in

Lumturimi i flamujve. Në përvjetor të Lumnimit të Nënë Terezës

Flamuri shqiptar ka qenë  protagonist i ceremonisë së lumnimit të Nënë Terezës në sheshin e Shën Pjetrit në Romë më 19 tetor 2003. Mëse katërmijë shqiptarë të ardhur nga gjithë Italia por edhe nga Shqipëria, Amerika e Europa gjejnë krenarinë e tyre të re në figurën e misionares katolike që po shkon drejt shenjtërimit

Reportazh nga dita e Lumnimit të Nënë Terezës botuar në Bota Shqiptare nr. 95, nëntor 2003

Në mes të sheshit të Shën Pjetrit, dallohet njolla e kuqe e flamurit shqiptar. Asnjëherë shqiptarizma s’e ka mbushur kryeqytetin italian sa të dielën e lumturimit të Nënë Terezës. Grupe të të gjitha moshave, me flamuj, portrete të motrës shqiptare e tek-tuk edhe me veshje kombëtare, kanë pushtuar sheshin në zemër të shtetit të vogël të Vatikanit. Bashkatdhetarët tanë e kanë pritur me padurim këtë ditë. Ndaj nuk i ka lodhur as pritja disaorëshe dhe as i kanë trembur parashikimet metereologjike, që kanë lajmëruar rreshje. Të hareshëm shtrëngojmë radhët mes pelegrinëve nga e gjithë bota.

Janë njerëz të thjeshtë, që punojmë e jetojnë pa bujë të përditshmen e lodhshme të imigrantit dhe një pjesë e mirë e tyre kanë udhëtuar me kilometra nga çdo cep i Italisë për të ndjekur drejtpërsëdrejti ceremoninë. Nuk janë vetëm të krishterë. Toleranca fetare, një nga virtytet më të qytetëruara shqiptare, i ka sjellë në këtë shesh të gjithë: katolikë, ortodoksë, myslimanë, të pafe. “Për shumë prej ne shqiptarëve”, thonë, “që vijmë nga një e shkuar totalitare, kjo ditë përfaqëson pajtimin shpirtëror me të shkuarën, pranimin e sakrificës dhe të dashurisë si të vetmen vlerë të përbotshme”.

Kalojnë sllovenët me flamurin e tyre, pastaj një grup polakësh, flamuri me shirita e yje i SHBA-ve, ai i Koresë, Argjentinës, Francës e Jordanisë… Dhe ja ku në mes të sheshit të Shën Pjetrit, dallohet njolla e kuqe e flamurit shqiptar. Asnjëherë shqiptarizmi s’e ka mbushur kryeqytetin italian sa të dielën e lumturimit të Nënë Terezës. Grupe të të gjitha moshave, me flamuj, portrete të motrës shqiptare e tek-tuk edhe me veshje kombëtare, kanë pushtuar sheshin në zemër të shtetit të vogël të Vatikanit. Bashkatdhetarët tanë e kanë pritur me padurim këtë ditë. Ndaj nuk i ka lodhur as pritja disaorëshe dhe as i kanë trembur parashikimet metereologjike, që kanë lajmëruar rreshje. Të hareshëm shtrëngojmë radhët mes pelegrinëve nga e gjithë bota.

Janë njerëz të thjeshtë, që punojmë e jetojnë pa bujë të përditshmen e lodhshme të imigrantit dhe një pjesë e mirë e tyre kanë udhëtuar me kilometra nga çdo cep i Italisë për të ndjekur drejtpërsëdrejti ceremoninë. Nuk janë vetëm të krishterë. Toleranca fetare, një nga virtytet më të qytetëruara shqiptare, i ka sjellë në këtë shesh të gjithë: katolikë, ortodoksë, myslymanë, të pafe. “Për shumë prej ne shqiptarëve”, thonë, “që vijmë nga një e shkuar totalitare, kjo ditë përfaqëson pajtimin shpirtëror me të shkuarën, pranimin e sakrificës dhe të dashurisë si të vetmen vlerë të përbotshme”.

Duke iu afruar qendrës së një grupi dallojmë një grup motrash të mbështjella me flamur dhe disa burra që mbajnë në gjoks një stemë me emblemën e shqiponjës. E pastaj fëmijë, djem e vajza të reja. Të gjithë të buzëqeshur dhe të gatshëm të shkëmbejnë ndonjë batutë. Ky grup vjen nga Pistoja, ku shqiptarët, rreth 2 000 vetë, jetojnë e punojnë prej vitesh tashmë. Flasin një shqipe me theks toskan dhe një toskanishte me theks shkodran. Janë nga Dajçi. Ky i Pistojës është grupi më i madh dhe më i organizuar këtu në shesh. Një gazetare me një kameraman të Rozafa Tv-së, kanal i Shkodrës, i kanë ndjekur në udhëtimin e tyre, me qëllimin për t’i shpënë xhirimet nga Shën Pjetri në “qytetin më katolik të Shqipërisë”. “Se,- krenohen djemtë, – jo se në Vlorë nuk janë katolikë, për shembull, por në Dajç është ndryshe”.

