in

Luli Bitri sjell muzën e Giuseppe Verdit në teatër

Në pjesën teatrale mbi jetën private të Verdit, Michele Placido i ka besuar Bitrit rolin e sopranos çeke Tereza Stolz që  konsiderohej muza dhe e dashura sekrete e kompozitorit. Bitri: “U përpoqa t’i vesh këtij personazhi gjithë dashurinë e pasionin e tim si aktore” (foto nga premiera)

Luli Bitri, aktorja shqiptare që jeton mes Torinos, Romës e Tiranës, këto ditë është duke interpretuar një rol të ri, këtë radhë në teatër. Michele Placido, regjisor e aktor i pjesës teatrale “Një puthje mbi zemër” (“Un bacio sul cuore”) mbi gratë në jetën e muzikën e Verdit e ka përzgjedhur për rolin e sopranos çeke Tereza Stolz, muza dhe e dashura sekrete e kompozitorit të madh. “Me Michele Placidon u njoha në Busto Arsizio, në festivalin BAFF. Aty ai më propozoi për këtë projekt të rëndësishëm që bëhet në kuadrin e iniciativave të ndryshme për 200-vjetorin e lindjes së Giuseppe Verdit”, tregon Bitri për shqiptariiitalise.com. 

“Një puthje mbi zemër, gratë në jetën e muzikën e Verdit”, që shfaqet për herë të parë në Terme di Caracalla (selia verore e Teatrit të Operës së Romës) më 9 e 10 gusht, rrëfen historinë e dashurisë së Verdit me të shoqen Giuseppina Strepponi dhe sopranon çeke Teresa Stolz që është konsideruar muza e Verdit dhe e dashura e tij sekrete.

Në pjesën teatrale të Placidos, rolin e Verdit e luan ai vetë, atë të të shoqes aktorja e njohur italiane Isabella Ferrari, ndërsa Luli Bitri luan sopranon Stolz.

“Teresa Stolz është personazhi i një sopranoje boheme. – Tregon Bitri për personazhin e saj – Tashmë në karrierë e sipër, mrekullohet nga fakti që gjeniu i madh, kompozitori Giuseppe Verdi, i propozon të jetë protagonistja  e operave te tij. Giuseppe Verdi shkruan në një prej letrave të tij: “Unë dëshiroj që protagonistët e mi të kenë shpirt, të dinë të lëvizin në skenë, sepse operat e mija kanë nevojë për artistë modestë në emër por që të interpretojnë me dashuri e pasion”. Duke qenë se Teresa Stolz u bë muza e tij, do të thote që i përmbushte këto kritere”.

Këtë rol Luli Bitri e konsideron shumë të vyer nga ana profesionale: “Unë u përpoqa t’i vesh këtij personazhi gjithë dashurinë e pasionin e tim si aktore. Është një personazh që kërkon allegri, sharm femeror, sensualitet dhe forcë shpirterore. Pas dy roleve të mija të fundit, në filma tejet dramatikë, ky ishte një rol për të cilin kisha nevojë. Ishte bukur të jetoja në këtë periudhë, e rrethuar nga mrekullia e notave të Verdit dhe të thelloja njohjen time përsa i përket gjithë operave e jetës private të tij. Është ndjesi shumë e bukur për mua t’i rikthehem teatrit, dashurisë, magjisë që ai krijon. Aq më tepër që aktroj përkrah dy aktorëve që janë pjesë e historisë së kinemasë dhe teatrit italian, mes mureve shumëshekullore, në mes të një pjese të historise romake, një histori kaq intime dhe njerëzore të një gjeniu të muzikës siç është Verdi, është një dhuratë e madhe”

“Të punosh me Placidon është fat! – thotë me entuziazëm – Unë nuk arrija ta besoja në fillim, edhe kur i kishim filluar provat, edhe pse gjendeshim rreth një tavoline si kolegë tashmë. Me pak fjalë mund të them se Placido është njeri modest, një regjisor e një partner që kritikon kur duhet, por edhe lavdëron e shpreh kënaqësinë kur gjërat shkojnë mirë”. 

E Ferrari, një ndër aktoret më në zë të teatrit dhe kinemasë italiane? “Isabella është një partnere fantastike, shumë e thjeshtë, shumë e sinqertë. Kemi folur gjatë për personazhet e njëra-tjetrës edhe pas provave. Modestia e saj më ka bërë shumë përshtypje”.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Luli Bitri, muza e Giuseppe Verdit. Në teatër përkrah Michele Placidos

Foto nga premiera:

Shqipëria Turistike. Karaburuni një nga pikat më të preferuara nga turistët

Shqipëria, çifligu i Cianos / 6