in

Majko, ministri që s’mundet

Institucionalizimi i një dialogu diasporë-shtet amë duket se vazhdon të mbetet krejtësisht anemik. Për ministrin Majko, edhe Londra ishte vetëm një ndalesë, në shtegtimin e tij nëpër folezat migratore të shqiptarëve nëpër botë. Nëse u hedh një sy “udhëtimeve” të Ministrit, shënjuesit thuajse kanë një “copy-paste” në çdo takim të organizuar ku ndryshon vetëm shteti dhe rrallë flitet për ndonjë specifikë
Nga Petrit Kuçana, The albanian

Petrit Kuçana

Nuk ndryshoi asgjë nga konturet e vizitës së një “ministri simpatik” në Londër, ku gjithçka mbetet një set fotosh, përveç fjalëve të miradisë për diasporën. Ata që shpresonin se Pandeli Majko “ishte ministër ndryshe”, në Londër panë që turi i tij nëpër diasporë justifikon më shumë perceptimin e skeptikëve, se ai përveç gunës së “ish-kryeministrit të luftës”, thjesht thotë ndonjë vërtetë të madhe, duke gjetur një cep ndryshe në doken pushtetore, nuk ua këput lakun hallexhinjve mërgimtarë.

Qysh në shfaqjen e saj Ministria e Diasporës dukej si “shpërblim” për ish-kryeministrin, sesa ndonjë risi reformatore e ndërmarrë nga kryeministri, dhe Ministri i Shtetit (lexo ministër pa portofol) ka shumë më pak staf sesa një shoqatë mesatare shqiptare në Londër. (M’ka çun nana me e la gojën?)

Mbase ministria e diasporës perceptohet më shumë si zyrë pritjeje (ku përveç një fotoje me ministrin, nuk është parë ndonjë produkt real), ose adresimi e kërkesave të mërgimtarëve, që deri më tani nuk ka arritur të shndërrohet si ndërmjetësuese mes mërgimtarëve dhe pushtetit/pushteteve.

Londra për ministrin Majko ishte vetëm një ndalesë, në shtegtimin e tij nëpër folezat migratore të shqiptarëve nëpër botë. Mbase nuk është e rëndësishme përkujdesja që edhe kjo vizitë të ishte, si të tjerat, ku të mos mungonin foto me fëmijët në shkollat shqipe, fjalët e mira për ta, ca takime me komunitetin e serish foto, e përsëri foto, deri kur të plotësohej e katërta ditë, kur mbaronte misioni.

Nëse u hedh një sy “udhëtimeve” të Ministrit, shënjuesit thuajse kanë një “copy-paste” në çdo takim të organizuar ku ndryshon vetëm shteti dhe rrallë flitet për ndonjë specifikë të veçantë.

Gjithsesi në një prej takimeve të organizuara nga një shoqatë studentësh, nën përkujdesjen e ambasadës mesa dukej, Majko u mundua të prezantojë një strategji për diasporën, që për të gjithë ata që kanë ndjekur sadopak “përkujdesjen” e shtetit shqiptar për mërgimtarët, e shikojnë të stërpërsëritur prej vite e vitesh, ku ndonjë arnim aty-këtu, do të bënte mbulonte vjetërsinë, së paku që nga viti 2005.

Askund nuk di saktësisht as për “stofin” as për arnat e të ashtuquajturës platformë, dhe më e çuditshmja është se në këtë strategji nuk është thënë të jenë përfshirë mërgimtarët. E fjalët e përgjithshme krijojnë mjaftueshëm pluhurin për sytë e pavëmendshëm, që mbase edhe mendojnë se Majko çoç mund të bëjë ndonjë gjë.

Se sa serioze është kjo puna e Diasporës për pushtetarët, apo këto rreshtat e shkruar, mjafton të theksohet se në asnjë moment, në asnjë takim Ministri i Diasporës, nuk ka qenë i gatshëm, (lexo nuk ka guxuar) që të garantojë mërgimtarët e Shqipërisë zyrtare, se në zgjedhjet e ardhshme do të kenë të drejtën e votës, siç e kanë emigrantët thuajse në të gjithë botën dhe se në rajon janë të vetmit që nuk mund të votojnë në vendet ku jetojnë.

Edhe apartiakët më të ftohtë do të mund të pyesin se sa vite në pushtet u duhen për të “përfshirë” emigrantët, në mos të kërcasin në ndonjë tepsi pushteti…

Gjithsesi përderisa Britania ka shumë specifika të veçanta, (ku mbase interesimi për votim mbetet i sfumuar për arsye dhe rrethana të caktuara), janë ca çështje të tjera që mund të adresohen.

E kush më mirë se Ministri Majko do të mund të këpusë lakun?