Pranë tyre një grup shqiptarësh nga Shkupi. Tregojnë se kanë ardhur plot 300: “Jemi shqiptarë, thonë dhe tregojnë duke fryrë gjoksin nën kostumin kombëtar. Gjatë udhëtimit të gjatë, janë ndalur vetëm një herë, në një autogrill. Dhe kanë mbërritur këtu në Romë, në 9.30, tamam në kohë për ceremoninë.

Edhe Sara është shqiptare, megjithëse është rritur në Itali. Duke buzëqeshur ëmbël, thotë me një shqipe të kulluar: “Nënë Tereza është shenjtorja jonë, krenaria e Shqipërisë”. Sipas llogarive të Islam Isufajt 70 për qind e shqiptarëve që ndodhen në shesh janë myslymanë: “Dihet, që feja e shqiptarit është shqiptaria”, citon ai rilindasit. Veronika thotë se në fillim shpresonte që Nënë Tereza do të bënte më shumë për Shqipërinë, “por pastaj e kuptova”, thotë, “që kish njerëz edhe më të mjerë se ne”. Silvana Leka, 19 vjeç, me mënyrën e vet është krenare për Nënën e shenjtë: “Ne shqiptarëve s’na do njeri. Kështu të paktën!” Dom Injaz Dema, nga Shkodra, e ka njohur personalisht Nënë Terezës: “I kam dhënë disa herë komunionin. Ishte si t’ia jepje një engjëlli!”

Në Shën Pjetër janë sot të gjitha ngjyrat dhe gjuhët. Katërqindmijë vetë janë mbledhur për lumnimin e Nënë Terezës. Kanë pushtuar jo thjesht sheshin, por edhe të gjithë Via della Conciliazione. Kur në orën 10.00 Papa Xhovani Paolo II, mbërrin me karrigen e tij lëvizëse, turma mban frymën. Papa duket i qetë dhe i kënaqur, por tejet i lodhur. Me vështirësi të madhe ia del të lexojë formulën në latinisht për lumnimin e Nënë Terezës, porse për omelinë do t’ia lërë mikrofonin zëvendësit në Sekretarinë e shtetit, monsinjor Leonardo Sandrit dhe arkipeshkvit, monsinjor Ivan Diasit. Fjalimi i Papës ka qenë më shumë një fjalim gjestesh simbolike sesa fjalësh. Por besimtarët e kuptojnë. Të prekur e me respekt mijëra vetë pranojnë sakrificën e Papës dhe shtrëngohen në shesh me dashuri të madhe. “Me autoritetin tonë apostolik lejojmë që shërbëtorja e nderuar e Zotit, Tereza e Kalkutës, që sot e tutje të quhet “e lumnuar””, dëgjohet. Duartrokitjet tundin sheshin. Ndërkohë që Xhovani Paolo II germëzon Formulën, është zbuluar qilimi me fytyrën e qeshur të Nënë Terezës, të varur, tashmë, siç është në traditë, në ballinën e bazilikës.

Për të nderuar këtë ditë nga Shqipëria ka mbërritur një delegacion me 26 politikanë, mes të cilëve Presidenti Alfred Moisiu, ish-Presidenti Meidani, Kryetari i PD-së Sali Berisha, nënkryetarja e Kuvendit Popullor, Jozefina Topalli, Ministrja e Kulturës Arta Dade etj., ndërsa nga Kosova Presidenti Rugova dhe personalitete të tjera të politikës dhe kulturës kosovare. Një nder i veçantë i është lënë edhe delegacionit shqiptar, të kryesuar nga Presidenti Moisiu. Pasi i dhuron një statujë argjendi, Moisiu i drejtohet Papës me fjalët: “Kjo është një ditë e shënuar për shqiptarët dhe unë u ndjeva i lumtur që në ceremoninë e Lumturimit të Nënë Terezës isha në radhët e para”. Ceremonia në Shesh po i afrohet fundit. Fotografët dhe gazetetarët, që kanë ndjekur e fiksuar gjithçka, shpejtojnë të largohen për të dhënë lajmin. Shqiptarët natyrisht largohen të fundit. “Që sot e tutje, – buzëqesh njëri prej tyre, – nuk do të thuhet më ‘Nënë Tereza e shqiptarëve’, por ‘shqiptarët e Nënë Terezës'”.

Foto nga dita e Lumnimit të Nënë Terezës

 

Sanatoria. Nis pritja, ecuria e praktikave ndiqet në internet

Diritto di cittadinanza: da domani foto-poster di “Inside Out” in otto città italiane