in

Luiza Gega dhe pjesëmarrja e saj mes 100 pengesave në Lojërat Olimpike

Mungesa e infrastrukturës sportive dhe e vëmendjes institucionale nuk janë të vetmet pengesa të cilat atletja shqiptare është dashur të kalojë për t’u shpallur nënkampione e Europës.
Nga Lindita Çela, BIRN

Ajo është shqiptarja e parë që shpallet nënkampione e kontinentit në një kampionat europian të atletikës.

Luiza Gega u rendit e dyta në garën e 3000 metrave me pengesa që u zhvillua nga datat 6 deri më 10 korrik në Amsterdam të Hollandës, duke e ndalur kronometrin në 9 minuta, 28 sekonda dhe 52 të qindat.

Arritjen më të rëndësishme të jetës së saj, por edhe për Shqipërinë, e ndau me ata pak njerëz që e pritën në aeroport, pak orë me prindërit, e sërisht u nis për udhë, drejt Korçës.

Në stadiumin “Skënderbeu” ndodhet një ndër pistat e pakta me tartan në Shqipëri, ku mund të stërvitet atletja 28 vjeçare. Ka vetëm katër javë kohë për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike që zhvillohen në Rio de Zhaneiro të Brazilit në mesin e muajit gusht.

Falë Luizës, Shqipëria nuk është thjesht vend pjesëmarrës në Lojëra, por pretendete për medalje.

“Do të mbaj flamurin dhe për herë të parë ne jemi garues në Lojërat Olimpike, që është ëndrra e çdo atleti”. Luiza thotë për sfidën e radhës në karrierën e saj, e cila duket që në nisje se ka qenë veçse një garë e gjatë me pengesa.

Sipas Gegës është pasioni i sportistëve që e mban gjallë sportin e atletikës në Shqipëri, dhe sukseset si të Luizës – ajo është kampione Ballkanike për pesë vitet e fundit – gati-gati duken të pamundura të ndodhin.

“Kudo që shkoj, në kompeticionet ndërkombëtare, jam vetëm me trajnerin, pa një fizioterapist, pa doktor apo masazhator, që janë shumë të rëndësishëm për një atlet.

Gega shpjegon se para garës çdo atlet zhvillon stërvitje intensive dhe një personel i tillë ndihmës është i domosdoshëm.

“Koleget e mia, që marrin pjesë në gara të tilla, nuk mendojnë për këtë apo për ndonjë dëmtim që mund të shkaktohet gjatë stërvitjes; ato nuk mendojnë se a do të kenë mjek me vete, nuk mendojnë nëse do u dalin lekët për t’u stërvitur apo për të qëndruar në garë,” tregon Luiza.

“Thjesht mendojnë për garën dhe stërvitjen, ndërkohë që unë me trajnierin tim duhet të programojmë edhe qindarkën e fundit” shtoi ajo.

Me mundësitë ekonomike që ka në dispozicion Gega mund të përballojë jetesën dhe stërvitjen në Korçë, ndërkohë që rivalët e saj, qoftë ato që la pas në Amsterdam, janë nisur drejtë Francës, aty ku stërviten gjatë verës atletët profesionistë.

Dhe pse në kushte më minimale të një atleteje profesioniste, Luzia thotë se shkon në Rio de Zhaneiro për të qenë finaliste në Lojërat Olimplike. Sa për medalje, preferon të jetë me këmbë në tokë.

Pengesat e Luizës

Luiza kurrë nuk e ka patur jetën të lehtë. Kur vendosi t’i përkushtohej atletikës, 15 vjet të shkuara, duhet të zgjidhte mes Durrësit, familjes dhe ëndërrës së saj. Vjen në Tiranë, por edhe pse me gjithë parametrat e duhur fizik për një atlet, në Institutin e Fizkulturës rezultatet ishin modeste.

