lindur në provincën e Alessandrias në vitin 1938, por i rritur në Genova, nis të interesohet për muzikën shumë herët, duke u lidhur fillimisht me xhazin për t’iu afruar më pas të ashtuquajturës shkollë të kantautorëve të Ligurias, shkollë nga e cila spikatnin emrat e Bruno Lauzit, Gino Paolit e Fabrizio De Andrèsë. Gjatë karrierës së tij të shkurtër ai nxori tetë disqe dhe disa singles, mes të cilëve këngë shumë të famshme si “Molto lontano”, “Io si” e “Mi sono innamorato di te”, sa për të përmendur disa.

Në vitin 1967 vendos të marrë pjesë në Sanremo, dhe ky vendim ngjalli disa dyshime. Për botën e festivalit të Sanremos, Tenco është dhe konsiderohet një trup i huaj. Pas vdekjes së tij u tha që këngët e tij ishin paksa tepër përpara, ndoshta vetëm pas 15 vjetëve mund të tërhiqnin vëmendjen e publikut që atëherë dëshironte këngëza moskokëçarëse.

Këndon bashkë me Dalidën, që thuhej se ishte e dashura  e tij dhe se kishte ngulur këmbë të sillnin në festival një këngë që ai nuk kishte shumë për zemër. Kjo është një nga pikat që ngriti më shumë kundërshti. Në të vërtetë, duket se këngëtari ka qenë i lidhur shpirtërisht prej të paktën tre vjetësh më jëfarë Valeria, destinatare e disa letrave të tij që u gjetën vite më pas. Në një prej këtyre, e datës 18 nëntor 1966, Tenco shkruante mes të tjerash: “Unë i kam lejuar asaj të ngrejë gjithë këtë histori […]. Tenco e Dalida, çifti fitimtar i festivalit të ardhshëm. […] Unë u kam lejuar edhe të tjerëve të mëshojnë mbi këtë […].

Tenco e Dalida
Është grua tekanjoze, nevrike, injorante, që nuk pranon idenë e humbjes, profesionale apo dashurore qoftë. E tani nuk di si të dal nga kjo situatë. Shpirti im, çfarëdo që të dëgjosh apo të lexosh, ki besim tek unë”.

Koncepti është i qartë. Ai po e lë veten ta tërheqin të tjerë sepse ka forcë për të reaguar dhe sepse zhurma e ngritur rreth historisë së tyre (e Tencos dhe e Dalidës) mund t’i ndihmojë për të fituar festivalin.

Po ç’ka të vërtetë në këtë mes? Që këngëtarja franceze kishte humbur mendjen pas kantautorit të vrenjtur italian, duket qartë. Por sipas disa punonjësve të Rca-së, shtëpisë diskografike të Tencos, edhe ai u përgjigej pozitivisht ndjenjave të francezes; madje ata pohuan që dy artistët kishin vendosur të martoheshin pas përfundimit të festivalit.

Një gjë është e sigurt: dy këngëtarët kaluan së bashku festën e fundit të Vitit të Ri.

Por e gjithë kjo bie në kundërshtim me një letër dërguar Valerias, me të cilën e luste që të niseshin bashkë për në Kenia me të mbaruar festivali.

Italia u njoh me këtë korrespondencë dhe me të fejuarën e fshehtë vetëm në vitin 1992, dhe ishin të shumtë ata që dyshuan mbi ekzistencën e saj. Por në mënyrë paradoksale, pikërisht një deklaratë e  Dalidës, pak ditë pas tragjedisë, konfirmon vërtetësinë: “… duan të krijojnë idenë e idhullit që uk duron dot poteren e vret veten. E vërteta është një tjetër. Jam e bindur se të vërtetën e kësaj vdekjeje të padrejtë e di vetëm Zoti dhe ajo grua që nuk e diti se sa i dashuruar pas saj ishte Luigi”. Duke hedhur kështu dyshimin se shkak i vetëvrasjes të ketë qenë një zhgënjim në dashuri.

Në fakt, para ditëve të Sanremos duket se dy të fejuarit ishin zënë dhe ajo ishte larguar e nxehur, gjë që konfirmon edhe një tjetër letër e Tencos me të cilën luste të fejuarën të kthehej në Sanremo.

Megjithatë, sido që të ketë shkuar puna në këtë trekëndësh të çuditshëm, ajo që nuk kuptohet është se ç’mund të ketë shtyrë Luigi Tencon deri në vetëvrasje gjatë natës mes 26 dhe 27 janarit 1967.

Këngëtari vinte, sigurisht, nga një periudhë jo e lehtë, e karakterizuar nga shumë nervozizëm: natën e fundit të vitit të mëparshëm kishte sharë rëndë një grup spektatorësh që mbulonin me zhurmë ekzibicionin e tij. Kontradiktat me të fejuarën, marrëdhënia e vështirë me Dalidën dhe eliminimi thuajse i menjëhershëm nga festivali i këngës së tyre e kishte rënduar më tej gjendjen e tij.

