Lundrimi për argëtim dhe turizmi detar, janë në qendër të një konference dyditore që Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri (CCIA), në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Tiranë, ka organizuar më 17-18 tetor në Orikum të Vlorës.
I pranishëm në këtë konferencë, Ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, vlerësoi se Shqipëria ka një bregdet të mrekullueshëm që duhet shfrytëzuar për zhvillimin e turizmit detar, siç kanë bërë edhe vende të tjera në rajon. Për Gaianin, “funksionimi i Moratoriumit të Mjeteve Lundruese ishte i domosdoshëm në një periudhë të caktuar të zhvillimit historik” por “kushtet që diktuan aplikimin e tij janë tejkaluar tashmë, nga një realitet i sotëm”.
Ndërsa për përfaqësuesit italianë të lundrimit argëtues, Shqipëria paraqet një interes të jashtëzakonshëm. Prof. Paolo Dal Buono, zëvendës President i “Assonautica Italiana”, tha se në Shqipëri mund të vizitosh objekte të mrekullueshme të antikitetit, që përbëjnë surpriza të këndshme për të gjithë turistët që zgjedhin të argëtohen jo përmes kamperave në tokë, por përmes mjeteve lundruese argëtuese në det. “Turistët që vijnë nga Italia me mjetet e tyre përmes detit, mund të vizitojnë një amfiteatër të shkëlqyer siç është ai i Durrësit, mund të zbulojnë një tjetër amfiteatër antik të mrekullueshëm siç është ai i Orikut, mund të zhvendosen më në jug e të shohin një objekt interesant siç është Porto Palermo, apo në një vend të jashtëzakonshëm të antikitetit siç është Butrinti”, u shpreh ai.Përfaqësuesi italian i lundrimit shtroi nevojën e ndërtimit të një rrjeti portesh turistike, ku turistëve të kësaj kategorie mund t’u afrohen shërbime, sikurse ndodh aktualisht me portin e jahteve në Orikum.
Sipas Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, lundrimi për argëtim dhe turizmi detar janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë pasi “të ardhurat që vijnë nga turizmi zenë 6% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, ndërkohë që ato që lidhen me shërbimet që ofrohen në funksion të këtij sektori shkojnë deri në 19% të PPB”. Sipas ministrit në sektorin e turizmit janë të punësuar 198 mijë persona. Ai foli për investimet e kryera deri tani, ndërsa veçoi financimin e projektit të një kalate në portin e Sarandës, për ankorimin e mjeteve lundruese turistike, në përputhje me standardet bashkëkohore.
Mungon e bëhet përditë më e domosdoshme hartimi i një strategjie për ndërtimin e një rrjeti portesh turistike përgjatë gjithë vijës bregdetare, “ndërkohë që në këtë drejtim ka edhe kërkesa konkrete nga investitorë, subjekte vendase e të huaja” sipas Bumçit.
Gjatë ditës së sotme, tema e diskutimeve në këtë konferencë është përshtatja e legjislacionit shqiptar në funksion të zhvillimit të turizmit lundrues argëtues.
Presidenti i Dhomës së Tregtisë Italiane në Shqipëri, Maurizio Zannier, tha se mbajtja e kësaj konference merr shkas nga prioritetet e Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e sektorit të turizmit. “Kjo nismë do të ketë si qëllim zhvillimin e lundrimit argëtues në Shqipëri, duke e trajtuar atë në të gjitha aspektet, si në atë turistik, ashtu dhe teknik, për përmirësimin e kuadrit legjislativ shqiptar në këtë sektor në bazë të normativave evropiane”, shprehet ai.