“Vjen një moment që mendon ç’duhet të bësh me pasionin tënd. Shteti, edhe kur je atlet profesionist, nuk të ofron asgjë. Vendosa që të stërvitem në ekipin e Taulant Stërmasit, ku në atë kohë bënin pjesë emra të njohur të atletikës shqiptare,” tregon Luiza, duke shpjeguar se si vendosi që pasionin e saj ta kthejë në profesion.

Rezultatet e viteve të para ishin modeste por për trajnerin e saj Stërmasi, ishin shumë shpresëdhënëse, dhe tani Gega po thyen rekorde kombëtare e ndërkombëtare.

“Dy vjet pas stërvitjes [me Stërmasin] fillova të thyej dhe rekorde që kishin 30 vite pa u thyer në atletikën Shqiptare. Rekordi i parë  ishte në gara për 800 metra, e theva rekordin me pak të qindat po ama ishte një rekod. E theva në një kampionat botëror dhe kjo ishte një kënaqësi për mua,” kujton Gega.

Që nga vitit 2010 ajo shpallet kampione në rang Ballkanik, nënkampione në ligat e europiane duke shkruar historinë e ateletikës shqiptare. Megjithatë, përtej medaljeve jeta e Luizës shënjohet nga sakrificat dhe regjim gati gati titanik i stëvistjes që atletika detyron. Stërvitet mbi 6 orë në ditë. Rastet kur feston me miqtë numërohen me gishtat e dorës.

“Të jesh sportiste dhe atlete nuk ke jetë private. Edhe familjen e takoj shumë rrallë. Flas në telefon apo u them motrave të gjejnë kohën që fundjavave të vijnë në Korçë,” thotë Gega.

“Unë kurrë nuk jam prezente në gëzimet e tyre. Gjithmonë i kërkoj ndjesë duke u thënë se kam stërvitje. Prishja e regjimit të kushton në stëvitjen e nesërme ndaj është domosdoshme që të planifikosh edhe sekontin  sepse të ikën rezultati,” shton atletja Olimpike.

Pas vetes ka vetëm trajnierin, i cili ështëpër të mjeku, fizioterapisti apo dhe masazhatori, që duhet të përbënin ekipin me të cilin prezantohet në një garë një atlet. Si atlete e ekipit të Tiranës, Luiza paguhet 60 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa në rastet kur në kompeticionet ndërkombëtare renditet ndër tre vendet e para, shpërblehet nga federata me 850 mijë lekë të vjetra.

Nga 3 mijë atletë që janë të regjistruar në Federatën Shqiptare të Atletikës, Luiza është nga më fatlumet. Ajo ka fituar një bursë nga Komiteti Olimpik me të cilin jeton dhe  mundëson stërvitjen e saj.

Sipas trajnerit të saj Taulant Stërmasi, kostoja e stërvitjes së një atleti të përmasave të Luizës shkon deri në 25 mijë euro në muaj, por nuk  po flasim për Shqipërinë që ka vetëm dy pista me tartan për stërvitjen e atleteve, në Elbasan dhe Korcë.

Në Tiranë e vetmja mundësi për t’u stërvitur është Parku i Liqenit Artificial, por dhe aty Luiza thotë se e ka të pamundur.

“Në Tiranë, i vetmi vend ku mund të dalësh për vrap është Parku i Liqenit Artificial, por dhe aty në këtë kohë ka dyndje njerëzish sa ti nuk ecën dot, jo më të bësh stërvitje,” thotë ajo.

“Ndaj jam e detyruar të shkoj në Korçë. Nuk është vendi më i mirë për t’u stërvitur, sidomos po të mendosh se  do të mbaj flamurin në garat Olimpike, por është i vetmi vend që mund të përballoj ekonomikisht qëndrimin dhe stërvitjen” shton ajo.

Lexo shkrimin të plotë: Luiza Gega, atletja pa pistë vrapimi që garon në Lojrat Olimpike

Luiza Gega në festën e organizuar nga Qytetarët për Parkun - Foto: Lindita Çela 

 

Sabina, Armela dhe Dijamanti, tre të rinjtë shqiptarë që u vranë në Mynih

Telegraph: Shqipëria mes 13 destinacioneve të parapëlqyera të kroçerave