Institucionalizimi i një dialogu diasporë-shtet amë duket se vazhdon të mbetet krejtësisht anemik, ku Samiti i Diasporës është dëshmi konkrete. Qeveria jo vetëm që nuk e organizoi më, (madje edhe vetë ministri Majko e perifrazoi si një takim ku u pamë me njëri-tjetrin), por duket se duhen disa PR gjeni që t’ua mbushin mendjen mërgimtarëve të ulen në “logun e kuvendit” në të njëjtën “ndenjë” ku nuk u tha e nuk u bë asgjë.

Ka një dëshmi tjetër që shkon deri në përçmim ndaj diasporës, që është aeroporti i Rinasit. Edhe vetë ministri e pranoi që ndihej i turpëruar, madje që Mali i Zi po i ngrinte biletat vetëm se mërgimtarët shqiptarë kalojnë andej, por edhe pse çdolloj justifikimi koncesioni është hequr, asgjë nuk bëhet. Pritet se ndonjë lajm nga ata të ububushmit për aeroportin e Vlorës, do të jetë së paku shpëtim, për të “kaluar” në pyetjen tjetër, edhe për Majkon. Asnjë fjalë, asnjë premtim jo se jo, se çoç del blof pastaj, si puna e marrëveshjes mes qeverive, që nuk u vu në zbatim për heqjen e doganave mes dy shteteve shqiptare, ku Majkos “iu krua shpina” të dilte dorzan… siç pranoi vetë që na qenkërkan disa oligarkë, andej e këndej, që e këpusin në dysh çdo vendim qeverie… e kushedi se ç‘mund të thuhet për takën e rrugës së kombit…

Ministri nuk mundi të thotë asgjë as për ndonjë platformë/strategji të shtetit shqiptar për të rinjtë e sapoardhur, as për përfshirjen e të paktën 23 doktorë shkencash që ne i kemi identifikuar në Britani dhe që mjerisht, jo për faj të Majkos thuajse asnjë jo vetëm nuk gjendej në sallë, por as që mundën ta takojnë Ministrin. Gjithkush mund të kuptojë pasurinë e jashtëzakonshme që përbëjnë këta doktorë shkencash për shtetin/shtetet, por mbase nuk mund të kuptojnë indiferencën e institucioneve shqiptare, duke filluar nga ambasada.

Specifika e tjetër për Britaninë mbetet moslejimi i makinave britanike, me krah të djathtë, sipas Majkos për arsye se ca specialistë paskan shprehur një opinion se qenkan të rrezikshme, ndërkohë që asnjë shtet i bashkimit evropian nuk e ka një ligj të tillë.

Kaq shumë përkujdeset shteti/shtetarët për mërgatën saqë së paku mërgimtarët e Britanisë kanë filluar procedurat për të kërkuar ndihmë nga Brukseli, për t’u mbrojtur nga diskriminimi i shtetit amë për çështjen e makinave.

E mbase Majko do të vijë sërish në Londër e sërish do të ketë mërgimtarë që duan të kenë një foto me Majkon (individin), me ministrin apo ish-kryeministrin Majko, por asnjë mërgimtar nuk do të kujtonte Majkon si ministri që nuk mundi…

Pyetjet që i bëmë Ministrit, por s’morën përgjigje.

1. Aeroporti i Rinasit, më i shtrenjti në rajon dhe më gjerë etj etj. A do të mund të garantoje ministri i Diasporës që ketë verë Rinasi do të ofroje çmimet e biletave sa të aeroporteve fqinje?

2. A ka strategji konkrete shteti shqiptar kryesisht pre të rinjtë që po vijnë në Britani dhe që fatkeqësisht në kushtet e mbijetesës dhe po kthehen në lajmet e kronikës së zezë së medias britanike

3. Ne Britani ka te paktën 23 doktorë shkencash (PHD) që i kemi identifikuar deri tani (Thuajse asnjë nuk ishte prezent) . A është kontaktuar ndonjë qofte edhe për të hartuar ato projektet për diasporën?

4. A do të mund të ndihmonte shqiptaret e Britanisë që mbeten të diskriminuar për shkak të makinave në krah të djathte dhe nga raportet zyrtare të nga Ministria e Brendshme nuk rezulton se janë shkak për aksidente.

5. Nëse nuk u sigurohet e drejta e votës emigranteve shqiptare në vendet ku jetojnë në zgjedhjet e ardhshme a do ta mund të konsiderohet i dështuar misioni i Ministrit të Diasporës.

 

 

E ç’na duhet një ministër si Majko?

“Broken” i Edmond Budinës, premierë në Festivalin e Kinematografisë Evropiane në Lecce