Pasi kishte dështuar edhe ripeshkimi i këngës “Ciao amore ciao”, Tenco, shumë i zhgënjyer, sipas atyre që e panë, u mbyll në dhomën e tij dhe aty e gjeti pak pas orës dy të natës vetë Dalida. Ishte qëlluar me armë zjarri në kokë dhe pranë trupit u gjet një pusullë, të shkruar me dorën e tij, ku thuhej: “Unë e desha publikun italian dhe i përkushtova më kot pesë vjet të jetës sime. E bëj këtë jo pse jam i lodhur nga jeta (përkundrazi) por në shenjë protestë ndaj publikut që çon në finale këngën “Io tu e le rose” dhe ndaj komisionit që përzgjedh “La revoluzione” [ishin dy nga këngët konkuruese]. Shpresoj që gjesti im t’i shërbejë ndonjërit për të qqartësuar idetë. Ciao. Luigi.”

A mund të arrihet deri në një gjest proteste kaq ekstrem për arsye, në fund të fundit, të kota, apo për të protestuar ndaj publikut që, krejtësisht në të drejtën e vet, nuk ka vlerësuar një këngë?

E megjithatë gjithçka linte të mendohej për vetëvrasje, duke filluar nga pistoleta që ai kishte blerë pak muaj më parë.

Por kishte disa detaje që nuk bindnin dhe në bazë të të cilave për 40 vjet u vazhdua të këmbëngulej që hetimet të rihapeshin dhe që shkurtin e vitit 2006 çuan deri në zhvarrosjen e kufomës. Dy nga këta elementë ishin të dukshëm që në çastin e gjetjes së kufomës: plaga e armës së zjarrit ishte në të majtë të ballit, veçanti kjo aspak normale pasi Tenco nuk ishte mëngjarash; kësaj i shtohet edhe fakti që gëzhoja e plumbit që i solli vdekjen nuk u gjet asnjëherë.

Por ka edhe një tjetër veçanti që i shtyn njerëzit të mendojnë se Tenco nuk është vetëvrarë: mbrëmjen e tragjedisë në Sanremo u pa Lucienne Maurice, ish burri i Dalidës. Teoria e Aldo Colonnas, biografi gazetar që më shumë se kushdo ka rrëmuar mbi të gjithë historinë, është që Maurice, tej mase xheloz, vrau këngëtarin italian në fund të një zënieje dhe më pas vuri në skenë vetëvrasjen. Edhe pse, gjithnjë sipas biografit, nuk është për t’u përjashtuar as grabitja (Tenco në mbrëmje kishte fituar një shumë të madhe në kazino, shumë nga e cila nuk u gjet as një qindarkë). Janë të ndryshëm elementët në mbrojtje teorisë gazetarit Colonna, që të gjithë teknikë, nga brima e hyrjes dhe e daljes së fishekut, gjerësia e brimës, vështirësisht të përputhshme me një të qëlluar nga pistoleta që Tenco kishte blerë. Për më tepër, këto janë vetëm përshtypje dhe hipoteza: këngëtari, thotë Colonna, kishte biseduar me Valerian që ia kishte dalë të zbuste disi zhgënjimin e tij për eliminimin; pa marrë parasysh që ai vetë i kishte shkruar pak javë më parë; “Në djall Sanremo, të shkojë si të shkojë, tani as që dua t’ia di: dua të dal nga kjo rrëmujë e madhe ku jam futur; sapo të japësh tezën, do të bëjmë çka nuk kemi bërë deri më sot, do të ikim për ca kohë , vetëm ti dhe unë. Do të shkojmë në Afrikë, në Kenia”.

Pas zhvarrosjes së kufomës dhe kontrolleve të reja prokuroria ka mbyllur përfundimisht këtë histori, duke thënë që, ka qenë vetëvrasje, pa as më të voglin dyshim.

Por jo të gjithë janë të bindur: nuk është Colonna, që më 25 shkurt 2006 shkroi një artikull duke mbrojtur pikë për pikë teoritë e tij, nuk është i bindur kriminologu Francesco Bruno, që thotë se sot ka edhe më shumë dyshime dhe që e vetmja gjë që mund t’ia kishte zhdukur dyshimin do të ishte gjetja e gëzhojës në kufomën e Tencos, por kjo nuk ndodhi.

“Vedrai vedrai, vedrai che cambierà, forse non sarà domani ma un bel giorno cambierà”. Janë fjalët e një prej këngëve më të bukura të Luigi Tencos. Nga ai janar 1967 Italia ka ndryshuar shumë, ndoshta ndonjë dekadë më pas Tenco mund edhe të kishte fituar Sanremon. Ndërsa hijet mbi vetëvrasjen e tij duket se mbeten. Apo ndoshta është vetëm kokëfortësia e një grupi miqsh romantikë që nuk pranon idenë që një njeri kaq gjenial të kryejë një gjest, thellë thellë, të rëndomtë.

Flukset. Ministri Maroni: “Do të përfundojmë shpejt shqyrtimin e kërkesave”

Kinematografia shqiptare në Berlinale